Koha e Re

Hej, moj Zânë, tý t’kjosha true,
Si s’po t’bje nder mend per mue,
Punë të hershme me m’ kumtue;
Kangë e valle me m’ fillue;
Por më rrin tue fluturue 5
Mollë më mollë e ftue më ftue
Me ato shoqe tue këndue,
Me ato shoqe tue vallzue,
Tue vallzue, moj tue lodrue
Nper ledina e nper rudina, 10
Np’r ata brej, aha e çetina,
Kû bân çerdhen gjeraçina,
Bulon molla e lulzon thâna
E prîjn valle Orë e Zâna
Neper rreze qi lshon hana. 15
Ardhun shtatit si breshana
Rreze diellit dora e llana,
Ftyra shtrue n’ fletë t’drandofillit,
Kamba matë per gjeth të lilit,
Shartue zâni m’zâ t’ bylbylit, 20
Dishka borë e dishka brymë
Si njaj hylli me ferfllimë:
Mori sumlla sumullore,
Mori dardha dimërore,
Si t’ shkoi moti kangë e valle 25
Kangë e valle e zanamare:
Tash mbas flutrash neper zalle
Tash mbas lulesh nper livadhe
Herë ndiq sutat neper curra, 30
Zhytu e mbytu neper gurra,
Ngallit shoqet n’ shtiqe t’ vshtira:
Sí, perzèt, ty t’raftë e mira!
T’ raftë e mira si t’ká rá,
Bjeshkë e vrrî qi m’ ké shkelqá! 35
A din shka moj gerxhelí,
Mori rrezja nper frangí:
Se mue kripit m’ i rá bora,
Se kah m’ lên âsht kamba e dora,
Se edhè as vonë, tham, s’ ká me shkue,
N’ jetë pertej un pa u kalue, 40
Prej kah s’ lânë kend me u kthye dalë…
Pra ndîgjoma ktû nji fjalë:
Lêni sod, moj Shtozovallet,
Lêni flutrat t’ marrin zallet,
Lêni sutat t’ marrin malet: 45
Shporru vjollcash edhe lilash,
Shporru gurrash e çurrilash:
Se, perzèt, kshtû, moj petritë,
Tuj m’ u lá, tuj m’ u flladitë,
Herë nper hanë e herë nper dritë, 50
Drue po m’ ngrîhesh akull – ó
Drue po fikë mue e vedin – ó;
Edhe lshoú prej Dukagjinit,
Kû m’ a shkon të cemtët e dimnit
Neper biga e zgavrra blinit, 55
E fluturim neper ajrí,
Si njaj hylli qi shkëndí
Shkrepë prej mramjet neper eter,
Behma ktû n’ket lissus t’ vjetr,
Kû, larg zhurmet e poteret, 60
Dola edh’ un n’ket buzë Prandveret,
Per me kndue m’ Lahutë t’ Malcís,
Se si u end fati i Shqypnis,
Kúr pshtoi kthetrave t’ Shkjenís
E duel zgjedhet të Turkís: 65
Perendija si e kisht’ shkrue:
E zojë m’ vedi edhe u ndertue,
Mbas sa gjakut qi pat dkue.
Pse kaq njerzit po i’n të kqí,
Sa qi askund m’ ket shekull t’ zí 70
Pá shkue gjaku ví e ví,
Nuk po gzohej, jo, lirí.
Prandaj sod tý t’ kjosha falë!
Morì e Mira rritë në halë,
Dèr në Lissus ti me m’ dalë, 75
Per me m’vû kangen per fille,
E tue m’ ndritë menden me kshille,
E tue m’ majtë mbrenda hullís
Së burrnís e t’ bujarís,
T’bâjsh qi fjala: e butë herherë 80
Si njaj flladi në Prandverë:
Tash e fortë, e rrebtë dermuese,
Si duhija shungulluese:
T’m’ rrjedhë e marë e kund pa neje,
Qi t’ rysë mendt, zemrat t’theje, 85
T’i reshë gjinden kah e mara,
Fén e Atdhén t’i lvisë perpara.
Pse, po m’u end kanga per s’ marit,
Vonë e vonë fisi i Shqyptarit,
Manà tý ká me t’ urue, 90
Bjeshkë e vrrî me t’u lulzue,
Si don vetë moti me t’shkue:
Kangë nper hanë e kangë nper dritë.
Se edhe as ktû s’ké me u merzitë:
Me u merzitë, jo, cok nuk ké, 95
Ke në fllad t’ ksajë stine s’ ré,
N’ jetë natyra tue shperthye,
Këtû gjên shka t’ kande tý:
Vezullime e xhixhillime,
Gurgullime edhe blerime, 100
Me lugina e me kodrina,
Me ledina e me rudina,
Hije, kroje edhè çurrila,
Dejka, mjellme e n’ shtek kojrila,
Vjollca, lila e karajfila, 105
Drandofille në bubuqe,
Flutra t’ larme e mollakuqe:
Kndo bylbylat nper filiza
Këcè dhijzit neper driza
Tue blegrua kingjat nper mriza: 110
Endë hardhija m’ qeperiza,
Lulzon pjeshka e zerdelja,
Me u shêjë matet m’gem qershija;
Bleron bungu e bleron vidhi;
Shtatorr fiku kokrrat lidhi; 115
Njethet plepi bregut t’ Drinit
Rahá t’ mirë ep lulja e blinit,
Kerset fyell e zanamare,
Ushtojn hijes kangë shqyptare:
Qiella kalter, toka blerë 120
Njeti dimen ktû Prandverë:
Njimend stinë per Orë e Zana,
Me prî vallet, tue ndritë hana,
Mal e m’ mal, rudinë m’ rudinë,
Jo qi ktû në ket krahinë, 125
Kû nper molla gêmeholla,
Kû nper male e mriza hale,
E nper zalle e nper hamalle
Shum po i kisht’ do Shtozovalle
Shoqe t’ ua, qi po kndojshin: 130
Qi po kndojshin e lodrojshin,
Larg e larg m’i u ndî jehona,
Bâne bén, si kah Valbona;
Se ky vend, se mahet n’ mend,
Po kisht’kênun nji dervend: 135
Nji log zânash m’ nám e n’zâ,
Kû vigâ e katallâ:
Edhè n’ kohë para se Iliri
Vend ktû zû Arbnori i biri:
Na i’ n ndeshë, na i’n shkelveshë, 140
Dikúr heret m’ dhâmë tu’ u shkye,
Mâ vonë s’ largu tuj u msý
Kush me zhgjetë, kush me baètë,
Njani m’ mzdrak, tjetri m’ çomak,
E me lata, e me supata, 145
Me tagana e pushkë të gjata;
Edhè rán shakull per dhé,
Kush per Atme e kush per Fé.
Njani cub, tjetri dishmuer,
Kush gjaksuer, kush simahur. 150
Jo, po, ktû edhè ké me pâ,
Ké me pá, po, njat kalá,
Qi, m’ nji koder titanike
Ngrefë mbi ledhe cyklopike,
Per trí mij e kusúr vjet 155
T’ u kercnue ndêi, si shauret,
Mbí ç’ do forca kundershtare,
Qi me mende grabitçare
Deshten ksajt me kalue ván.
Ké me ndî edhé si kján 160
Vala e Drinit prap n’ ditë t’ sotit
Per urë vorrit t’ Gjergj Kastrijotit,
Shpata e t’ cillit dikúr motit,
Vezulloi m’ hasem t’ Shqypnís,
Si ajo rrfeja e Perendís. 165
Pse dikúr ktû edhè Berdyli
Me gjak hasmesh dhén kertyli;
E ajo Teuta mbretëneshë,
Vashë ilire sokoleshë,
Qi nuk dijte se shka â tuta: 170
Si ajo Shqypja skepekurrta,
Lshote hovin mbí Rromakë,
Pá dhimë Adrjen tue pergjakë;
Prap Kliniku ktû e Pleurati,
Hila, Agroni e Genci i ngrati 175
Kan jetue ktû e kan lulzue,
Mirë a keq atà tue psue;
Kush tue mbetë, kush tue fitue.
Se ktej Gali ka kalue,
Ktej Rromaku, po, âsht pershkue, 180
Sllav e Turq ket truell t’ bekue
Me agor t’ vet e kan mnerue.
Prandej n’mbramje tue rá hana
Mlidhen tubë Orë edhè Zâna,
Edhè kapen dora dora: 185
Dora dora, bardhë si bora:
Ambel zânin tue dredhue,
Nisin vallen me këndue,
Tash si t’ Parët na pa’n luftue,
Atà Ilirt e kohës s’ kalue: 190
Tash idhtë fatin tue lotue
T’ ksajë së mjeres moj Shqypní:
Se si u pshtuell e mjera n’ zí,
Mbasi Turku mbrendë pat hî:
Turku, shplaka e randë e zotit: 195
Per mbas deket t’Gjergj Kastrjotit.
E jehojn male edhè zalle
N’ato kangë e n’ ato valle.
Pra, po t’ kapi tý merzija,
A se t’ lodhen kangët e mija: 200
Se pa tý, besa moj Zanë,
Vshtirë se ‘i fjalë un mûj m’ e thanë:
Fjalë qi t’ jetë n’ gojë per t’ u zanë:
Ti, po, del naten nper hanë
A nper zheg si t’kape zusha, 205
E n’daç malit, n’ daç kah fusha
Bâhe bashkë me shoqe t’ ueja,
Edhé atý, at herë, ti thueje,
Kangës e valles sa t’ keshë n’ krye,
Doradoras tue këcye, 210
Gjithsesi të kandet tý.
Por po deshte ti ndojhera
Me ndjekë suta, e gjaeje tjera,
Me ato shoqe ti, po, del
Nper Molung a se nper Vel; 215
Se atjè gjêni drêj e derra,
Molla, urtyta e mandaferra;
Mjaltë nder zgavrra, e gurra t’ ngrîjta;
Mrize t’ flladta e hije t’ rîjta,
Me blegrime e me çokana, 220
Qi tý aq fort po t’ i kisht’ anda.
Veç se shka, moj qifteli,
Me t’ a vû due ‘i porosi,
Per kúr t’ dilni ju më Vel.
Kúr të dilni ju në Vel, 225
Per t’ a hasë kini nji shpellë,
N’anë prej Rrêje, t’ errtë e t’ kthellë,
Me nji grykë porsi nji furrë,
Prej së cilles rrjedhë nji gurrë,
Sa me blue, po nji mullî: 230
Atý mbrendë ti mos me hî!
Asi uj’, jo, atý me pí!
Pse n’ at shpellë qaj Lleshi i Zi,
Nji i Gjomarkaj, Kefalí:
Vesh e m’ vesh mustaku i tí: 235
Nji natë gjamt e vetimet:
Me u dridhë toka prej bumllimet:
T’ rrebtë kulshedren paska msý,
Edhè m’ qafë i a ká merthye
Nji parë dana e t’ gjata e t’ randa, 240
Mirë nen allkë aj tue i ngujue,
Qi per t’ gjallë me u shkapullue
Mos të mûjtte, edhè e branisë
Poshtë nper shpellë n’ do ujë të kthellë:
Edhè sod ndîhen tue krisë 245
Ato dana, sa herë t’ luej
Shta’n kulshedra neper ujë;
Ke i kan mbetun ato dana
Vjerrë per qafë, porsi çokana
N’qafë t’ nji skjapit brynatak. 250
Prandej shpesh rrjedhë gurra gjak:
Si shum kushi qi e ká pá:
Perè danat, m’ qafë tu’ e vrá,
S’ i a lân varren me u perthá,
Qi i a çeli Lleshi i Zí, 255
Kúr i u turr nper at duhí.
Asì uj’ ti, jo, me pí!
Por as n’ shpellë, jo, mbrendë me hî;
Pse atý sod, permbrenda shpellës,
Dájn orok Shtrigat e Kthellës 260
Me ato Shtrigat e Mirditës,
E me atò t’ Zhubës e t’ Selitës,
Kurdoherë duen me u bashkue,
Ndoj déll ujkut per t’ fergue,
Qi me bâ ndokand gjytrým; 265
A me zí ndoj gjellë nper tým,
Per të lye me tê ndoj shpí,
Qi me i lshue dam e morí
Sí nder rob, si nder bagtí:
Mos me lânë me rritun fmí, 270
Tuj u ngranë zemrë e mushkní.
Kurrsesi ti mbrendë me hî;
Persè gjallë k’in me t’perpî.
E po bâni e t’ kcej dalldí
Bregut detit me u baritë, 275
Per me u lá, per me u flladitë,
Per n’mos daç kaluer me shkue
M’bedeví, qi kem’ n’ katue:
Bishtalec kripin trimnue:
Janë pulbardhat neper Drî, 280
Bardh si bora n’ Haramí,
M’ shpinë ndonjanes ke me i kcye…
Por, aman tý t’ kjosha true,
Per qafë t’sajë mirë me u shterngue…
Se ti jé nji rreze drite, 285
S’ të ká randë pulbardha tý;
E mbi tê mandej vozite
Rrjedhes s’Drinit dér në dét.
Kúr të dalish n’ atê dét,
Atý bregut ké me pá 290
Floçka e Kshteza ndêjë n’ shullâ,
Tuj u krefë, tuj u bubitë,
Shoqja shoqen tue ngallitë
Turr e vrap nper ranë të hjedhne:
Shkaterr flokësh, rizat e zhdredhne, 295
Kmishat kapë me trîza t’ derdhne.
Se ato janë grá të detit,
Qi, si ushujzat e breshkujzat,
Po jetojshin n’ ujë e m’ tokë,
E po flitshin si tue krrokë, 300
Si tue krrokë, si tue gervallë.
Por me pasë per t’ i zânë gjallë
E me i mbajtë te shpija niri,
Me folë shqyp zêjshin mâ s’ miri.
Se nji djalë, fisit t’ Kelmendit, 305
Djalë i pushkës edhè i kuvendit,
Si dishmí bajn gjindja e vendit
Nji kso Floçkash paska zânë,
Edhè n’ shpí e paska çue:
Kû ‘i herë shqyp atê e ká msue, 310
Mandej marrë e ká per grue,
Me tê bashkë kunorë tue vû.
Edhè u bâka shpijanike,
Tue rritë fmí, tue u majtë fisnike.
Me xhubletë e me shtjellak, 315
Si t’ gjith shoqet n’ at bajrak.
Veç se shka binín e sajë
Létas nieri mund t’ a dajë:
Ke i kan sýt si picigiatë
Edhè flasin per pá u matë; 320
Porsì me branisë zhamella
Ndokund malit neper shpella.
Veç se shka, moj ti belholla;
Ti belholla, rritë nder molla
Ktû edhè ‘i punë due me t’ kallzue, 325
Qi kthelltë n’ shpírt ká me t’ galdue.
Ká do kohë, qi t’ bardhat zana:
Shtozovallet! qi nper thâna
T’ Elikonës prîjn kangë e valle
E pijn ujë n’ at Gurrë Kashtalle: 330
Kan lânë bjeshkë e vrrîje e zalle
Të Grekís e dalë n’ Shqypní,
Kû, n’ gjûhë shqype – bukurí!
Herë tue folë, herë tue këndue,
Kan rysë gjinden me feksue: 335
Se Shqyptari s’ âsht gabel,
S’ âsht shkerbé pjellun n’ zabel,
Mos me pasë aj fis e Atdhé,
Veç me shkelë m’ tê Turq e Shkjé:
Jashtë Shqypnijet se Osmanllija 340
Duhej dbue: se vetë Shqypnija
Duhej qitë ajo zojë m’ vedi:
M’ tê mos me sundue kurr Mbreti
I Stambollës e se të huejët
Do t’ shkojn gjûhen tuj e ruejtë 345
Pîjt nder dhâmë, per kto punët t’ ona.
Edhè kshtû, njitash n’ e vona,
Nisë Shqyptarët kan me mendue
Per punë t’ veta, e shqyp me shkrue:
Shqyp me shkrue, po, e shqyp me msue 350
Neper shkolla; e pse të holla
Mendt po i ki’n, e kryet jo shtamë,
Kta per fije janë vû n’ lamë
T’ ditunís e t’gjytetnís:
E medjè, sod prej Turkís 355
Janë tue lypë autonomín:
Se per ndryshe, thonë, lirín
Me armë n’ dorë do t’ a fitojn:
Nen kambë t’ huej gjallë mâ s’ rrogojn.
Tashti, un, moj sý – qershí: 360
Besa, po: fort mirë e dij,
Se ty t’ kandet me kerkue
Mriz e m’ mriz e krue më krue:
M’ shoqe t’ ua me u takue,
Bashkë me folë, bashkë me ligjrue, 365
Me u njitë valle e me këndue:
Me këndue, po, e me lodrue,
Si mot t’ keq qi kurr nuk m’ké:
Prandverë m’Shnjergj e prandverë m’Shndré!
Ani pra, moj rrezagí, 370
Morì rrezja nper frangí,
Po të kapi tý dalldí
Per shoqní e leverdâ:
– Eh ! po, i mjeri, shka me bâ?
Kshtû po i kishe ti do mend: 375
Mos me t’ zanë kurr vendi vend:
Sod nji send, nser nji send—
Del e merr ti fushë e shpat,
Vel, m’ Kodhel, e m’ Krye – Bushat:
M’ Krye – Busha – pllamë e dukat, 380
Edhè kapu m’ Rozafat,
M’ at kalá t’ Shkoders mizore:
Ndera e nami i tokës arbnore;
Persè atý Zanat i ké,
Pre’ Elikonet bartë n’ ket dhé, 385
Si të bâjë hana me dalë,
Nisin vallet palë e palë
Me ato Motrat e shqypëtare,
Tue rá fýell e zanamare.
Atý njitu edhe ti valle, 390
E pa dert kund e halle,
tue lodrue ti, e tue këcye,
Thueja kangës gjith sa t’ keshë n’ krye.
Veç se prap ti ktu me kthye;
Perse kanga, endë pa tý, 395
Ajo âsht váj e tyne nder sý.
Edhè kshtu, nper hanë nper dritë
Tuj u argtue, s’ ké me u merzitë;
E tý moti ká me t’ shkue
Si don vetë, e pa u kujtue. 400
Qe Lahuta, vjerrë n’ sergjí.
Eja pra, moj sý – qershí,
Moj bel – holla, rritë nder molla,
Edhè kangën m’ a fillo:
E un këndo, mbande’, e ti kndo, 405
Si kndo zogu i veres – o!