Dedë Gjo Luli

Të shtatë Krajlat çue janë m’ kâmë:
Kah ká rá, medet! kjo gjâmë?
N’ at Malcí, n’ at Rapshë të Hotit
Dedë Gjo’ Luli, burrë si motit,
Me ‘i çetë Lekë, bisha shkorretit, 5
Ká nisë pushken m’ askjer t’ Mbretit!
Dedë Gjo’ Luli, ‘i shpatë e gjallë,
Shtremon ksulen, del në shkallë,
Bedri Pashës po i çon aj fjalë:
Mirë nenshtrasha, or’ Bedri Pasha! 10
Amanet jam tue t’ a lânë,
Ket fjalë Mbretit me m’ i a thânë:
Se me sodjet, êmni i Zotit!
Shka jem’nipash s’ Gjergj Kastriotit
E Shqyptarë qi i thomë na vedit, 15
Mâ duvâ nuk i bâjm Mbretit.
E as s’ e njofim mâ per Mbret.
Rrash po mbushen pesqind vjet,
Qi na i bâjm atij hysmet
E per tê na thyem rradaket, 20
Si t’ ki’n kênë kto poça Vraket,
Nji të mirë pá pasë prej tí.
Na skoi moti si â mâ zí:
Ngranë pa ngranë, e kryet m’ gershanë,
Bje prej sherrit m’ taksirát. 25
Se aj s’ po kisht’ tjetr zanát,
Veç pre e rip, e digj e piq:
Rrxo, rreno, e vendin flligj
Me mehmurë e me agallarë,
Qi ‘i punë kta kurr s’ kan sjellë marë; 30
Veç rrah m’ shkop, e vár m’ konop:
Vidh, robit, e tokët plaçkit:
Si mo’Zo’mâ keq per né,
Qi a ndopak n’ Shqypní kem’ lé.
Pasha Zotin: kjoftë levdue! 35
Edhè kshtu s’ mûjm me durue.
Pushken sod un i a kam vû,
Mandej dalët si kjoftë gjikue.
Kshtû tha Deda, e si shterngue,
Veshë e mbathë kishte qillue, 40
Njet alltín në fletë t’ sylahit
Vên mauzerren mbí sup t’ krahit,
E me ‘i çetë djelmoça mbrapa
Kä marrë rrugen me t’ mdhej hapa:
Si njaj plajmi me duhí: 45
Drejt kah Rapsha edhè u ká prî.
Drejt kah Rapsha, Rapsha e Hotit,
Qi, si heret si n’ ditë t’ sotit,
Kjo po m’ ishte ‘i falme agzotit:
Se atý vendi t’ âsht ndezë zhari, 50
T’ janë herrë krenat porsi bari,
Sa herë Lekët na janë perlá
Grykë per grykë me Turk e Shkjá,
Idhtë tue i bâ shkinat me kjá,
Idhtë tue i bâ me fshâ turkinat, 55
Kah n’ dorë flakë u rrín martinat.
Kúr janë kapë m’ at Brigje t’ Hotit:
At herë Shêjzat tue prendue:
Dedë Gjo’ Luli, flakë barotit,
Marash Ucit n’ derë ká shkue 60
Kû i trakllon edhe po i thotë:
Çou, bre Masho! Sod s’ âsht ngaja
As me fjetë, besa, as me u kotë;
Pse me Turk kem’ do fjalë t’ mdhaja.
Mashi, rát si kishte kanë 65
Mbí lkurë viçi, â çue mejhera,
E vû krahve ‘i gozhup t’ randë,
Jashtë ká dalë trimi ke dera:
Po a me msý po do Stambollen
Me kta djelm, ‘or Dedë, mbas veti? 70
Se, kudo qi këta ndollen,
Atý gjâmë muer toka e deti.
Mos më nguc, Masho, me fjalë,
Se merzitshem kam qillue,
Po i a kthen Deda kadalë, 75
Mashit doren tue i shterngue.
Edhè m’ anesh shmangë pak gjâ,
Ulun trimat kan zânë vend;
Bâjn duhan, e at herë nen zâ
Ká nisë Deda e çilë kuvend: 80
N’at Qafë – Kishë mledhun Parija,
Kuvendishi atý e pa’n dá,
Burrë per shpí me dalë Malsija
E so’ ‘i javë Turkut me i rá.
Po; por fort mue âsht tue m’u ngjatë, 85
Edhè mendja m’kapet tel,
Me i rá Turkut shi n’ ket natë:
Si, thue ti, puna na del?
Osmanlís me i rá s’ âsht heret
Kurr, tha Mashi me fjalë të mara, 90
Mos per deret, per penxheret
Do qitë jashtë aj sa mâ para;
Me t’ a thânë pse due edhè í fjalë:
Vetë na, po, e provojm mbí rrashtë,
Se aj n’ Shqypní t’ ká ngulë, si halë 95
Qi ngelë n’ fyt, e s’ zieret jashtë.
Don dajak! … Mirë se po i bini
Sande askjerit; por nuk dí
Armë me vedi sa mund t’ kini?
Shtatë mauxerre e kjo alltí 100
Qi kam n’ brez, tha Dedë Gjo’ Luli.
Me aq pushkë, thom un, armët askjerit
T’ Rapshës u mirren, Marash Uci
I a kthei Dedës. Un me nji herit
Po kumtoj Shkrel e Kastrat, 105
Po çoj fjalë edhè n’ Kelmend
Gjâs e gjindes me i dhanë shpat,
N’ qafa burrat me zanë vend.
M’ tani, djelm! se, me ndihmë t’ Zotit,
Ksaj herë Turkun e kem’ thye. 110
Zbardhnja faqet gjithkund Hotit!
Briti Mashi, e n’ shpí u kthye.
Ç’ janë do pushkë n’ at Rapshë të Hotit?
Dedë Gjo’ Luli, si i u lut Zotit,
Sod prej nadjet, pa zbardhë drita, 115
Me ‘izet djelm, po, ‘izet petrita:
Sýnin gacë, zêmren duhí,
N’ shtatë mauxerre e në nji alltí:
M’ askjer t’ Mbretit ká sulmue,
N’dý kausha kta ngujue: 120
T’ njehun rrafsh gjashtdhetë nizamë.
Fusha e Rapshës se ç’ ká marrë gjamë;
Veleçiku fort ká ushtue,
Shtatë mauxerret rrebtë tue vlue,
Kurr pa prâ, kurr pa pushue: 125
Thue ‘i taborr po ká qillue!
Se me djelm qi ká mbas veti
Dedë Gjo’ Luli, kaçabeti,
S’ i ká Krajli, s’ i ká Mbreti,
S’ i ká toka, s’ i ká deti: 130
Mjaft me thânë Kolë Marash Vata,
Qi, si plajmi me shtergata,
Me at Prêlë Kerin kaq t’ kan msý
M’ dý kaushat n’ askjer ndrý,
Thue janë çerdhe cilikokesh: 135
Ke aspak gjygjin s’ i a bâjn kokes.
Kaq kje vrrima, po, e uturima,
Kaq vikama edhè piskama,
Kúr t’ janë lshue Lekët e Malcís
Mbí atà t’ shkretët nizamë t’Turkís, 140
N’ ato kulla kthelltë ngujue:
Dy tue vrá, dy tue shitue:
Sa qi t’ mjerët zêmra i ká lshue
‘Dhe malcorve n’ dorë u rane,
Me gjith armë e xhebehane. 145
Mbasi ‘i herë ranë në dorë,
Atý prí u kan dy malcorë,
E shtek m’ shtek e koder m’ koder,
I percollen me kthye n’ Shkoder.
Nji ç’ do burrë, qi din shk’ â ndera, 150
Hasmi armët mbasì t’ i hjekë,
Faqe t’ zezë aj çon te dera,
Po guzoi m’ tê mâ me prekë,
Mbas kanûs s’ Lekë Dukagjinit.
Porsí kúr naten e Sh’ Gjinit 155
Flakadanet shkojn tu’ u kallë
Jo p’ r ‘iherë, por kû mâ rrallë,
Kû mâ shpesh e dorë mbas dore
Atý – ktû neper terthore:
Kshtu, si zhiri u bânë nji herë 160
Dý kaushat n’ Rapshë të blerë,
Shì n’ e nesre e pushkë pa shtî,
Gjith kaushat në Malcí,
Urë kufinit me Mal t’ Zí;
Kû mâ t’ vogla e kû mâ t’ mdhá: 165
Nji mbas njij në dorë kan rá.
Mandej Grudës i a dhânka Zoti
Prej Deçiqit turqit me i dbue;
Krevenicen e muer Hoti;
Hyqameti n’ Tuz u rrxue. 170
Rrethue at herë t’ a kan nizamin,
N’ Shipshanik qi kisht’ ngujue,
Si edhè askjerin, qi istiqamin,
N’ Dushkakuq kisht’ pasë ndertue:
E s’ lanë zog ajrit me dalë, 175
Jo mâ turk me kalue gjallë.
Kshtu, p’ r ‘i herë, u zhduk Turkija
Q’ merr prej Tuzit te Gicija:
Me pushkë n’ faqe e dboi Malcija.
Bedri Pasha, kúr ká ndî 180
Se ç’ po bâte ajo Malcí,
Per Lirí e per Shqypní,
Fort â mbushë aj me mëní,
Grushta krés, besa tue i rá,
Askjer n’ Shkoder ke s’ po ká, 185
Fesatin n’ Malcí me dá.
Thrret mishlizin, bâjn shurá:
Si t’ i a bâjm e tek t’ i a bâjm?
Kah të çajm e kah t’ i a mbajm?
Se Malcija âsht çue lugat 190
Me dalë neser m’ Rozafat:
Edhè ktu, po, n’ kalá t’ Shkodres,
Tue i rá surles edhè lodres,
N’ sý t’ Europës e t’ marë njerzís,
Me ngrefë flamurin e Shqypnís: 195
Shqypnín m’ e qitë zojë më veti,
Qi mâ kurr m’ tê me urdhnue Mbreti:
Se lê Pashë e veqilade,
Lê mehmurë e kallavrade,
Qi m’ konop tash po t’ i vjerrin 200
Njashtû si per kambet berrin!
Hollë e gjatë si janë mendue,
Si kan folë e bisedue,
Se si punës me i a bâ hallin,
S’ mbrami t’ gjith e kan pleqnue, 205
Me nji herë me qitë tellallin:
Qi, shk’ â turk, me dalë n’ Koplik,
Pse po isht’ nji i madh rrezik:
Shqypnijet me u dbue Turkija:
Shtet m’ vedi me u ngrefë Shqypnija! 210
N’ at mbasdite n’ iqindí
Thrret tellalli sa ká n’ krye:
Kush âsht turk bashibuzuk,
Me njeshë armët e n’ luftë me dalë,
Malcís hovin me i a ndalë; 215
Persè dini â në rrezik,
Ke s’ po ká Shkodra nizamë
Kshtu tellalli. Trup në kamë
I a kan bâ nja dý mij vetë,
Muamedan, e pa marrë dielli, 220
Vrap: thue kambve u kan vû fletë:
Per báll t’ luftës janë nisun filli.
Ç’ po shkojn Turqit tue vikatë!
Tue vikatë, tue u hallakatë!
Kan dalë m’ suka të Moksetit, 225
Kan pushtue Drume e Deçiq:
Mirë kan ngrefë topat e Mbretit:
Me hjedhë gjylet m’ Bukoviq!
N’ at Dinoshë na janë ngujue;
Kan ngrefë tabe edhè istiqame 230
Maje krahit tue këndue,
Tue prî vallet per gjith mbrame.
Shka ká thânë njaj Dedë Gjo’ Luli,
M’ kep t’ njij shkami dalë s’ kundruelli:
Hajde, hajde, o morì Shkoder 235
Se na njifna prej q’ kah moti;
Se me surle edhè me loder,
S’ shtron Malecí ti, manà t’ Zotit.
Na â rreshkë shtati n’ flakë t’ barotit,
Tuj u grî na e tuj u vrá 240
Herë me Turk e herë me Shkjá.
Kqyr, t’ mos bijsh nper né n’ belá;
Se né hajrin s’ na ká pá,
Veç kush n’ shpí per mik na rá.
Kshtû tha Deda m’ at rragam. 245
Edhè pushka bâni bam.
Falë i kjofshim t’ Madhit Zot !
Kúr janë lshue Grudë edhè Hot
N’ at Dinoshë m’ bashibuzukë,
Ç’ ká ushtue mal e ç’ â trandë sukë, 250
Edhè toka ç’ t’ ká bumllue:
Keq permnershem t’ janë perlà,
Si me u grî Turku me Shkjá:
Jo mâ t’ gjith Shqyptár — nji vllá!
Shoq me shoq miq e kumarë, 255
T’ gjith bujarë, t’ gjith pushkatarë,
Kundra Shkjaut qi sa e sa herë
Krah per krah kan rrâ n’ poterë,
E s’ bashku kan derdhun gjak,
Tuj u grî me Karadak. 260
Perzet – a, t’ dy krahët na thashin
Né Shqyptarve: turq na thaçin,
Ortodoks ase të kshtênë:
Msue gjithmonë qi kemi kênë
A me thye per t’ huej’n rradaket: 265
Edhè hor, pa farë nafaket:
Ase, neper sherr të tí,
Ndermjet vedit na me u grî!…
Sido kjoftë, por turqit shkodranë
At ditë thye kjenë në Dinoshë: 270
Disá u vrán, do rob kjenë zanë,
Hiken tjerët në gjak perloshë.
Veç nder suka të Moksetit
Fort mâ shum zianë âsht bâ
Kû mbí turq kû m’ askjer t’ Mbretit, 275
Qi n’ Malcí jyrish kin rrâ;
Rreth e okolle pse atij shpati
Msý kan Hot, Shkrel e Kastrat,
Edhè lufta, manà, ngjati
Rrash tridhetë e gjashtë sahat. 280
S’ mbrami turqit kjen thye
E m’ Rrasë – Fik shkruen me zatetë,
Tue lânë dekun krye më krye
Kund njiqind e pêsdhetë vetë.
Si ‘i lavë ujqish, qi mardha e ûja 285
T’ a ketë lodhë atjè në Shndré,
Kndej lshon m’ dhên, andej bjen m’ ftuja,
Ktû tue shkye, atjè tue pré:
Kshtu, nji herë mbasì u a dha Zoti
M’ u a shperthye turqve istiqamin 290
Gruda, shlligë, e gjarpen Hoti,
Mbí Deçiq t’ kan msý nizamin.
U ká prî Nikë Gjelosh Luli:
Vesh e m’ vesh mustaku i tí:
Qi veç pá t’ a kish’ s’ kundruelli, 295
Se edhè shum do tutë t’ kisht’ shtî.
Njitë mbas tij vjen njaj Mark Gjeka,
Trimi n’zâ Pjeter Nikë Daku,
Maço Grizhi e Lulash Zeka,
Qi, kû ndodhne, atjè rrmei gjaku. 300
M’ mitraljoz ç’ t’ i a dha atý askjeri,
Ç’ t’ i a dha m’ pushkë bashibuzuku,
Rrfë kúr msý ká njaj Zef Peri,
Prelë Kolë Shyti e Mirot Çuku:
Burrë i fortë Pjeter Gjokë Toshi, 305
Lucë Prêlë Nishku e Gjelosh Gjoka,
Prelot Keqi e aj Ujkë Gjeloshi,
Dedë Gjon Ujka e Marash Doka:
Burra lé per çark t’ martinës,
Fjalen fjalë, besen çelikut, 310
Ballë per Ballë e jo mbas shpinës
Msue me i rá në luftë anmikut.
Nikë Gjeloshi m’ nja tue msý,
N’ nja tue u njitë malit perpjeta,
N’ llogor t’ turqvet mbrendë ká kcye, 315
Si kulshedra bjen nder kneta.
Lum per tý, o i Lumi Zot,
Se ç’ kà krisun m’ at Deçiq,
Idhtë tue u grî turq, Grudë e Hot,
M’ pushkë, m’ singija edhè me klliç! 320
Kambë per kambë por me malcorë,
M’ Deçiq rrâ ká ‘i djalë i rí:
Qaj Hilë Mosi, pushken n’ dorë,
N’ parsme flamrin kuq e zí.
Se ky Hila, djalë shkodranë, 325
Per lirí të ksajë Shqypnije:
Mbathë e dathë, ngranë e pa ngranë:
T’ rít e jeten bâ kisht’flije.
Gjindja ashtû sa i’n tue u coptue,
Tuj u bâ atà paçariz, 330
Asht turrë djali e t’ ká flakrue,
Porsì gjarpen, mu n’ mjedis;
E tue i dhânë aj zjarm alltís
M’ nji manov vjellun nga Azija,
Zhvillon Flamrin e Shqypnís 335
E vrret t’ madhe: Rrnoftë Shqypníja!
N’ at zâ turqit u vûnë me hikë,
Pêsdhetë t’ vramë tue lanë mbí dhé,
Djelm të zgjedhun pikë e pikë:
Per t’ shituem pse pvetë nuk ké. 340
Ofshe i mjeri! por ká mbetë
Vetë i shtatti Nikë Gjelosh Luli,
Trim si aj mos me u gjetë,
Marë Shqypnín ti n’ e kerkosh.
At herë n’ qiell prej Veleçikut 345
Tue lé dielli me madhní,
Dishka ushton drejt Shipshanikut:
Shka do t’ jetë un kish’ t’ a dij?
Tue vozitë naten pa hanë,
Diku atjè në Samoborr: 350
M’ breg t’ liqênit per n’ m’ at anë:
Paska zbritun nji taborr:
Rrash nji mij dyqind nizamë,
N’ peksimet e n’ armë mberthye;
Djelm me bré hekur me dhâmë: 355
Edhè fíll na paskan msý:
Njani mbathë e tjetri dathë:
N’ Shipshanik atà me shkue
N’ ndihmë do askjerit, qi si n’ vathë
Berret, mbetë kishin rrethue. 360
Porsì lshojn orlat m’ stervinë,
Hot e Grudë, lshue fulikare,
T’ i kan rá nizamit m’ shpinë,
Tue i dhânë hiken n’p'r ato qare.
Bedri Pasha, vall, shka ká, 365
Qi rri e ndukë mjekrren pa dá?
Gjithky idhnim kah thue i ká rá?
Kajmekami i Lezhës âsht vrá!
Pushkë e top n’ Malcí tue vlue,
Kajmekami kênka çue, 370
Në Breg t’ Matës aj per me shkue:
Me ‘i taborr nizamë rrethue,
Ngarkue mushkat n’ xhebehane,
N’ peksimet e n’ karramane;
Edhè dalka n’ p’r ato kneta, 375
Per me mledhë xhelep e t’ dheta,
Bregut t’ Matës e dér m’ Patok,
Pa dhânë vade, afat a orok.
Deda i Cokut, kúr ká ndîe
Se prej Lezhjet kaluer atit, 380
Kajmekami vjen me ushtrí,
Grue e fmij ká qitë aj shpatit,
E me shokë e me komitë:
Pika e djalit kû isht’ qillue:
Ka vojtë trimi e zanë në pritë; 385
Mirë kû n’ armë atà shterngue,
Kan dhânë fjalen, janë betue,
Pushken Turkut me i a vû,
Prej Shqypnís Turkun me dbue.
Ç’ po shkon ati tue hingllue, 390
Qafen kuk, bishtin ngerthye,
Shkumë e verdhë nper gojë tue i shkue,
Shah tue u hjedhë e tue këcye:
Bardh trí kambët, në ballë nishan;
Kajmekami pin duhan: 395
Sý’n murtat, menden hajvan:
Para e mbas ushtrín karvan:
Ngarkuet mushkat varg permbrapa,
Vithet mal, shkojn hapa hapa.
Kúr janë kapun n’ nji shêj vendit, 400
Dikû andej per ballë Zejmenit,
Bregut t’ Matës teposhtë tue shkue,
Prej pusís, kû isht’ kênë ngujue,
T’ madhe Deda i bzân askjerit:
Kushdo jush Shqyptár ká ndollë, 405
T’ shmanget m’ anesh me nji herit;
Pse luftë kem’ veç me Stambollë.
Edhè pushkët krisen batare.
Kajmekami u vrá pikë s’ parit,
E rá dekun n’ do zhavare: 410
Kurr mâ n’ mend me i rá qyqarit,
Me lypë t’ dheta neper Tale,
Se atà Lekët po i’n fort havale…
Fort u ndez lufta m’ at hera,
Shum u dha zhurma e potera, 415
Shungullue ç’ ká bregu i detit
Kúr malcorët msýn m’ askjer t’ Mbretit,
Si ato bishat e shkorretit!
Mbe’n nizamët e ngratë gardhiqeve,
Mbe’n, po, knetave e hendiqeve, 420
Vrap kah prroskave edhè shtiqeve
I’n vû m’ t’hukun poshtë perpjeta,
N’ zí tue pshtjellë nanat e veta.
At herë mushkat plaçkë u bâne
Randë ngarkue me xhebehane, 425
N’peksimet e n’ karramane.
Shum u bâ por m’ turq zijani,
Llesh Nikë Daka, pehlivani,
Kúr, ngujue n’ mjedis t’ aljerit,
Nisi pushken kundra askjerit! 430
Jo, po: mirë m’ i ká pague
Nji búlk t’ ve’n, kunatë e bí,
Qi nizami a vrá a shitue
I a pat Lleshit mu në shpí.
N’ at luftim rane dishmorë 435
Per Shqypní nandmdhetë malcorë;
Prej nizamësh m’ aljer të thatë
Mbe’n njiqind tetdheteshtatë.
Por, medet e treqind halle!
Punë m’ e kjá me lot Shqypnija ! 440
Se nizamit, mbetë në Tele,
U a muer gjakun n’ Durrës jallija.
Kta malcorët e Bregut t’ Matës,
Per mbas Dedës e llesh Nikë Dakës,
Kênkan nisë per muzgut t’ natës, 445
Poshtë n’ at Durrës atà me rá,
Per t’ dbuem Turkun, e m’ kalá:
Si lidhë besë ki’n me jallí:
Me ngrefë flamrin kuq e zí.
Por n’ at Rrushkull si kan mrrî, 450
Atý rá kan në pusí:
Isht’ kênë çue jallija m’ kamë,
Me t’ cillt besë ki’n lidhë e fé,
E bâ bashkë me turq nizamë,
Per mbas vedi atý i ká pré. 455
Po, jallija, n’ besë e n’ fé,
Ofshe ! at ditë preu malcorët udhës,
Per t’ a lânë prap Turkun n’ Durrës!
Per lirí të ksajë Shqypnije
At ditë vedin bâne flije: 460
Kolec Marku, shqype malit,
Njaj Gjokë Doda, pika e djalit:
Zef Harapi, bylbyl n’ Shkodrë,
Mirë pa rritë qi shtatin n’ votrë,
Rroki armët e per Atdhé 465
Mik mbas vedi rrugës u pré:
Prêlë Delija, trim rrfé:
Njaj Tomë Gjugji e Mark Prengë Dudi,
Preng Nikollë Gjeçi e Mark Per Zefi,
Me të cillt Gjekë Marash Haka, 470
Pelhivana t’ fortë si Zana:
Trim mbí trima Llesh Nik Daka
Si kulshedra me shtatë krena,
Qi turfllon neper boèna.
Ky Llesh Nika shitue randë 475
Me trí plume anë per anë,
Shokve t’ vet aj m’ u ká thânë,
Kryet m’ mauzerre e shta’n per tokë:
Amanet, o morè shokë!
Me m’ a xjerrë ju ktû nji vig, 480
E n’ kishë t’ Fretenvet në Rrbig
Ju me m’ bartë e atjè me m’ çue:
Due me u rrfye, due me u vojue:
N’hije t’ kishës due me u vorrue.
E kan bartë e atje e kan çue. 485
Pater Pali ç ‘ âsht mjerue !
Me dorë ballit ç’i ká rá:
E po thotë gati tue kjá:
Oj Shqypní, e mjera Shqypní,
Mjaft po drue, se me krye n’ hî 490
Per gjithmonë per t’ mbetun ké,
N’ prêhen t’ and q’ se mûjn me lé
Ksi gjarpîjsh, qi, besë e fé
Lânë mbas dore, me tradhtí
Mund t’ bâjn m’vllazen kshtu kerdí, 495
Veç per t’ lânë të huj’n n’ Shqypní:
Në Shqypní Turkun me lânë,
Qi, q’ se jeta e sheklli âsht zânë,
S’ ká bâ tjetr veç rrenue,
Prishë, e çartë e rrotullue 500
N’ ujë t’ pa fund, këtu e gjithkund.
At herë mjekun i a ká prû
Larg prej Dibret, me e sherue
Por jetë – shkurtë Lleshi isht’ qillue,
E si u rrfye edhè u ligjue, 505
Atý trimi ká marue.
Kúr ká dekë e ká marue,
I kshtênë, po, e nip Skanderbeut,
Dalë ká atý fisnikja e dheut:
Me dorë ballin ç’ po i a lmon, 510
Hollë e giatë se ç’ po e vajton:
T’ janë mledhë miqt prej s’ dij se kahit:
Pse m’ rri shtrî si drû prej ahit?
Çou nji herë, per me ligjirue;
Çou, djelmnín per m’e trimnue! 515
Folja ‘i fjalë babës Nikë t’ motnue.
Ty nuk t’ trêmi gjylja e topit,
Nuk t’ ligshtoi duhmija e barotit,
Kúr mbí turq msyne rrfé motit;
Por, kúr ndeshe në t’ ue vllazen, 520
Shum bataren mbí tý shprazen:
Atà s’ t’ vrán, por zemren t’ plasen!
Dýsh tý zemren t’ a coptuen:
Vllá tue t’ pasun, të tradhtuen !
At herë trimin e varruen. 525
E vorruen m’at maje krepit
Kû komita, lodhë gazepit
T’ Shkjaut a t’ Turkut, gjêjshin mproje,
Strehë, pushim, e prap ndoj koje
Bukë e zemer; e kû Frati 530
Të varruemve u rrite gati,
Varrët tue u a lá edhè tue u a ndrrue:
Krént me kshilla tue i drejtue.
Persè, ç’ merr prej Sallsatikut
E del m’ Sh’ Mark, n’ Kuvend të Rrbigut 535
E ki’n strofllin t’ gjith njatà,
Qi me puplë a me pushkë m’ krah,
T’ kshtênë a turq, ishin betue,
Jashtë Shqypnís Turkun m’ e dbue:
Kthellë, Mirditë, Kurbin e Krue, 540
Me Zhubë t’ Lezhës e me Zadrimë:
Me Zadrimë, qi me marrë frymë
S’ e la Turku; gjithmonë rajë,
Persè e kshtênë, e qi në váj
Moti i shkon: por qi n’ ditë t’ sotit, 545
Qi po lypet me ngrefë krye
Kundra Turkut, e me msye
Me armë n’ dorë, Krén e të Parë
Të Zadrimës, sa kjenë gjith marë,
Kan lânë shpijat me hambarë: 550
Kan lânë kualt atà me shalë:
Shekat plot, kotecat plot:
Drithtë në arë të bâm me u pré:
Burgun ding me lopë e qé:
Dhên e dhí, e lesh e lî: 555
Qitu buken n’ mal komitës
Struki n’ shpija zhegut t’ ditës,
Edhè n’ mal komitë kan dalë:
Kush me djalë, kush me mahallë:
Ka rá n’ mal, po, Mati Gjoka, 560
Prenkë Matija, i shpís s’ Milotit,
Qaj Zef Prêçi e qaj Lekë Ndoka:
Gjo’ Ndue Vokrri, burrë si motit,
Marka Tuku, uk shkorretit:
Mark Pashuku e Shtjef Haberi 565
Qaj Kin Ndoci e Gjokë Dodë Goshi
Gjoka i Tukut e Ndrecë Leci,
Qi n’ Hajmel, Rroboshtë, Kallmet
Shum m’ askjer bân do adalet.
Nderkaq n’ Shkoder i a ká befun 570
Turgut Pasha, ‘i xhemjetlí,
Me shtatdhetë taborre t’ njefun;
E si mrrini nji herë n’ Shkoder,
Bujrí tue kersitë e loder,
Fjalë malcorve aj u ká çue: 575
Krye pêsë ditsh, si t’ shkojn pêsë dit,
Me rá n’ Shkoder, me u dorzue
Me gjith armë; ase gjilit
M’ shpinë me askjer do t’ u kisht’ hypë,
Hundë e buzë m’ grushta me u shtypë, 580
Me u zhbî trollin me temel
M’ carâ t’ votres dér në stel,
Mos me u kndue mâ as pulë as gjel,
E atà me i vjerrë m’ çengel.
Kúr kan ndî Krént e Malcís 585
Per lirí qi të Shqipnís
I a ki’n vû pushken Turkís:
Ded Gjo’ Luli, kuvendtár.
Sokol Baci, mendeqár,
Marash Luca pushkatár,590
Mehmet Shpendi, bishë dervendi;
Frano Pali e Mirash Pali,
Si dý plume n’ xheverdare,
Me at Tomë Niken, harushë mali:
Qaj Lukë Marku, rrfé zhgjetare, 595
Me at Islamin Makalushi:
Prej Shkodranësh, Luigj Gurakuqi:
Edhè trimat janë bashkue,
E ashtû m’ kambë e pa e ngjatë tortë,
Fjalë Turgutit kshtu i kan çue: 600
Perzè, Pashë, boll burrë i fortë
Mbahe e jé; veç shka se na
Kurrkund, besa, s’e kem’ n’ mend
Me rá n’ godi me tý. Na
S’ thomë, si ‘i palë, prap në ket vend 605
Me ndêjë Turku; veç, si na
Qi t’ kem’ qéf, me sundue aj.
Ajo fjalë s’ â gjâ, jo. Na
Duem qi Turku t’ hiqet kndej,
E n’ Shqypní t’ jesim veç na 610
Per me mûjtë, kshtû, mbasandej,
Në Shqypní me sundue na,
Gjithsesì t’ kem’ qefin na.
Prandej, Pashë, der sa qi ti
Mos t’ thejsh zverkun prej ktij vendi, 615
Godi s’ ká, jo, ndermjet nesh,
Me shoshojn pa u bâ na pshesh;
Pse na t’ njofim kush jé ti.
Turgut Pasha fort â idhnue:
M’ kambë ushtrín aj e ká çue, 620
Malcís m’ shpinë ‘dhe i a ká lshue:
Njanin krah drejt Veleçikut,
Tjetrin nisë prej Shipshanikut.
Si tallazi, qi, tanë shkumë,
Vjen plandoset per ndoj gumë, 625
E me ushtimë e me furí
I dyndë skllafat per ajrí:
Njikshtu atbotë ushtria e Turkís
T’ i u rras mbrendë ajo Malcís,
Pushkë e top tue bumbullue, 630
Mendt e krés me t’ u trenue.
Ah ! kadalë, bre Dedë Gjo’ Luli,
Se njikjo âsht duhmja e Dauletit,
E njikjo âsht dita e kjahmetit,
Mâje mos me i pá ti vedit. 635
Po a nuk ndîen? a s’ shef me sý
Sa nizami, korb i zí,
Per gjith anësh tý të ka msý?
Se kjo s’ âsht ushtrija e Shkjaut,
Por e Mbretit të Stambolles: 640
Qi veç n’ hîsh ti n’ bryen t’ kaut,
Perse ndryshe halllin kokes,
Manà pra, si i a bân nuk ké.
Turgut Pasha ka bâ bé,
Me të djegë me gúr e dhé: 645
Fort ká vrâ ato vetlla t’ trasha!
Hajde, hajde, ‘or’ Turgut Pasha!
Se me ndihmë të Perendís,
Të kam xjerrë, bre, prej Malcís…
Prej Malcís edhè Shqypnís! 650
S’ ká me thanë tash ktû fjalë boshe,
Per shka don me bâ adalet:
S’ trêmet ujku, jo, prej shoshe!
Mshoj, perzet, sa t’ keshë kyvet;
Pse edh’ âsht kjo mâ e mbramja e herë, 655
Qi po t’ bje me u pré e me u therë
Me Shqyptarë njimend Shqyptarë,
Qi mohue s’ kan fis as t’ Parë;
E qi m’ tý, besa, lum Pasha,
Kan me xjerrë do dredha t’ trasha: 660
Palè, at herë, ku t’ qet neshtrasha.
Msýni Turku me furí,
Lshoi Malcija me trimní,
E ka’ u ndeshen me mëní,
Veleçiku, thue, u turshî: 665
Kaq me t’ madhe nji uturimë,
Kaq me rrpame e me zhaurrimë
Turr m’ shoshojn qi kan sulmue,
Ushtimë pushka atý tue vlue,
Kobshim topi tue bumbullue, 670
Edhe gjindja tue sharrue:
Tue sharrue per t’ madh gazep,
Kush mbí curr e kush nen krep:
Njani fushës e tjetri shpatit,
Rreshkë per shûjtë e rreshkë per ujë: 675
Çurril gjaku shkoju shtatit,
Kush fjalë t’ ambel mos u thuej!
Aloberta flakë e zhig,
Tranden shtojet kah Vitoja;
Suka e Napllit të tanë nig, 680
Veliçiku ushton e Broja.
Ká marrë gjamë larg Bukoviqi,
Tym e njegull mâja e Qurkut,
Tue msý Turku kah Deçiqi,
Marrë aj turrin prej Kalturkut, 685
Prêlë Nikë Prêtashi prej Kushet
Fort po bân, trimi, gajret;
Qaj Zef Peri, ‘i drang harushet,
Se ç’ po qet, sa mirë i a njet:
Sa mirë, trimi, krés i a njiti 690
Atí yzbashit Saladinit:
Tamth e m’ tamth plumen i a qiti
E e la shakull prroskës s’ njij vrrinit.
Shka ká thân Pjetr Nikë Daku:
Mirë e pat qaj Sinan Aja: 695
Dy çurrilash po i shkon gjaku:
Se kthen n’ shpí, s’ emban mâ uzdaja;
Qaj Prêlë Keri, me trí zêmra,
Shkon e vjen porsì duhija;
Se atij lak nuk i bân thêmra 700
As nder plume as nder singija.
Si ‘i kulsheder dalë prej detit,
Maça Grizhi t’ madhe bzâni:
Bini, djelm, m’ askjer të Mbretit,
Se ká mbetë, ofshe! Dokë Lani. 705
Qaj Kolë Zefi, e forta skile:
Me sa gjarpnit s’ i a dán gjurmen:
Me Kolë Kurtin zanë m’ bratile,
Ç’ po e perzíjn n’ askjer aj turmen;
Ke pa dhimë nizamët po i vret 710
E i lshon rreges dujë e dujë:
Me bâ turkut shum medet,
Ke u mbe’n burrat n’ dhé të huej.
Ç’ ká qi rreh topi e gopedra
N’ at Qafë – Ungrej, zjarr’ pa e ndalë? 715
Gjet’ Mark Ujka, si kulshedra,
Thonë ká msý atý me gjith djalë.
Mbaja mirë, topçija i Mbretit !
Ké verbue? as s’ shef me sý
Ç’ po bâhet m’ askjer t’ Dauletit, 720
Tash qi Gjetja andej ká msý?
Si nji búlk, qi, gjetë n’ hambar
Nji frotë mîjsh, kapë n’ dorë nji shkop
E me tê, ashtû kandar
Tue sjellë m’ mîj, t’ i bân aj skllop: 725
Gjeto Marku me të birin
Kshtû po i lshon manovët per dhé,
Pa i a kqyrë kurrnjanit hirin,
Veç qit m’ ta porsí m’ shkrebè.
Por, rrezik! se ‘i nishanxhí 730
Po kisht’ kênë, besa, topçiu;
Pse, vû topin m’ terezí,
Me gjith t’ bir’ dikúr e mshiu.
Ç’ t’ ká lshue at herë Gjon Ujk Miculi,
Lulash Zeka e qaj Stakë Breci, 735
Lik Mirashi e Gjokë Dedë Luli,
Gjon Ujk Çeku, e Kolë Gjo’ Leci;
Lucë Gjeloshi, ‘i bishë prej mali,
Dasha Nika e Pjetr Uci,
Smajl Mustafa e Sokol Mali, 740
Gjokë Dedë Luli, e Gjo’ Nik Plluci:
Edhè trimat, tue u berlykë,
Si atà dêmat neper djerre,
T’ flakruen m’ turq e grykë per grykë
I a kan dhânë atý m’ mauzerre. 745
Ilerì ! vrret Komandari,
Edhè turqit filikare
Msýnë m’ shqyptarë, e aty at herë, zhari
Ndezë, mauzerret vlojn batare.
M’ Samoborr e në Zagore 750
Të tanë vendi â ‘i gropë gelqere;
Gjimon mal, ushton terthore,
Shungullojn grykat e humnere.
Fort po rreh topi e havani,
Edhè gjylja derdhun breshen 755
Dikû andejna kah Drogani,
Tash qi turqit m’ malsorë u ndeshen.
Et – hem Pasha prej Gucîjet
Merr e msýn me askjer Kelmendin,
Nsa Turguti atje prej Spîjet 760
Flakadâ po e kallë t’ tanë vendin.
Tymi dyndet rê n’ ajrí,
Shamen trojet me temel;
Kahdo bjen duhmani i tij,
Atý s’ kndon mâ as pulë as gjel. 765
Shtýhen para turqit kamë kamë,
Pushtojn vend ka pak ka pak:
Por tue e shtrue vendin n’ nizamë,
Pllamë per pllamë por tue e lá n’ gjak.
N’ mend habitun kqyrë Europa 770
Si njikjo Malcia mixorre
Veç me ‘i pushkë, pa shûjtë pa topa,
Mazull mban shtatdhetë taborre?!