Gjaku i marrun

Fort gjimue kan bjeshkë e male,
Fort shungllue kan prroje e zalle,
Prroje e zalle edhè livadhe,
Kur piskatë ká Zana e Madhe,
Zana e Madhe e Vizitorit: 5
Ushtoi bjeshka e Durmitorit !
Larg piskamen paska ndie
Ora thepe e Malit t’ Zi,
N’Durmitor qi m’ a ká, shkina,
Bigen nalt mbrendë nder do stina, 10
Tanë lëmashk, tanë lerë e rrgallë:
Kû bîjtë hala m’ shkam të gjallë,
Hellë, ngallitë, thue po do qiellen
Me pershkuem, e mbí të cillen
Çilë sýzhgjeta shqype zogat, 15
Ku edhè sutat kerkojn llogat,
E as Shnaprendjet s’ dêhet bora.
Piskamen ká ndie, po, Ora
N’Durmitor, edhè sa ndora
N’ tingell zânin njoftë e ká: 20
Njoftë e ká, mirë m’tê i ká râ,
Se Sýgrizha e Vizitorit,
Si njaj plajmi n’ muej t’ Brymorit,
Po i bijte ajo rrfé Shqypnís,
Per t’ grishë burrat e Malcís, 25
Me i rrâ ndihmë ushtrís shqyptare
N’at Nokshiq: ku tash batare
Pushkë e top rri tue vlue,
Gjylja e plumja tue vringllue,
Porsí breshni me murrâ. 30
Edhè kqyr at herë ç’ká bâ
Njekjo Ora malazeze,
Vetullreptë e ftyrkermeze,
Njanit sý si e vrangtë, po, shtriga;
Por e fortë, e idhtë si shlliga, 35
E e pabesë, gjithmonë belá,
Kurrkund halli mos m’ i u pá,
Kur po bâte mendsh ndojhera
Me u trenue: t’ u hodh si fjera
Porsa atý vigmen ká ndie 40
E kallë zêmrërat me mní,
T’ âsht lshue fluturim n’p'r ajrí
Kah Nokshiqi, drejt njâj mâje,
Shpatit s’ cilles, staje – staje
Derdhë nper çufrra e ndêtë mbas lakut, 45
Forca e urdivet t’ Karadakut
Urdhnin pritte t’ Mark Milanit,
Me u flakruem trimat rrfé
M’ llogje t’ grisuna t’ mejdanit
E me u vrá atà dhè me u pré 50
Me Shqyptarë, e n’ gjak me u lá:
Si gjithmonë Shqyptár è Shkjá
Janë lá n’ gjak, q’ se fati i zí
Flakë e agzot vûni per brî:
Vû per brî Shqypní e Mal t’ Zí ! 55
Manà, pra edhè fort dinake
Njekjo Ora karadake
Qi : kah m’ dron se nalt nen rê
Me pasë ajrit fletët me i ndê,
Do t’a shifte vetullholla 60
Zana e Madhe, rritë nder molla:
E se m’ shpinë kjo do t’ i shtrîhej,
Edhè me tê rrebtë do t’ grîhej,
Kudo ajo flutrim t’a ndeshte:
Jo nalt ajrit sypri kreshte 65
Malesh flatrat valvitë, shkina;
Por nper gryka e nper lugina
T’ grisuna, tanë karma e stina
T’ Malit t’Zi, tue flutrue
Plantë mbí lerë e rrgallë e prrue, 70
Urë per tokë rrashit tue shkue:
Si ‘i çapthîme dalë me gjue
Peshk n’ liqê, n’ ndo ‘i glinë hurdhë:
Tinzë kalon e disì shurdhë,
D’rt qi kapë â ajo dikúr 75
Mbí Nokshiq, ku per terthuer
Shpatit tej, si rê zhgjetuese,
Isht’perhapë ushtria sulmuese e
Malit t’Zí; e Mark Milanit
Ku, zentë mâje ‘i carani: 80
Si nji shqype e murrtë: n’ turbí
Kqyrte, trimi, si i’n tue u grî
Poshtë n’ Nokshiq Shqypatrë e Shkjé,
Me shosho’ in krenash t’ u pré,
Thue ti, po krasisnin landë. 85
Ora, at herë, hijen e randë
Marrë të Petar Njegoshi: motit
N’ at Cetinë, n’ at falme agzotit,
Kênë Vlladikë, mjekrren dý pllamë,
E qi larg edhè n’ ditë t’ sotit 90
Aj permendet rrokullís
Per njat Kezen e Malcís:
Kangë hynere, kangë me nám,
Shkrue me lot e thkndiell barotit:
Edhè avitë âsht Mark Milanit, 95
Kû po ‘i flet me ‘i fije zanit:
Ndigio, Mark ! Porsì stuhija
T’ a ká msý, manà, Malcija,
E fort drue, se tý Shqyptarët,
T’ idhtë si helmi, kan me t’ çartë 100
Sa, qi s’ dij a pshton me krye;
Edhè ushtrín kan me t’ a thye,
Po nuk lujte ti per s’ gjalli.
Ushtue ká, po, bjeshka e zalli,
Kan shunglluem rrgallë e lerë 105
Në kushtrim, qi âsht lshue kaherë
Malcís s’ Madhe e Dukagjinit,
M’ Qafë të Diellit n’ Breg të Drinit,
N’Pejë, n’ Gjakovë, Rekë e Rogovë:
Gjithkû â lulja e trimërís: 110
Shka â m’ shtatë vjet e m’ shtatdhetë vjet,
N’ ndihmë n’ Nokshiq me i vojtë ushtrís.
E t’ kan rrâ Shqyptarët n’ at zâ
Plak, i rí e kalamâ,
Kush n’xhurdî e kush në gunë, 115
Porsì miza nper kercunë;
E dér mbrama, pa marrë dielli,’
Tham, ktû t’a kan befë nji filli.
Shka pret mâ prandej nuk ké,
M’ Shqyptarë por sulmò ti rrfè, 120
Me sá ushtrí të keshë mbas veti,
Sa enè ktyne s’ u prispjeti
Ndihma e pritun. Kshtû tha Ora,
Edhè âsht zhdukë atý sa ndora.
Braf i a bâni Marku m’ kamë : 125
Lesht e krés ngrefun nji pllamë,
Porsì kreshtë derrit bugár,
E vetllat ngerthye kulár:
M’ kambë, sokola, t’ Karadakut!
Ká bulrue me ‘i zâ tarakut; 130
Perse ju: po n’ patët qillue
P’ r’ imend bijt e t’ Parvet t’ ue,
Qi s’ kan bartë kurr zgiedhë të huej,
Pagë e t’ dhetta s’ kan lá kujë;
Kurdoherë qi edhè n’ fjalë t’ Knjazit 135
Janë hjedhë n’ zjarm e n’shkulm t’ tallazit:
Ju, po, djelm tash fulikare
Me sulmue m’ ushtrí shqyptare,
E dér mbrama pá marrë dilli,
Me m’ a thye, e rob me zanë 140
Shka t’ pshtojë gjallë: edhè nji filli
Ju mandej neser me ngranë,
N’saje t’ t’Lumit Perendí,
Cilen n’ Plavë, dreken n’ Gusí:
Zamren n’ Hot e darken n’ Shkoder, 145
Mu n’ Kalá të Rozafatit,
Perbindsh mndere ngrefë m’ at koder;
Pse, shka merr Drinit per s’ t’ gjatit,
M’ Shkam të Pejës e kû rreh deti,
Atà né, me gisht e leter, 150
Na e kan falë Krajlat e Mbreti.
Prandaj sod nuk ká zot tjetr
Kjo Shqypní këtu e dér m’ Drî.
Per posë Knjazit t’ Malit t’Zi:
Knjaz Nikollës rriti, Zot, jeten! 155
Qi na e duen Krajla edhè Mbreten.
Per bukë të thatë jue cullt e grueja
Sod te shpija u rrín tue u ankue:
Qe Shqypnija; âsht tokë e juaja,
Mjaft qi t’ doni me e pushtue. 160
M’têni, burra, e mos e lshoni !
Token t’ uej sod t’ a pushtoni !
Grát e fmijn zijet shpëtoni !
Kshtu tha Marku. Bjen burija,
Trokllon lodra e rreh trompeta; 165
Mirë shtergohet m’ armë ushtrija,
Dá n’ taborre e çeta – çeta.
Prîjn Vojvodë e Kerkserdarë,
Krah – e – qafë kta pallat qorde,
Qi, kercnueshim ardhë kulár, 170
Is u vjeken si bollshorde.
Vendojn majesh Kapitanat
Ktej henikë, andej gopedra;
Ngrefin shpatit t’ randë havant
Perhapë grykash si kulshedra. 175
Mark Milani ká hypë atit:
Nji kál gjog sa voeja kryet,
Parzmen mal e qefull shtatit,
Vithet drejt, bishtin ngerthyet.
Edhè at herë: po, me at zhumhúr 180
Qi bâjn currat, shkepë s’ perpjeti,
Rrgalles hov kah lshohen, kúr
Termegshim t’ a trandë termeti
Token : turr urdija e Knjazit
Mbí Nokshiq ká msý s’ termali. 185
E si skllafat e tallazit
Dyndë, kah s’ epëri ‘i kep mali
Kulihum brishti m’ pellg t’ detit,
Shkumet bardh e lshue kurrnî,
Gallamrde kthelltë bunjetit 190
Bregut të njelmtë tue kaperdî,
Zhbîjn, rroposin shka t’ gjêjn para,
Tbana, gjind e gjâ të gjallë:
Njekshtû Shkjau – he atij i hupët fara!
U rras n’ luftë nper mal e záll. 195
Porsì zjarm kur t’marre shpija,
Fjollë nper hatlla tymi s’ pari
Deperton: e nper frangia,
Nper balkoj, si gjûhë ndezë zhari,
Ferfllon flaka: por kur t’shâmet 200
Mbrendë pullazi, nalt n’p ‘r ajrí
Flaka rrmen, e si hjedhë lâmet
Shkrepin shkndijat: shkulm i zí
Dyndet tymi nalt si rêja,
Ndersa mbrendë n’ at furrë gelqeret 205
Gurt pelsasin porsì kshtêja,
Shamen ledhet, sa qi mnderet
Jeta krejt me t’ u trishtue:
Gjindja edhè kah thrrasin, vrrasin,
Vrap shko e eja, kush per t’ shue 210
Zjárr, tjerët çaklat mos t’humasin:
Kshtû e pergjakshme lufta at hera
Erdh tue u ndezë, e t’ krisi brima,
T’ u dha vigma edhè potera,
Larg e larg ushtoi bumllima 215
Kah urdija e Mark Milanit
Sulmin lshoj m’ ushtrí shqyptare
N’flakë të pushkës, n’vetimë t’ taganit,
Topàt tue gjimue batare.
Amanèt, ti ‘or Llesh Nikë Daka: 220
Qi aq të madhe m’bâne ‘i bé
N’ urë t’ Sutjeskes mbí ato brraka,
Se nandë krena do t’ m’ kish’ pré,
Do t’m'kish marrë nandë krena m’ Shkjá:
Q’ se ké lé e dalë n’ ket jetë, 225
Mâ ngusht vedin a e ké pá ?
Alush Smajli po e pëvetë.
Hajt, Alush, Lleshi po i thotë;
Se ‘i Shqyptár, zêmer çeliku,
Aj veç ngusht bjen mbí ket botë, 230
Pa bukë n’ shpí kur t’ a gjêjë miku:
Kur t’ a ketë, po gruen divane,
Shpín n’ rrugë t’ madhe, dre’in kojshí,
Oren fjetë, pushken jallane,
Dorë të keqe mbrendë në shpí; 235
Se, per n’ luftë, manati i Zotit,
Porsì n’darsme e kujton vetin:
Mirë ushtrue në flakë t’ barotit
S’t'dron t’shtatë Krajlat, nuk t’dron Mbretin,
Jo mâ Knjazin. Na s’ kem’ dalë 240
Ktû me vjedhë as me plaçkitun;
Shkjaut por hovin me i a ndalë,
Vendit t’ onë larg tue e turitun.
Edhè grêthat n’ at birucë
Ki’n me ms^y si ‘i kalamâ 245
Si nji qind, n’ shkuen kta me i ngucë:
T’lshojë prá Shkjau kaq edhè mâ:
Sa gjithkû aj burrë e grue:
Se Shqypnín na nuk i a lshojm.
Vetë Moskovi m’ kambë me u çue, 250
Kapicë m’ krye nuk petullojm!
Llesh Nikë Daka, pelivani,
Burrë i urtë e flet arsye;
Paj n’ sa lot vendit carani,
N’ pellg të detit div shperthye, 255
Kur, dyndë mal, vala shkumuese
M’tê t’ plandoset fulikare,
Me fuqi të rrebtë, dermuese:
Aq t’ ká lujtë ushtria shqyptare
M’ sulm t’urdivet t’ Malit t’ Zi. 260
Veç t’ âsht ndezë, po, vendi flakë,
Veç t’ ká ndêjë pushka tue zí,
Gjaku i nierit rremej brrakë,
U dridh toka per nen kamë,
Kah janë ndeshë Shqyptarë e shkjé: 265
Kryet e tyne thue po âsht shtamë,
Per gjith treg me dalë me u blé!
Ç’t’ janë bâ lamsh, po neper plan,
Tue i a dhânë m’ hutë e m’ novicë,
Tue i a dhânë mndershim m’tagan 270
Kush në ksulë e kush n’ kapicë:
Njani ruju, tjetri mtruju,
Kush lshou vrap, kush ndiq per hap,
Aj perpjetë e ky tatpjetë,
Atà shaju këta çaju, 275
Këtej vritu pertej pritu:
Pritu, vritu idhshim nzitu,
Brit, gerthit e mbush e qit,
Koder m’ koder shoqit thrrit:
Thrrit, vërrit ah – ha – ha- há 280
Si atà mazat fushës tue ngá:
Dnes t’ varruemt, gjimo t’ gjymtuemt,
Turru, gurru, matu, shmatu,
Duku, thuku, struku, zhduku,
Aj pa vesh e ky pa fregull, 285
Neper karpa, cunga e bunga
N’ plûhen pshtjellë e n’ tym, qi njegull
Ndêhet ajrit shllunga – shllunga.
T’ dridhet kmisha m’ shtat, taganat,
Kah vezllojn ajrit per mnderë; 290
Idhtë kur vrrasin Kapitanat,
Thue lavë uqsh po ulron n’ Peshtér.
Fort perlyken si taroça,
Bajraktarët e Krenët shqyptarë!
Plasun gjylet plloça – plloça, 295
Lerës vringllojn e nper laskár;
E keq brima e bumbullima,
I âsht dhânë vendit per terthuer,
Kaq vërrima e shungullima,
E batarja me zhumhúr, 300
Sá qi topat n’ mes poteres
Disì shurdhë e thatë gersasin:
Si atà gurt në furrë t’ gelqeres
Vapet t’ zjarmit kah pelsasin.
Proh ti o Zot, por ç’t’ janë merthye 305
Dikû atje nalt mbí Nokshiq
Ç’t’ janë merthye, ç’t’ janë kaperthye
Hot e Grud e Vasoviq!
T’ dyja palët, po, trima n’ zâ.
Ka tri zêmra atà nen parsem: 310
Mâ se ‘i nanë, tham, ká me fshâ,
Mâ se ‘i çikë me u plakë pa darsem,
Edhè nusja pshtjellë në zí;
Kaq âsht dhânë atý piskama,
Kaq shum nigu âsht nçue n’p'r ajrí. 315
E nper nig flaka e rropama!
Qaj Çun Mula vrret per çudë,
Shallin dredhë, taganin në dorë:
Bini, Hot! e bini, Grudë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë! 320
Idhtë ç’ t’ â lshue Hoti si fjera,
Ç’ t’ âsht shpervjelë Gruda m’ tagan !
Vasoviqt ç’i mloí potera,
Fort gjimuan top e havan!
Nziten, njiten, kacafiten, 325
Keq dermishen, idhtë shkelvishen,
Lshohen, vriten, dbohen, priten,
Desin, mesin, prishen, çprishen
Gjithkû ndollë ká pika e djalit
Nder Shqyptarë edhè nder Shkjé, 330
Me i u dhimët lisave t’ malit,
Me i u dhimët gjarpnit nen dhé.
Lul Rapuka, ‘i arí shkorreti:
Nji kasap m’ âsht bâ mbí Shkjá!
Kah po siell Baca Lucë Deti, 335
Ç’ po bân shkinat n’ mal me kjá!
Por kur lshon Nikë Gjelosh Luli,
Trim me bré hekur me dhâmë,
Qafen trup, llanen sa shuli,
Dridhet toka per nen kâmë 340
Fort turfllon Gjeto Mark Ujka,
Kaq me idhnim qi trimi jep:
N’ sulme t’ Shkajut vendit s’ po luejka,
Me sa lot vendit nji krep!
Alush Smajli, i Hotit t’ Kûjit, 345
Sod mbí Shkjá m’ âsht çue lugat
Siell m’ tagan sa kû âsht tue muejtë,
Si po t’ xierte hûj nper shpat.
Lulash Nika, n’ krye t’ gajushit,
Gjithmonë Pashkë, gjithmonë Bajram, 350
Po i bân zâ Islam Makalushit:
Hajde, hajde , morè Islam.
Se so’ ‘i javë, po’n’ saje t’ Zotit
N’ at Cetin kemi me hî,
Me qitë rrojme e, si n’ Tuz motit 355
Prap me u toçë na me rakí:
Edhè Lùlashi si zhgjeta
Po merr turr e bjen mbí Shkjá:
Lshon Islami nepr çeta,
N’dorë tagani tue i shkelqá. 360
Meça Grishi, nji kulsheder,
Ç’ po m’i lshohet m’ shpinë Milloshit!
Nuk ká top, nuk ká gopedar,
Q’ i a ndalë hovin Lucë Gjeloshit.
Burrë i fortë Osman Haxhija, 365
Vojvodë n’ Bajrak t’ Nokshiqit:
Me do sý porsì duhija,
Musteqet si shllungë ogiqit:
Fort po rri trimi tue u zdatë,
Me atà Cucajt t’ Karadakut, 370
Qi me pushkë, tagan e shpatë,
T’ madh zijan apin Bajrakut.
M’ i ndihmon Sadri Mehmeti,
Bajraktari i fortë i Gashit,
Me Adem çelen djalë mbas veti, 375
Qi m’ bjen m’ Shkjá si m’mish të dashit.
Jakup Feri, ‘i Zog Skyferit,
Lshon me Plavë e me Gusí,
Shkulm si lshon çutrri Peshterit
Mbas nji shiu rá me stuhí 380
Shka ká thânë, Bac Patani,
Ardhun shtatit xhevrdare:
Pa ndigio, ‘or Rushman Hasani:
Se kta Zubeit – dalshin fare!
Per Tynzonë, po e çarsin Shkrelin, 385
Ke per plume dert s’ po kan
E askund kamben nuk po e ngelin:
A t’ i msýjm, Rusho, m’ tagan?
M’ kambë Rushmani çohet filli,
Si lugat dalun prej vorrit, 390
Rrfé taganin xier prej milli
E nper reshpe të Çakorrit:
Si ajo rêja e nji thellimit,
Qi u bjen qiellve tue vetue:
M’ Shkjá turr lshohet trimi i trimit, 395
N’dorë tagani tue vezllue
N’p'r ato rreshpe en’p'r ato rrmore:
Shum do t’ kndojë qyqja n’ Mal t’ Zí!
Per mbas tij Shkrel e Zagore,
N’ zâ per pushkë e dejlekí 400
Me atà Ducajt, Xhâj e Bzhetë,
T’ kan msý Zubcit fyt-a-fyt.
Dy Patâjt, shqype me fletë,
Çuli e Beci, zhyt- e- mbyt,
Se ç’ po i furen Shkjaut n’aradhe, 405
Idhtë m’ tagan kta tue i a dhânë.
Gjeto Staka, hidra e madhe,
Dhânun vezmeve m’nja’n anë:
Sì turfllon rosa n’ shirok,
Tue rrahë fletrat nepr Drî: 410
Po lshon trimi trok më trok,
Per me u pré me Mal të Zí.
Marash Vata, ‘i drang drangonit,
Shkon e vjen porsì duhija;
Nuk han bukë mâ as s’ pin ujë kronit, 415
Kushdo bje nder kthetra t’ tija.
Por Çakorri ndezë t’â zhari,
Mirë shpervjelë tash qi m’ tagan
Msýn Dodë Prêçi, Bajraktari,
Me Kastrat e Petrushan. 420
Kallzit grunit ktej e andej
Si lakohen, kur nper arë
Vrap t’ hikë derri, qi pertej
T’ a ketë gjuejtë nji pushkatár:
Frota e Shkjevet kshtû lakohet, 425
Kah Dodë Prêçi n’mes po u furet,
Gjeto Daka m’ ta kah lshohet,
Kah m’ tagan Voc Keqi puret:
E msýjn, breshen me shtergata,
Vetë Ivani, derë bujare, 430
Mark Ujkë Vata e Prêlë Ujkë Vata,
Si dý plume n’ xheverdare.
Veç kur rrân aj Marash Gjeka,
Me at Smajl Mal’n e Buzes s’ Ujit,
Thue nper Shkjá pa kalon Deka, 435
M’ kosë t’ i a dhânë sa â ajo tue mûjtë.
Vall, Kelmendi pse, thue, prâni
Pushken tash e mâ s’ po qet:
Tash qi msý ká Mark Milani,
Me sá urdí ká súnd të vet? 440
A mos lshoi pritat e hiku
Shì tash, qi m’ ushtrí shqyptare
Mâ kobshin randon rreziku,
Pushkë e top kah rreh batare?
S’ âsht, jo, fis, qi hikë Kelmendi: 445
Se atý djelmt i ké sokola
Se sa herë qi e qiti rendi,
Si ajo e lashta këndon shkrola,
Me luftue me Turk e Shkjá,
Nder t’ shtatë Krajlat nám la vetit: 450
Bâni shkinat idhtë me kjá,
Trazim t’ madh i qiti Mbretit;
Veç nji shkjá, Vuksa’ Lekë Drava:
Beter burrë, i madh sa ‘i trap,
Me do krye tanë rava rava 455
Varrësh s’tagani, edhè ‘i zdap
I gjatë, m’trá me i prekë, po, kryet,
Me ‘i mullâ, sa ‘i grusht, m’ nja’ n faqe,
Vetllat shllungë, me i zânë t’ dy sýt:
Pré n’ terzí dollamë e gaqe. 460
Si mâ i miri n’ Karadak:
Rubë të bardhë çue shêj per ndore;
N’ grusht taganin lá me gjak,
M’krah novicen vjerrë mizore,
Del m’nji pod e u thotë Kelmendit: 465
Ju, Kelmend, me shka flet bota
Po ishì t’ pushkës edhè t’ kuvendit:
Plot kotecat, shekat t’ plota:
A mos bâ ká nana ‘i djalë
N’ Bajrak t’ uej, djalë trim rrfé, 470
Qi mue ktu n’mejdan me m’dalë
E m’tagan burras me u pré?
Mê ká pushka. T’ flakron m’ kâmë
Qaj Prêlë Mema: sa per sý
Mos me pasë shka e thrret per n’ lâmë, 475
As per krushk, as n’luftë me msý,
Aq i hajm e çufrrak shtatit
Ardhë, e i thát si cung në záll:
Thue ti, po, aj farë maluketit
Shkjaut po e han nja dý herë gjallë. 480
Por ndollë Prêla m’ ká ‘i farë derrit,
Me trí zêmra e trim si Zana,
Mos me i hikë belás as sherrit,
Edhè i shkarthtë porsí zarana:
Ky i del para Shkjaut n’dervend. 485
Vuksa’ Leka fort ká qeshë:
Páshi Zotin, ‘or Kelmend,
Pse m’a qitët para ket teshë?
A mos doni m’e vendue
Me mue n’ rrogë, per t’m’ rujtë do lopë 490
N’Palabardhaj?… Mjaft po drue
Se m’i darë, orë – ligu, n’ shkjopë …
Perrçik burrë ky permbí dhé,
Pásha Sh’ Pjetrin e Cetinës,
S’ âsht i zoti as me m’a bré, 495
N’ gojë m’i a shtí gishtin e shllinës!
Shka ká thânë Prelë Mema i Vukel;
Ngul! Vuksan; pse ‘i tash si brâsh
T’ a kam hjedhë tý kryet nper çukel.
Edhè Prêla, permledhë lâsh, 500
T’ flakron m’Shkjá atý, e m’herë të parë
Kryet e tij sa nji karricë,
Tue e kundrue rreth Shkjé e Shqyptarë
I a hjedhë m’ tokë me gjith kapicë.
Si nji rrap i haptë me gêma, 505
Shkjau plandoset sa gjanë gjatë,
Tue i shkue gjaku rrêma rrêma,
Shalë e krahë aj tue luhatë.
Zên Prêlë Mema n’ shpotë me thânë:
Po a m’ thue Vuko, or samadak, 510
Sa rrogë n’ vjetë ti don me m’ dhânë,
Me t’ ruejtë lopët un n’ Karadak?…
Ah ! kadalë, moj Cerrnagore:
Se s’ké pá Shqyptarë me sý!
Se ktû i thonë Shqypní mizore, 515
Fort me t’ lânë, besë, besa, pa krye.
Se per dukë s’peshohet burri,
Veç per zêmer e trimní:
Se mbas hapit matet turri:
Fjala e lashtë duhet perdî. 520
Mark Milani kur ká pá
Vuksa’ Leken shyt per tokë,
Fort â idhnue,veç se s’ ká kjá,
E t’ká britë, disì tue krrokë:
Bini, qêna, bre!… Kû jini! 525
He domuza t’ kqí…. he zgieba!
Shka harû tash ju po rrini?!
Mtani! Pas vam nanu greba!
Po t’ ketë nisë n’ voter me u shue
Zjarmi, e buzmi ndê terthuer 530
T’rrijë tue çîzë e tym tue çue:
Zotishpís, zanë vend per urë
Voters, m’mâshna a m’ndo’i ûnë t’ zezë
Turrshim buzmin shkundullitë
N’ anë prej kah ky zû me u ndezë, 535
Tjera drû nen tê tue zvitë:
Shkrepin shkendijat n’ ajri flaurí
E pse m’ prush, aj frýn pa prâ,
Ferfllon flaka e me shpejtí
Ndezet zjarmi flakadâ: 540
Kshtû në vrrimë të Mark Milanit
T’ u kallë lufta flakë n’ dervend,
Kah lshojn turr si uq prej planit
Palabardhajt mbí Kelmend.
Lum per Tý, o Zot i Lum, 545
Fort – i trim Vllaho Serdari!
Se ç’ ká msý hallakatrum
N’ çetë të vet gjithmonë mâ i pari!
Shungullon Qafa lak e m’ lak,
Kah si bisha turret Vllahi: 550
N’ dorë taganin sýnin gjak,
T’ trashë mustakun porsá krahi,
Si dý rrfé, qi shkrepë njâjë rêje,
Pllojcë zhigasin hausit t’ qiellit,
Kshtû sulmue t’ kan t’ thuer njâjë dêje, 555
Gjoka i Vasës e Kiku i Mhillit.
Kiku i Mhillit, derë jetike,
Burrë i pushkës edhè i taganit,
M’ki’ pa’ ndollë me at çetë fisnike,
Qi, mbas Mirko Kapitanit, 560
N’ at Stolac, n’ Hercegovinë,
Vrau Smajl Agen e Çengiqit:
Ndersa ky, frymen qelbsinë,
Shpirtin lesh, si lkurë iriqit,
Kishte dalë me mledhë haraçin 565
Neper rajë, e njânin m’ shkop
Rrah e mbyt: tjetrit kerbaçin
Njeshja ftyrës e varë m’ konop:
Shnjerzo çika e turpno nana,
Si e kndon kanga gjatë e gjatë 570
Shka ká thânë vall, Tverrdko Stana:
Hallallë, nanë e hallallë, tatë!
Se, manà, me ç’ m’ duket mue,
Vshtirë se kthej un mâ n’ at dhé:
N’ shtek të vshtirë po kam qillue: 575
Me ksi trimash kurr s’ jam pré!
Udri, Tvrdko, Bog te ubijo!
Me nji zâ sa ká n’gabzherr,
Mbrapa i vret Vukotiq Mijo,
Kah lshon turrin nper nji djerr. 580
Rakiq Pera, me trí zêmra,
Po bjen n’ luftë si nji kulsheder:
Se atij mbrapa si merr thêmra,
Me e gjuajtë m’top, me e gjuejtë m’gopeder.
Se edhè Pavlo Vuçetiqi 585
Manà, m’ kenka ‘i shpaté e gjallë !
Shum do krena Turqsh shperthiqi,
Kur me Turk lufta kje kallë.
Lshon Gjur Draga hallagrep,
Me do krye tanë gunga gunga: 590
Se m’ tagan trimi ç’ po i ep,
Thue kund rrahit po siell m’ cunga!
Qaj Turk Shabi thotë nji fjalë:
Ndihmo, Krisht, e ndihmo, Zojë,
Ç’ po msýn Shkjau suvalë suvalë, 595
Pushken n’ dorë, taganin n’ gojë.
Shka po ulron krés s’ nji cabokut,
Si harusha n’ at bjeshkë t’ Krrabit?
Trimi i trimit Mashi i Cokut
Po i lshon zâ njati Turk Shabit: 600
M’ kambë, Turk Shabi, derr i derrit!
Se nám t’zí Shkjau m’né po bân!
S’ na bân kryet mâ as sa ‘i krye berrit,
Po s’ i a thyem hovin m’ tagan.
Lshon Turk Shabi porsí fjera; 605
Msýn Muç Hasi si duhija;
Kaq t’ âsht dhânë zhurma e potera
Edhè ushtue t’ ká Metohija,
Kah lshon turrin Mêmi i Smailit
Me at Prêlë Mirin krah per krah: 610
Gurgullon gjaku rrkajë poshtë malit,
Shakull gjindja bijn per rrah!
Ujë kovaçi pse taganit
Të Pr6elë Mirit dhânë m’i ki’te
Me helm t’ shlligës e tamth t’ luanit 615
Fjalët tue i thanë qi aj veç por dijte.
Paj ky Prêla, manà t’ Zotit,
N’ at mollë Shkodre nder Parì
Javë per javë, ç’do javë t’motmotit,
Ká ‘i krye Shkjaut çote dhantí. 620
Dedë Ivani: Raznajsh s’vendit,
Qi, në zâ per gojë e gisht,
Shkapercete vrap nji rendit
Tre kual rresht, lidhë bisht në bisht:
Turr ka’â lshue trimi mbí Shkjá, 625
Ora thepe e Karadakut
Prej gazepit nisë me kjá,
Rrkajë volísh tue i shkue lot gjakut;
Mirë ke e diejte, manà, shkina,
Se kû hovin shperthen Deda, 630
Atý krenat nper ledina
Rrokullisen reda reda,
Qaj Gjokë Marku e qaj Djalë Miri
Sa herë sjellin me tagana,
N’ Karadak fiket ka’ i qiri, 635
N’zí pështjellen njaq do nana.
Mashi i Cokut, sýn sa kau,
Kur merr turrin per me lshue,
Se ç’ perpushet atý Shkjau,
Si ajo shlliga n’ zjarm vallue. 640
Vigmat, krismat e poteret
Shungullon Qafa e Çakorrit,
tmershim po gjimojn humneret,
Ushton bjeshka e Pernjavorit.
Kur, qe, s’ epëri po lshohet 645
Nji taborr Bijocash s’rí:
Si làpurat poshtë hudhrohet
Rreshmja boret në malsí.
Trima t’çartun, hajna, cuba,
T’idhtë si helm ruejtë n’ gastare: 650
Si atà skrapthat nper kaçuba:
N’ luftë t’ janë hjedhun fulikare.
Porsì kur në flakadâ
T’ hjedhë bariu ‘i vandak dullîja,
Krepaton flaka pa prâ, 655
Shkrepin shkendijat mija mija:
Kshtû t’ u ndez lufta atý zhari,
Kur tue lvitë e tue uluruem
Turr Bijòcasit pik s’ pari
Msýn m’ Shqyptarë porsi t’ terbuem. 660
Jo, po, besa, more probe,
Veç n’ ardhsh vetë ti e t’ shifsh me sý
E të ndiejsh me veshë; se, tobe!
Ne din gjûha me shperblye,
Sa me t’ madhe nji uturimë 665
Janë perlám Shqyptár e Shkjá,
Tash qi, breshen me vetimë,
Bijócasit n’ luftë kan rá.
Vrrimet t’ kobshme, m’ nja perzí
S’ fshamesh s’mbetunavet shitue, 670
Edhè hajke, n’ brohorí
Qi bâjn trimat m’luftë tue lshue,
Kthelltë, mjerueshim t’ tingllon veshi,
tmeret të perqethët t’ bjen shtatit;
trandet rrahi edhe bushnjeshi, 675
Topat kah gjimojn nalt shpatit.
Se kahdo qi sýni t’ pritet,
M’ mal a m’ fushë, a m’ shpat a m’lak,
Ké per t’ pám, ofshé ! si pliret
Anë e kand vendi në gjak. 680
Atje lshue Shqyptarët rrfé,
Si zanát luften qi e kan,
Vû t’ kan para nji çetë Shkjé,
Lehtë tue i ndjekun nepr plan.
Trima Shkjét e mâ se guri 685
T’fortë, kan dyndë kah Kumurasha,
Shqyptarët pritet. e nper zhuri
M’ shpinë po u lshohen si harusha.
Atý – ktû por mâ perkrejti
Njanes lagje ke s’ po i del 690
Me thye tjetren ndermjet veti
Mberthye gjindja kacagjel:
Mbrapa kamba kah s’ i rrshet
Kujë, veç ndiqen rreth e okolla,
çeta çetés rreth po i permveshet, 695
Si kulaç qi mlidhet bolla:
A si vala e drinit, kúr
T’dêhet bora, shkulm tue rrmye
E bardh shkumet, me zhumhúr
M’kamba t’ urës t’vîjë shul me u thye: 700
Gallamarde qi tue vlue,
Per rreth vedit rrëmèn gjiri,
Rozafati kthelltë tue ushtue,
Friget m’ kambë me ngujue nieri
Edhè kshtu tue u kacafitun 705
Shoq me shoq, e me tagana
Krahësh e krahesh tue u krastitun,
Idhshem tue u shemtuem m’shejshana,
Atà ndêjen, dér qi dita
Shtekut t’vet në t’ sosun mrrîni, 710
Edhè muzgu, si u muer drita,
T’ zezë pelhuren dheut i a shtrîni.
Prani pushka e topi lakut,
Shukë âsht zani, e i eshtim vorrit
Dhén perlau; nper hurdha gjakut 715
Veç t’ varrumit terthuer Çakorrit
Atý – ktû tue lvitë rrshanë:
Si ato rrajzat n’ pleh: trishtueshim
Fshâjn, gjimojn, kush shpírt tue dhânë,
Kush per ndihmë tue thirrë mjerueshim. 720
Nderkaq era edhe ká mê.
Qi kisht’ frý diten dá,
E merthye si isht’ qiella n’rê,
Shiu me rrshekë i a nisë me rá.
Kúr qe nisë muzgut nper shí 725
Ushtrís s’ onë ndihma me i ardhë,
Çeta çeta e vija e ví,
Sí ato ulkojat neper mardhë.
Me ushtrí t’ vet lshue vrap Prêlë Tuli
Prej Sutjesket i a prispjeti. 730
Kulmit t’ kreshtës trimi edhè dueli,
Per nen t’ cillen ndermjet veti
I’n grî at ditë, si tue qitë adra,
Hot e Grud e Vasoviq:
Preu n’ tagana, thue janë badra. 735
Gjueju m’ plumbe, si m’ guriq.
Si ‘i kulsheder, nder Elbnishta
I a ká befë Malsija e Madhe;
Asht kapë Reka te Kuqishta
Kokrra kokrra e arradhe arradhe. 740
Dukagjini. porsi rrfeja.
Ká kalue Qafen e Diellit;
Has e Nikaj kah Meteja
Me Mertúr i a mrrîjn nji fillit.
Si bjen breshni hova hova 745
E thán djersët e katundarit,
Kshtû t’ kan rá Shtrelci e Rugova
Ka’ ajo Mokra e Shekullarit.
Rrâ Postrripa kah Gradina,
Zûni pritat per urë bregut; 750
Nguli Shllaku kah Marina,
Mveshë janë Gjâjt Majes s’ Lejlekut:
Zana e Madhe gjithsì e mira
U ká prî nper at terrinë,
Kê ngujo nder shtiqe t’vshtira, 755
Njanin m’ shpat, tjetrin m’ ledinë.
Edhè Shkjaut rrethin i a qiten
Anekend, si mbrendë nder dana,
E me t’zì tue pritë i’n driten,
Per t’ a msý m’pushkë e m’ tagana. 760
Vojtun sogjet rend mbas rendi.
Mark Milani kan diftue,
Si n’Shqyptarë merthye isht’ krejt vendi,
Si edhè ushtrija isht’ mbetë rrethue.
Mark Milani dredhë mustakun: 765
Fort ká rá trimi n’ kujtim,
E as s’ i del me hjekë mendsh Plakun,
Qi e pat pá n’ nadje n’ vegim…
Si âsht mendue ashtû ‘i herë me veti,
Ç’e ká hanger buzen m’ dhamë! 770
Se edhe ftyra fort i treti!
Ká marrë trimi e âsht çue në kamë;
E si shpatit nji barí:
Kúr ndoj gjedh a dhen a dhí,
Tufat dá e m’ kullosë hutue, 775
N’ mbramjet nuk i kthen n’ katue
Ase n’ vathë: poshtë e perpjeta
Nper zabele e nper shkorrata
Shkon e vjen, e nper ograja,
Kahdo qi t’a mbajë uzdaja, 780
Se do t’ hasë m’ bagtí të tretun:
Marku kshtû fillikat vetun,
Ngerthye vetllat shllungë n’ mes t’ ballit!
Thekatueshim po i bjen malit
Neper terr e shí me rrshekë 785
M’ nja tue rá, aj per me u pjekë
Me qat Mirkon Kapidanin,
T’ cillit ndî i a kishin zanin
Krali i Namses edhè Mbreti;
E mbasì dikúr e gjeti, 790
Ká marrë trimi e kshtû po i thotë:
Se, per Zotin, Kapidan,
Q’ se kam lé e rá m’ ket botë,
S’ dij se ngelë kam mâ n’zalldan
Se n’ ket natë. Neve Shqyptarët 795
Çark na bâkan. Fort kam frigë,
Se né ushtrín kan me na çart”r;
Pse edhè ‘i natë kjo âsht fort e ligë:
Si thue hallin i a bâ?
Besa, pra, shka t’ tham s’ po dij, 800
I a kthen Mirkja si nen zâ;
Veç, q’ se dalë kemi n’ ushtrí
Edhè n’ luftë kem’ rá n’ kto vende,
Jo n’ e Marte: si qi motit
Ká kênë doke: por n’e Prende, 805
Zêmra keq, manati i Zotit,
Kaq m’ ká ndî, sa s’ thohet dot,
E as s’ dij se kû kem’ me dalë.
Por pse ngaeja s’ âsht ktu kot
Me ndêjë na tue tjerrun fjelë, 810
Kish’ me thânë, lum Komandari,
Si ashtû mendja mue m’ a pret,
Se t’ del puna mâ per s’ mari:
Shi njitash, nper shkurre e mret
E tue rrahë shiu e shtergata, 815
Ushtrín m’ e lshue bregut t’ Limit;
Qi nper terr e pa u sosë nata,
Me u rrqasë tinzi, e para agimit,
Urë pa urë e trap pa trap,
Fíll me dalë n’ at Qafë Marinë; 820
E mandej, tue u lshue ne vrap,
Me marrë rrugen per Cetinë.
Se per ndryshe, mana t’ Zotit,
Né tash po na hupë ushtrija.
M’ shpinë Shqyptarët e ket farë motit 825
S’ dahna shndosh, tham, lum zotnija.
Marku at herë urdhen ká dhânë,
Mirë ushtrija me u dyndë vendit,
E poshtë malit per m’ at anë
Me u ndê Limit rend mbas rendit. 830
Kthye nderkaq pergjysmë ká nata,
Edhè Shêjzat ki’n prendue;
Mê ká shiu edhè shtergata,
P’r ‘i herë gjama edhè âsht ndalue.
Kur, qe, ‘i rê, si pezhgvja zí. 835
Niset fíll prej Dormitorit,
Qi, tue i rá qillës me furí,
Vjen e nd6ehet kreshtës s’ Çakorrit.
M’ Çakorr r6eja si ká dalë,
Lum e lum per t’ Madhin Zot! 840
Qi s’ kem’kënë e na ká falë!
Se ç’ká shkrefë stý nji mot,
Se ç’t'i a dha flaka e vetima,
Se ç’t'i a dha krizma edhè gjama:
Ç’ t’ i a dha ushtima e bumbullima, 845
shungullima edhè rropama!
Flakë per flakë, po, e kurr pa dá
Shkrepte rrfeja kryq terthuer,
Aha e brej bjeshkve tue çá,
E harmote me zhumhúr 850
Kepash s’ eper t’ gristat karpa:
Pod e m’pod qi, poshtë rrmorevet
Tue balcue e shperdha m’ shperdha,
Kulihum turr gorromiseshin
N’ gurrní t’ prrojevet shkumuese. 855
E t’u shkref atý ‘i stuhí
Erësh s’perzijta, shungulluese,
Rriba e s’ cilles, me furí
Kah pershkohej bjeshkés e vrrinit,
Shkulte bungat qindvjeçare, 860
Si me shkulë ndoj kallm purrinit;
E si kênë t’ ishin bazhgare,
Duhmja e dyndte, e me uturimë
T’ perfrigueshme, i shakullote
Nder humnere. Nji zhaurrimë 865
E pa preme bjeshkve ushtote;
Kthelltë termegshim buluritte
Toka, e lkundej shrregull; kreshta
E Çakorrit flakë zharritte,
Edhè duhmet e rrfésh s’ shpeshta, 870
Njizet pash, po, u sham, e ngeli
Shyt, porsì nji kyç Gojanit
E u perzhit per rreth zabeli
N’ Koprivnik e m’bjeshkë t’ Trojanit:
Gjithkû kjenë prozhme e dushkanjé, 875
Hije, pyje e megje t’ dáme.
E nji nig e nji tymtajë,
Era surfull, e ‘i zhigame,
Nji zhaurrinë, nji suzhë e ‘i vapë:
Sa qi shkulm ká nisë me vlue 880
Liqeni i Plavës, e nalt mbí kapë
T’ Zeletinit, tue vetue
E pa dá tue shkrepë rrfeja,
Merr zjarm ashta, e flakadâ 885
Ndezet pylla kah Meteja.
N’at thellim, po, e n’ at tufâ
Qiella e toka ashtû perzí,
Kishte thânë, se rruzullimi
N’flaurí e n’ leskra po shkatrrohet,
Edhè n’ Kaos t’pa skáj shqimi 890
Po sodomet e dermohet.
Per mbas malit per në qiell
Hylli i Dritës si vezulloi,
U shuk plajmi e moti u kthiell,
Si cirkë voese n’ perivoj. 895
Veç se bjeshkët, po, kthelltë ushtojshin,
Brraka, çutrra, prroje e shé
Gallamarde ka’ u dikojshin
Neper rrash, tanë shkumë e dhé.
Amet Limi kishte dalë 900
E askund lânë nuk kishte vá:
Si mjerë kush qi nper at valë
T’ jetë ngushtue sod kambë me rá…
At herë Drita tuj ague,
Mark Milani, trimi i trimit, 905
Mirë ushtrín në kambë ká çue,
Edhè prî i ká per urë të Limit:
Kû, ashtu shurdhë e kush pa e ndî,
tue rrahë dromin me t’ mdhej hapa,
Do m’e qitë shndosh në Mal t’ Zí, 910
Topa e nozull lânë permbrapa.
Veç se uren mjeshtri motit
T’ngushtë e drunit lshue e kisht’ pasë:
Kshtu qi frigë kam manà t’ Zotit,
Mos t’a lshojë Markun ndoj drrasë… 915
Po isht’ Shqypnija ‘i vend belá,
Kû s’bân kryet mâ shtrêjt se ‘i shtamë:
Vshtirë se Marku ká me u dá,
Pa i u njitë ndoj ferrë m’ dollamë.
Pse edhè, qe, tej n’ at báll ure 920
Vend Rrogòvasit kan zanë,
Menden qi m’ a ki’n kubure:
Zog mbí urë me flutrue s’ lânë.
Prandej m’ urë kúr mrrini ushtrija,
Ç’ ushtoi Mokrra e Shekullarit, 925
Larg gjimue ç’ ká Metohija,
Ç’ t’ âsht tremë kali i Komandarit,
Kaq zû pushka atý me zí,
Kaq zû plumja me fishkllue;
Si njaj breshni me duhí: 930
Malazest per dhé tue i shtrue.
Flakë per flakë ushtria shqyptare,
Rreth e çark shtrî Markut m’ shpinë
T’i a ká vû pushken batare
Shpat e m’ shpat, luginë m’ luginë. 935
Priten n’ báll e Limin dét,
Prej Shqyptarësh futë mbrenda ‘i rreti,
Kah t’ i a mbajë, tash, Marku i shkretë ?
Ç’ do t’mendojë, vall, vetmeveti ?
Me qindrue, si e ká zanát, 940
Qe shka Marku ká nder mend.
N’ Mal të Zí luftojn ‘edhè grát
Per lirí, per fé e per vend:
Jo s’qindron nji Mark Milani,
Derë bujare gjet me gjet, 945
Larg n’Europë qi i ká vojtë zani,
E i druen sherrin Krajl e Mbret.
Mark Milani, kur ká pá,
Se isht’ rrethue n’ mjet uj’t e shpatit,
Ç’âsht berlykë atý si ká, 950
Tue britë t’ madhe mâje atit:
M’ kambë, sokola t’ Malit t’ Zí,
Me çilë shtek per Karadak !
M’ tani, djelm, ju me furí,
T’ rrjedhë sod Limi shkumë e gjak ! 955
Edhè at herë, si ‘i gropë gelqere
Atý vendi t’ u ndez zhari;
Vojti krisma dér m’ pelqere,
Ka’ u perlanë Shkjau e Shqyptari.
E papreme ‘i shungullimë 960
Ishte mali, ka’ashtû zijte,
Vlote pushka, e me vërrimë
Të shituemve ajo u perzijte.
Edhè Shkjau, ashtû tue msý,
Pa kqyrë shtek pa kqyrë handek, 965
Bukur nalt aj erdh e u shtý:
Sa, medjè, shum herë u rrek,
Me shperthye neper ushtrí
E me u nisun kah Cetina.
Ora thepe e Malit t’Zí 970
Shum gajret po u epte, shkina,
Malazezve e mirë po i msote.
Shtîju i rí, herë shtîju plak:
Gjithnji sulmin u a drejtote
Qandra e jonë kû bâte lak. 975
Zâna e Madhe atê e ká pá:
E ká pá, ‘dhè njoftë e ká:
Sýnin kurr nuk i a ká dá,
Edhè e Mira, n’shllungë tue u strukun
Të nji rêje, âsht bâ e pa dukun; 980
Edhè pritte qi t’ i vîjte
Per nen hov e m’ shpinë t’ i bijte,
Me tê bashkë t’ u kacafitte,
Edhe shkinen mos t’a lîjte:
Mirë nder kthetra atê shterngue: 985
Malazezve me u ndihmue
N’ at shtek t’vshtirë. Kúr, qe, flutrim,
Tue u ra qiellve nper agim
Ora shkinë vjen e pershkohet
Zhgjetë perpara Zanës. Ç’ tí lshohet 990
Fulikare Zana m’ shpinë:
Si njaj orli – gjeraçinë
Lshon m’bollshorde, si t’két pá,
Se don zogjt n’çerdhe m’ i a ngá.
Kúr ká pá njajosývrangta 995
Ora thepe e Dormitorit,
Si ashtû rrfé po i shtrîhej mbrapa
Zana e Madhe e Vizitorit,
Se ç’ká nisë ajo me dredhë
Poshtë perpjetë, kryq e terthuer: 1000
Herë n’ nji rê, herë n’tjetren struku,
Tash mbas malit tash mbas suket:
Rrash per tokë herë rrahi flatrat,
Prap pingul flutro perpjeta,
Veç si t’ mûjë soje me pshtue. 1005
Por, si pá ká ajo, se vrap
Zanes s’ Madhe s’mund t’ i hike,
Asht sjellë shtriga e fyt – a- fyt
Me Zanen atý âsht perlá:
Sa per kshtû, isht’ kênë trimneshë, 1010
Edhè, besa, fort belá,
E pa qander nuk po lidhej:
Me sa âsht lidhë ajo ndoj hrë
Q’se zanë vend kâ n’ Karadak.
Grykë per grykë e flok per flok 1015
Ore e Zana ashtû perlá,
Ç’t’ janë dermishë shoqe me shoqe!
M’ dhâmë e m’ thoj se ç’t'janë lvryë!
Ç’po u shkon gjaku rrkajë nper ftyrë!
Fluturim neper ajrí, 1020
Idhtë n’ mjet vedit kaperthye,
Haju, shaju me mëní,
Vrrit, piskat sa kurr ki’n n’krye:
Fort po u ndiqshin e u perpiqshin
Po u shkelvitshin e u llomitshin, 1025
Herë dér m’rê tue zgjatun shtatin,
Herë tue hî sì xhixhilloja;
Tash nper tokë, porsì dý bolla,
Shkarrafendu: mbandej shrregull
Prap nper ajr kacrrue n’ mjet vedit, 1030
Porsì verës dy pilivoesa,
Kúr shoqe me shoqe hahen:
Siell e bje ato njana tjetres,
Me nji pezm, me nji mëní,
Mendt e krés me t’pasë merzí; 1035
Veç kurrnjanes nuk po i del
Me u ngrefë m’ shoqe kacagjel.
Por se, qe, neper ajrí,
Dikû andej prej Fushës s’Iballes,
Vîjn dý Shtriga, hypë m’dý breshka: 1040
Njena Sutë, tjetra Pasutë.
Ishin breshkat, breshka detit,
Aq të mdhaja, sa ‘i samar;
Ishin Shtrigat si dy grreça
Kjumshtit hjedhë nen çarranik: 1045
Koc e lkurë e t’kthyeme kuk,
Si dy drapna ngulë nder hatlla;
Veç se t’idhta e gazepqare
Kurrkund halli mos m’i u pá:
Qi nder shtatë Bajrakët e Pukës 1050
Lânë nuk ki’n me u shndoshë varrë pushke,
Me gjith hudra, pê e gershanë
Mbí t’ varruemin pezull vjerrë;
Nuk lanë fmij me u rritë per s’mari;
Garravâxh bânë djelmt e rí, 1055
Nuseve edhè lshoju zvercen:
Bâni, qyqet, si çapini!
Shtatë pash punët bâni mbí dhé,
E hupi shtatë pash nen dhé:
Si — Zo’, ruena! — puna e tyne. 1060
Kto i’n kênë nisë per n’nji log Shtrigash
Dika’ andej n’Kotorre t’ Reja,
E zanë Drita i paska shtekut,
Ke hutue ki’n kênë te shpija,
Tuj u lye, po, me do gjallë 1065
Vetë e breshkat, qi të mûjshin
Pezull ajrit me u pershkue.
Ajrit Shtrigat tue kalue
Breshkave kaluer mbí shpinë,
Kúr kan rá drejt Metohís 1070
E per ag t’kuqlimtë të Dritës
Kan soditë, si Ora shkinë
Edhè Zana e Shqyptaris
Fyt – a – fyt ishin perlá:
Ftyrës e parsmes krejt n’ gjak lá, 1075
Fort ka’ ipshin m’dhâmë e m’kthetra:
Kryet breshkave andej kan reshë,
Ato rrole Shtriga t’ vjetra;
Edhè lshue t’janë m’Oren shkinë,
Porsì kênë t’ki’n dý kulshedra, 1080
Njana, po, mâ e idhtë se tjetra.
T’i u hodh Suta per mbas shpinet
Edhè flokve ajo i a njiti:
Arrçit kryet gati i a qiti,
Kah i a ngrifte pa farë dhimet, 1085
Si me shkulë kund lî Zadrimet.
Ftyrës Pasuta si kusija,
Me ‘i dhâm n’gojë ngerthye si capë,
Ajrit flokët lshue leqe leqe
E ardhë shtatit si ‘i ngaskeqe, 1090
N’ thoj i a njet me njanen dorë,
Mu m’gerglâc, m’nja tue u mundue
Me i a zanun frymen njak:
Nsa me tjetren, si m’gerhanë,
Nisë ká trupin me i lmuer 1095
Poshtë perpjetë, kryq e terthuer,
Me do thoj të mreftë si sorrë,
Per mâ t’madhin, mor’, gazep.
Ora shkinë se fort po ep
Fort po ep, qyqja, e ç’po vrret, 1100
Se edhè shtjelmat shum po i qet!
Veç se kot; pse Zana e Madhe,
Me njat Suten Pasuten,
Ashtû pezull nper ajrí,
T’a kan çue dér m’ Vizitor 1105
Shi te vorri i s’ mjeres Tringë,
Edhè lidhë t’ akan per blî:
Qi ato Orët e bjeshkës s’ Trojanit
Prej nji mrizit të Muç Hasit
Bartë e paten m’ Vizitor, 1110
E qi, t’Lumet, edhè e ngulen
Tre pash n’dhé n’krye t’vorrit t’Tringës.
Mbasì e lidhen per at blî,
Ká marrë Zana e kthen n’Nokshiq,
Kû po grîheshin n’mjet vedit 1115
Malazez edhè Shqyptarë.
Atý, at herë, Suta e Pasuta
T’a kan kapë ka’i gjarpen n’dorë:
Shlligë të gjallë, tanë helm e vnér:
E me ta t’kan hî me e rrafë 1120
T’mjeren Orë të Karadakut,
Per pa kqyrë, mor’probja i êm,
Se kû i djegë as se kû i dhêm.
Lshue m’tê breshkat si t’terbueme,
M’dhamë i a grizshin misht e shtatit 1125
Per gazep. Gerthitte Ora
M’kupë të qiellës, sa gjithkû mûjte,
Tue i dhânë shtait per me pshtue.
Ah! kadalë, eh pitigonë!
Zên Pasuta si tue e shá; 1130
Se s’të lshoj, jo per Tynzonë!
Shtatin n’gjak krejt pa t’a lá.
Hider, bre! Ti me i ndihmue
Mark Milanit t’birit t’shkinës,
Qi Shqypnín aj rreth m’e shtrue 1135
Per nen kambë t’Knajzit t’Cetinës…
Po a kujton, morì gabele,
Se Shqyptarët kan dalun fare,
Qi me ardhë Knjazi, me ‘i kál zhele,
Per t’sunduem mbí tokë shqyptare? 1140
Edhè at herë, me at shlligë në dorë,
Siell e bjeri, tanë maraz;
Brit, gerthit e ngrata Orë,
Si macë Frorit mbí pullaz.
Ora shkinë e Durmitorit 1145
Mbasì lidhë kje ajo per blî,
Lidhë prej Zanet t’Vizitorit:
Njat ushtrín e Malit t’Zí
E lshoj zêmra gjithunjí,
E muer hiken. Fulikare 1150
I u shtrî m’shpinë ushtria shqyptare,
Me nji brimë qi me t’ shurdhue:
Kê tue vrá, kê tue shitue,
Dikê krejt tue shkurtue:
Tjerët në Lim vojtë e sharrue, 1155
Trí taborre Mark Milanit
Hupë i kan n’at log mejdanit,
Treqind krena edhè i kjenë pré,
Rob janë zanun treqind Shkjé!
Zana e Madhe ç’po lumnon; 1160
Kep më kep po fluturon;
Ká marrë kangen e po kendon;
Po këndon m’kep t’Vizitorit,
Larg me u ndî m’ Boka t’Kotorrit:
A t’kam thânë, ‘or’Knjaz Nikolla, 1165
Se un, dér sande pa pa marré dielli,
Tringen do t’a kish’ pague:
Treqind krena un tue t’i pré,
Treqind rob un tue t’i zanun,
Trí mij çika e nuse t’reja 1170
Para kohës tue t’i lânë veja:
Me kjá ato, po, si gjith qyqet
Nper kasolla t’Karadakut,
Si ato bubat pshtjellë në zí?
Po m’a pvet njat Mark Milanin, 1175
E aj, po, ty ká me t’kallxue,
Ká me t’dhânë t’zín zihariq,
Se sa ushtrija t’met n’Nokshiq:
Oren çuet se e ká Shqyptari,
Qi Shqyptár vedit i thotë: 1180
Se atje lufta ndezet zhari,
Breshen krenat bijn per tokë,
Kúr t’i mbushet mendja e vet
Me qindrue p’r Atdhé e Mbret.