Xhemjeti

Erven Pasha, ‘i Xhemjetlí,
Mledhë mishlizin n’ Babi – Alí,
Edhè u thotë: Zotní të mí,
Mbasi duel êmri i Xhemjetit,
Qi shkaf âsht tebajë e Mbretit: 5
T’ jetë kush t’ jetë, mashkull a fêmen:
Osmanli me u quajtë me êmen;
E se t’ gjith atà mbas sodit,
Mohit do t’i bishin rodit,
Prej të cillit kishin dalë. 10
Ylqja e Mbretit marë n’ at fjalë
Uli kryet e pa u trazue,
Fis e giûhë zû me i harrue,
Osmanlí tue quejtun vehten.
Edhè kshtû, u ngjatët Zoti jeten! 15
U shkrínë m’njâ Turk e Zejbek,
Lacë, Harapë, Armen e Grekë,
Beduìn e Jahudí,
E sá janë kombe n’ Turkí,
Kush pa u ankue, kush pa bâ zâ, 20
Thue se ‘i nanë t’ gjith i kisht’ bâ.
Veç shqyptarve s’ po u hî n’kokë
Me u bâ vllazen me tjerë shokë
E Osmanlí me qujtun vedin.
Kta Turkín njofin e Mbretin: 25
Dér dikû edhe Xhemjetin;
Por kombsín nuk duan me ndrrue,
Giûhë as doke me harrue;
E kristjan e muamedan,
Gegë e Toskë, Shqypnija marë 30
Prap se prap quhen Shqyptarë.
Medjè kta, zotní të mí,
Njitash s’ voni i a kan hî
Me shkrue shqyp libra e fletore,
Me çilë shkolla n’ giûhë arbnore: 35
E mâ teper, sì nper dhamë,
Posë se s’ duen me dhânë nizamë,
Janë tue lypë autonomín,
Per me qitë m’ vedi Shqypnín,
Edhè Turkut mâ mbas sotit 40
Mos me i lá t’ dheta si motit;
Veç me ngrefë ata ‘i farë Shtetit:
Po e jo nen hije t’ Mbretit:
E m’ vedvedi me u sundue,
Pashë as beg mos me ndigiue: 45
Si t’i a bajm hallit s’ e dí….
Xhavid Pasha, ‘i Turk i Rí,
Kqyr ç’ ká mârrë trimi e ç’ ká thânë:
Nji, per bé, gjallë nuk do lânë!
Se Shqyptarët po ishin belá, 50
Hajrin kush kurr mos me u a pá,
Veç se sherrin. S’ dí a e dini,
Se, q’ se Turku s’ pari hini
Në Shqypní e dér më sot,
Jo mâ pak: po e tham me lot! 55
Se pêsdhetekater herë
M’né Shqyptarët t’ janë lshue poterë
Me armë n’ dorë, e t’ na kan rá,
Ballë per ballë me né t’ u vrá,
Si t’ isht’ kênë Turku me Shkjá. 60
Medjè ngusht shum herë na e prûne,
Pse zanát pushken po e kishin.
Prandaj hundët m’ grusht u duen shtypë,
Qi kurr n’ mend mâ mos t’ u bjere,
Pis Arnaut ata tue kênë, 65
Xhemjetit me i qitë telashe.
Sinan Pasha, ‘i plak me mjekerr:
Javash, burra, zên e u thotë:
Se Shqyptarët janë fis i vjetr:
S’ marrin grushta si manovët. 70
Katerqind e disa vjet
Janë, qi hîmë na në Shqypní:
Kush ká bâ mâ shum gajret
Se Shqyptari per Turkí?
Në Jemen kan ardhë me né, 75
N’Sebastopull kan derdhë gjak;
Fyt – a – fyt janë pré me Shkjé:
Kan mârrë krena n’ Karadak.
N’ luftë uxhunin kta e kan bâ;
T’mbramët te hika e t’ parët te meta 80
Janë pjekë n’ diell janë ngrî n’ murrâ:
Per Daulet s’ u âsht dhimtun jeta.
E po ç’bâmë na per Shqyptarë?
Ç’ t’ mirë na atyne u kem’ pertrî?…
Cilla punë, thoni, u kthye marë 85
Ç’ se na gjindemi n’ Shqypní?…
Na i kem’ djegë e i kemi pjekë,
I kem’ zjerrë shpijet e toket;
Vjerrë m’ konop, i bâmë me dekë,
U kem’ prishë kanû’n e doket. 90
I kem’ rrahë nper milazima,
Shnjerzue i kem nper agallarë:
I kem’ fikë nper myltezima
Repë i kem’nper tasildarë.
Kund ndo’i urë a u kemi lshue? 95
Se janë rrugat qi u kem’ çilë ?
Ndonji shkollë a u kem’ ndertue?
Shtek t’ shperthyem a u kem mshilë?…
Kuerdo t’ jetë kysmet me i dalë
Turkut dore Shqyptarija, 100
Posë faltoresh, ku me u falë,
N’ Shqypní ‘i shêj a e lân Turkija?…
Pse m’ at herë duem qi Shqyptari
Gjithmonë rob të rrijë nen né,
T’ harrojë gjûhen qi i la i Pari, 105
T’ mohojë vendin ku ka lé?
Per me folë kah shpirti del,
Faj Shqyptarit nuk i vîhet,
Pse me Turk sod kapet tel,
Vendi vend pse nuk i zîhet. 110
Me topuz, mor faqja e bardhë,
Me Shqyptarë nuk ndreqet gjâ;
Veç me t’ amel rreth tue i ardhë,
Per tý e shtýn deken me bâ.
Prandej vetë kishe me thânë, 115
Se s’ âsht mirë Shqyptarët me i ngrá:
Le t’ a lâjm ket punë m’ nja’n ânë
E mos t’ sjellim kot belá.
At herë çua âsht Turgut Pasha,
Streh ngerthye do vetlla t’ trasha, 120
E t’ ká nisë me ligjirue,
Mirë tue u matë, fort tue u mendue:
I u ngjatët jeta zotnis s’ uej!
Per mos daçim me mifë n’ ujë
E Turkín m” e vû n’ rrezik, 125
Qi m’ u dá pllamë e perçik,
Kish’ me thânë, zotni të mí,
Se do shtrue ‘i herë kjo Shqypní:
Se Shqyptarve m’ drû u do hypë
Mirë per veshësh, edhè, me i zdrypë: 130
Mirë me i zdrypë e mirë me i shtypë,
Qi m’ u a zjerrë at zburth lirije
E at kllapí autonomie,
Qi pat nisë ka pak me i Zânë,
Qýsh se dorë Mbreti u pat dhânë, 135
Tash do vjet, me u ba milet:
Kuer Kongresit të Berlinit,
Stambolla tue kênë rrethue,
Na bîn fjalë per punë t’ kufinit
E gaperr Europa u çue, 140
Me i a lshue Malit të Zí
Hot e Grudë, Plavë e Gucí.
Jo, po, besa, zotëní,
Q’ se milet u bâ Shqypnija
Edhè dorë dha ksajë Turkija: 145
Per nji idare masllahat:
Me rrokë armët me dalë në shpat
Bregut t’ Cemit, e me u vrá
Ballë per ballë me hasmin Shkjá
Si t’ kisht’ kênë Shteti me Shtet, 150
Kan marrë, po, Shqyptarët gajret
Me mendue, se edhe pa né
Mund të rrnohej gjall mbí dhé:
Se mos heret, sado vonë:
N’ per miq t’ vet e hasem t’ onë: 155
Mund t’ u shkepshin prej Sulltanit,
Si do tjerë Shteten t’ Ballkanit,
Edhè m’ vedi me u sundue,
Pashë as beg per pa ndigjue.
E ké t’ vshtirë nji herë me reshtë 160
Harushan me krye n’ qyp t’ mjaltit;
Se mandej i a shkulë ti veshët,
Por qypit s’ e shkepë per s’ t’ gjallit.
Prandej vetë kishe me thânë,
Se kjo punë fjetë nuk do lânë. 165
Se t’ bjerë mini nper mjekerr
Anishkà, tha ‘i burrë i vjetr,
PO mos t’ çilte shtekun tjerve…
Posë Shqyptarësh: manje mirë n’ mend:
Kem’ Jemen e kem’ Armen, 170
Kemi Grekë e kem’ Zejbekë,
Me Qerkez me Lkurazez,
Me Bulgarë grêtha luftarë,
Qi po i lshuem na pê Shqypnís
N’ punë të gjuhës e të kombsís 175
Veç me dá Turkín e mjerë,
Se s’ jet tjetr tash nji herë.
Pse të gjitha këto kombe
Ki’n me lypun Frone e Dhome,
Koçobash me metun Mbreti… 180
Tash zotní, kjo punë nuk ban.
Pra nuk ká çajre as derman
Per pa i çue n’ Shqypní mizore,
Pak me thânë, njiqind taborre,
Qi nji herë e pikë mâ s’ parit: 185
Per me e nisë punen per s’ marit:
Sylahin m’ i a hjekë Shqyptarit;
Mandej m’tê me kapë nji drû
Edhè shpinen me i a zbrû,
Qi të bindet fíll prej vetit; 190
Persè aj cub tuj kênë shkorretit,
Guzon t’ dalë karshì nji Mbreti:
Karshì Mbretit e Xhemjetit.
Mbretní, do me thânë fuqí.
Pa fuqí, nuk ka mbretní. 195
Ma fuqí, u mkam Turkija;
Pa fuqí na hupë Shqypníja:
Hupë Shqypnija e Arabija,
Si na hupi, ofshe! Ballkani.
Turkut m’ shpinë i hypë dushmani! 200
Kshtû ká folë qaj Turgut Pasha,
Aferim! i thotë Mishlizi,
Komandár edhè e ka vû
Mbi njiqind taborre t’ zgjedhuna,
Per Shqypní tue e nisun fill 205
Qi t’ ngushtote shka âsht Shqyptár
Me quejtë vedin Osmanlí
Per mbas qefit t’ Turqve t’ Rí.
Kah merr dielli e hana lé,
Si Shqypnija ‘i vend s’ e ké, 210
N’ daç per male e per kodrina,
N’ daç per fusha e per rudina,
Bjeshkë e vrrí edhè zallina,
Me kullosa e tokë t’ punueme
Me liqêj, me prroje e lume: 215
Kroje fushës e gurra shpatit:
E puthë deti per s’ të giatit:
Peshku plymë nder kalimare:
Gjâja e gjallë reshë shqere shqere:
Endë mëndashi e endë hardhìja: 220
Ambel sýnin t’ mushë robnija:
N’ shndet kerthneset marë natyra,
Qiella kthiellet si pasqyra:
Sh’ Ndré në bjeshkë e Sh’Gjergj në vrrî:
S’ká mâ bukur n’ rrokullí. 225
Me na pasë gjithkush lakmí.
Por ç’e bân? se sod, or probe,
Me t’ a falë Shqypnin, kush, tobe,
N’ e shikjon dý herë me sý,
Kaq per kob qi t’ a ká msý, 230
Turgut Pasha, ‘i turçelí
Me njiqind taborre ushtrí,
Tanë Çerkez e Lkurazez
Turkoshakë e Anadollakë
Manovë Jevk, Lacë e Zejbek 235
Me pushkë n’ krah, me zjarm n’ sylah
Njani n’ fes tjetri n’ qylah
Toka e zezë me ‘i pasë qirah;
Edhè m’ shpinë aj i a ka lshue, 240
Me Moskov, thue, âsht tue luftue.
Kacaleci si lshon m’ arë,
Fund e maje tue e mshî mbarë,
Kshtû Shqypnís i u rras asqeri
Ç’ merr prej Jugut der ke Veri; 245
Edhè Pasha Turgut Pasha,
Idhtë ngerthye ato vetlla t’ trasha
T’ ká ngrefë top, t’ká ngrefë havan,
Edhè qitë ká nji ferman,
E pa i lânë kund kujë derman 250
Lypë nji herë e pikë mâ s’ pari:
Sylahin me hjekë Shqyptari
Edhè armët aj me i dorzue:
Mbasandej mos me guzue
Kush Shqyptár vedit me i thânë, 255
As me majtë doke e kanue
As nder shkolla shqyp me zanë;
Shqypen shqyp jo mâ m’ e shkrue,
Por turqisht: ká lypë mâ teper
Qi Shqypnija e poshtme e eper 260
T’ epte asqer, edhè të late
Pagë e t’ dheta e begajate,
Gjithsi isht’ êmri i Turqve t’ Rí,
Ase e bân vendin faní.
Kúr ká ardhë rendi i Malcís 265
E t’ kan ndie ata Krenët e Malevet,
Jânë bashkue, kuvend kan dalë:
Per jetë t’ ande, Pasha i Mbretit;
Fort n’ gazep mos me na mârrë,
Né ‘edhè me na lânë sylahin; 270
Se kem’ ndollë disì n’ kufî
E shpesh po na bje me u vrá
Kû me Urum e kû me Shkjá.
Mbasandej ti po na thue
Shqyptár mos me quejtë na vedin 275
Por m’ i a njitun Osmanli,
Edhè shqypen me e harrue.
Vargjeç, Pashë t’ ngjatët Zoti jeten !
Se kto punë n’ perde nuk hînë.
Kúr na t’ mbajm ligjen e Mbretit: 280
Por të preme per mbas vendit:
E t’ lájm pagë edhè të dheta,
Mbas zanatit qi kem’ pasë
E si t’ shifet se Dauleti
Vendin t’ onë e bân mahmúr, 285
E jo kshtû me e lânë harabë,
At herë na, Shqyptarë me gjak,
Osmanlí bâhna me pûnë.
Kaq âsht mjaft, kishim me thânë;
E kurrkund nuk âsht nevoja 290
T’ hîjm nder kso maklladesh t’ kthella:
Jo Osmanli, jo turçelí
Ky Çerkez aj Jahudi …
Po, Shqyptarë jemi, zotní,
E Shqyptarë prap duem me mbetë: 295
Kështû, Pashë, na e kemi gjetë,
Perzèt kshtû edhè do t’ a lâmë.
E per punë, qi lypë nizamë
Na s’ kém djelm me çue n’ Jemen…
A si u thonë ylqeve t’ Mbretit. 300
Na ktu vetë vritu me Shkjá,
Djalin çoe me u vrá me Turk,
Pasha Zotin, more Pashë,
Kurrsesi kjo pûnë nuk bân.
Ti ké ngrefë top e havan: 305
Perzèt mshoj, t’ lumshin t’ dy krahët;
Se edhè kshtû s’ u rrnueka gjallë.
Kështû Krenët kan ligjirue.
Turgut Pasha fort â idhnue,
Fort â idhnue, t’ madhe ká britë: 310
Haps qafirat tash me i qitë !
E t’ a dijn, se në Turkî
S’ ká Shqyptarë, as s’ ká Shqypní,
Veç ká Mbret e ká Xhemjet!
Haps i bânë Krenët e Malcís 315
Qi per Mbret n’ kufî t’ Shqypnís.
Ballë per ballë tue u vrá me Shkjá,
Vendin n’ gjak krejt e pa’n lá.
At herë Pasha vû leçí
Mos me çilë kurrkund n’ Shqypní 320
Shkolla shqype, edhè me shâmë
Njat të vetmen qi ishte n’ kâmë
N’ Elbasan, e m’ e bâ lâmë;
E po u gjet kush nder Shqyptarë,
Qi me u marrë me gazetarë, 325
A me qitë shqyp ndoj fletore,
Tha, pa e çue nder gjykatore,
Sa gjânë gjatë m’ e shtrî n’ sokak,
E me e rrahun me dajak,
Dér qi lkura t’ i plasë gjak, 330
Tue i rá fyellit e bylbylit.
Por pse atí i duhej me u ndollë
Sá mâ para në Stambollë,
Kshtû mbasi mendue kje hollë
Per t’çue m’ vend fermane e irade 335
Hini e zgjodh per veqilade.
Do Shqyptarë: do kallavrade.
Hasem t’ lemë të gjytetnís,
T’ cillët as êmnin e Shqypnís
Kurr me e ndie nuk kan pasë dashtë: 340
Pleh i ndýt i mluem me kashtë.
Si, bje fjala, kur terthuer
Jashtë n’ sokak me ftyrë per gúr
Shtrînë t’ ngratin Hafiz Myslimin,
Edhè m’ drû e rrahen trimin, 345
Tue krisë lodra e tue ra fyelli,
Dér qi i kambës i u thye kercyelli,
E me gand gjith jeten mbet,
Jo per tjetr xhinajet;
Veç pse pvetë në hyqamet: 350
A isht’ Shqyptár a po Osmanlí,
I pergjegjë me trimëní:
Sado qi ishte nji hafiz:
Jam Shqyptár me gjûhë e fis.
Por edhè kur shtrî m’ sakak 355
E tue i rá ishin m’ dajak,
Sa herë pvette kajmekami,
Thuej shka jé? permbysë per dhé
Jâm shqyptár pergjegjte afizi,
Dér qi ashti i kambës s’ i krisi. 360
At herë t’ lirë e la me shkue:
Faqe t’ngrîtë vedit tue i shkrue.
Mbasi kshtû t’ mjeren Shqypní
E poshtnoi e e pshtuell në zí,
Turgut Pasha, i gjatë e i hollë, 365
Mori rrugën per Stambollë,
Ngrefë mustakun, ksulen n’ sý,
Të shtatë krajlat si t’ kisht’ thye,
E jo mâ nji grusht Shqyptarë,
Ndollë t’ pá fis e t’ pá kumarë: 370
Thue, plasë toka i qiti jashtë.
Veç se shka, kishe me dashtë,
Turgut Pashës m’ i a shtî në rrashtë,
Se Shqypnija â ‘i kashë e lashë:
Me çue ‘i kashtë e me t’ dalë gjashtë… 375