Pater Gjoni

Ç’ po vrret Zâna e Miliskaut:
Ah ! shue kjoftë kjo fara e Shkjaut,
Qi, qse ra m’ Ballkan mâ s’ parit,
Vardisë âsht fisit t’ Shqyptarit,
E pa gjygj pa ndo ‘i arrsye 5
M’ tokë e m’ gjâ per ditë me i grrye,
M’ pushkë e m’ top edhè tue e msy,
Nuk e la me çue kurr krye,
S’ e la drité me pa me sy.
E as të keqen s’ i a ká dá: 10
Marë Shqypnin në gjak ká lá !
Jo, po, Shkjau âsht njaj lugat,
Qi herë s’ laegut, herë per ngiat;
Rrin e gjuen pesha m’ Shqyptarë,
Mos me i lânë me u sjellë kurr marë: 15
Gjallë me i bâ me hi nen dhé,
Me pêng shtruet me dorë më bá,
Vên Shqyptarët gúr e kufi
Per me dijtë se kû se kû âsht Shqypni,
Kû Serbi, kû Mal i Zi: 20
Çohet Shkjau e gurt u a lot,
Thue ‘imend aj m’ Shqypni âsht zot.
Duen Shqyptarët pûnen me kapë ?
Ngrifet Shkjau pûnen u a prapë,
E u a zjerrë tregun prej dore, 25
E u a mêrr gjaksit me ndore;
E i pabesë edhé mizuer,
Ftyren zymtë, synin terthuer,
Tjeter n’ mend s’ shkon tue perblue,
Veç Shqyptarët aj si me i shue: 30
Si atê Zoti e pasët marrue.
N’ tokë, e n’ gjâ, e n’ djalë, e n’ grue:
Hângert vedin, Zot, me dhamë !
Hik, moj Zânë, mos t’ rrijm tue namë,
Pse kjo nama isht’ arma e t’ ligut, 35
E s’ i a trêmte sy’ n anmikut,
Veç se e bâte ajo me qeshë
N’ mos me qeshë, po, me u ngerdheshë.
S’ e mûn luften, besa, nama,
As s’ e mûn, jo, vaji er gjama, 40
Dokrrat thá tue perpushë n’ hi;
Por nji zêmer plot trimni,
Por nji pushkë me barot t’ zi,
Por dishiri per liri,
E nji besë e fortë çelikut, 45
Mos me u thye kjo m’ ballë t’ rrezikut,
Mos me u ligë n’ sy t’ metalikut:
Si e kan pasë besen Shqyptaët;
Qi s’ lanë hasem per pa çartë
‘Kur kta, lidhë me besë të Zotit, 50
N’ ato kohët e gjergj Kastriotit
Bijshin n’ luftë per atme e Fé,
Kû me Turk e kû me Shkjé.
Pêsqind vjet, po, kan kalue,
Se pa zot na kem’ k6enë lshue 55
E qi ndihmë pa pasë prej kuej
Gjithmonë gri jem’ me gjind t’ huej.
Me gjith kta, prap gjallë, se gjallë:
Zhyt e myt e del në zàll;
Shumkush gojen, po, e pat hapë 60
Kin’ Shqyptarët aj me i perçapë
Me i perçapë e me i perpi,
Krejt me i hupë me gjith Shqypni;
Por kurrkush s’ mujt me i perdi.
Nuk perdihet, jo, Shqyptari, 65
Me sa gaca ndezun zhari !
S’ do t’ mujë me i perdi pra, as shkjau,
T’ ketë ky bryna, si ká kau.
Po ti as ndien moj Shto – Zot – Vallet !
Si gjimojn prrojet e zallet, 70
Kah Shqyptarët jânë t’ u perlá
Fyt – a – fyt n’ Sutjeskë me Shkjá ?
Flutro i herë, moj sy – qershi,
Edhe del m’ at Harami,
Per me pà ti e per me ndí 75
Si luftohet në Shqypni
Per Atdhé, po, e per liri.
Jo, po sod, besa, moj Zanë,
N’at Sutjeskë kishe me thânë,
Se shum gjak prap ká me u bâ: 80
Pushka e topi enè s’ ka prâ.
Shmangë jânë, po, Shqyptarët rrâzë bjeshkës
Malazezt janë rrasë Sutjeskës,
Kû po djegin stane e shpija:
Por, me keq s’ merret Shqypnija. 85
S’ merr Shqypnin kush cak më cak,
Pllamë per pllamë per pá e lá n’ gjak !
Ke ç ‘ do mal aty â ‘i kalá,
Ke ç’ do burrë aty â ‘i luâ,
Qi msyn vetun njiqind vetë, 90
N’ mos me i mârrë, po, per me metë;
Persé jeta pá liri
Per Shqyptarë po isht’ mort i zi:
Mâ mirë dekë se në robni,
Edhe kqyr, moj hajmalí 95
Moj bel – holla rritë nder gurra,
Kqyr nji herë ti njata burra,
Qi Vermoshit tue kalue
Ashtû hapin kan shpejtue,
A dro jânë krushq e darsmorë, 100
Nisë per nuse me kunorë ?
Jo, prá, s’ jânë krushq as dasmorë,
Nisë per nuse me kunorë:
Ata janë do Lekë t’ Malcis,
Qi n’ kushtrim të Pashës s’ Gucís 105
Prej Vishnjevet na janë çue
N’ at Sutjeskë n’ luftë me u flakrue,
Per me dekë, a per me pshtue,
Si prej Zotit t’ jetë gjikue,
Gjallë Shqypnin por mos m’ e lshue. 110
Veç ti a e njef njat guna – zi,
Qi me at çetë burrash perzi,
Pllojcë litarin lidhë per i,
Kamben zdathë, kryqin në gji,
E herë mbrapa me vogjli, 115
Herë perpara me Krén t’ vendit,
Hapin thekë ká atij dervendit ?
Aj âsht, Zânë, Frati i Kelmendit,
Pater Gjoni qujtun êmnit
Qi, per krah me famulli, 120
Asht tue dalë aj vetë n’ ushtri;
Si detyrë qi e ka ‘i bari,
Grigjes s’ vet kurr mos m’ i u dá
N’asnji shtek e n’ asnji vá,
Neper t’ cill’ n Ora t’ a qesë: 125
Bashkë me tê me kndue e me dnesë !
Ky, po, kur kushtrimi u lshue,
N’ kishë t’ Vishnjevës kisht’ pasë qillue,
Tue thânë Meshë, tue predikue,
Tue rrfye gjinden, tue kungue; 130
Se Vishnjevë e Gjenoviq
At ditë festë lutshin me miq;
Edhè n’ kohë t’ cilave t’ mdhá
Shkue në kishë ki’ n burra e grá:
Famulli e miqasi: 135
Lá e ndrrue e mirë kandritë,
Tue këndue e pushkë tue qitë,
Si âsht zanati i njasajë ditë.
Kur, qe Mesha at herë tue krye,
Dikush vrret sa ká n’ krye, 140
Mbi Vishnjevë, m’ nji curr të zi:
Kushtrim, djalë, ka nji per shpi
N’ at Sutjeskë me dalë n’ ushtri
Se âsht kah rraset shkjau n’ Gucí !
Edhè shprazë nji pushkë p’ r ajrí. 145
Aty trimat m’ kambë janë çue,
Kan rrokë armët e janë bashkue,
Shoq me shoq kan kuvendue:
Si t’ i a bâjm e tek t’ i a bâjm ?
A të shkojm a mos të shkojm ? 150
Se, per Zotin, lavdi i Zotit !
Zên e thotë Uc Gjoka i Hotit,
Me nji zâ porsi tue pallë,
Edhe kshtû s’ po jet kush gjallë
Né ket t’ mjeren moj Malcí, 155
Tuj u vrá me Mal të Zi,
Herë per dam, herë per hajni,
Kû per shtek, kû per kufi:
Me tê vritu në Kerrnicë,
Me tê griju n’ Podgoricë, 160
Preju n’ Shpûzë, preju n’ Pllanicë,
Sod n’ Guci neser n’ Pervi:
Na shkoi moti si â mâ zi.
Fyt – a – fyt me Shkjá t’ u pré,
Si per s’ tepermi t’ ki’ m lé. 165
Prandej, burra, un kish’ me thânë,
Se kjo pûnë per sod do lânë.
Sod po e kä Turku me Shkjá:
Lpijshin kryet e xjerrshin syt !
A dro shtrêjt i kemi blé ?… 170
T’ i hajë dreqi Turq e Shkjé !
Jo, po, ti Uco, mirë po flet,
Vocerr Prêçi po i a pret.
Se të vritna na me Shkjá,
A dro hajr kemi per t’ pá ? 175
Na n’ robni se në robni,
N’ robni t’ Turkut s’ ká mâ zi,
Qi né giûnin na ma m’ bark,
E na repë lkuren pa çark:
T’ repë e t’ zdeshë e s’ t’ lên me kjá: 180
Gjithmonë sherr, gjithmonë belá.
Mirë, mor burra thotë Curr Ula.
Por, si m’ dán neshtrasha mue,
Thom se Turku ká marue,
Edhé giatë, thom, s’ ká me shkue 185
E tash del kund ndo ‘i sy – çark
Qi atij shtjelmat i a vên m’ bark
E t’ a hjedhë kryepicingul
Jo mâ kndej se në Mosul.
Mjesa Shkjau, po bâni e hîni 190
Në Shqypni, burra, t’ a dini,
Se aj ktij vendi mâ nuk del:
Se né ‘i herë na vên m’ çengel:
Se kush pshtue t’ i ketë çengelit,
Po t’ a çon mù m’ shkallë t’ gabelit 195
Ke s’ do t’ ketë fis as Atdhé
E as s’ do t’ ketë aj nji pllamë dhé,
Per me pasë kû me u vorrue,
Eshtnat s’ dekni me i pushue…
Vocerr Deda si t’ u tallë: 200
Prit, gomár, sa t’ dale bár…
Pêsqind vjet kan shkue me rend
Se na t’ kshtênët bâjm pallë me mend:
Sod shkon Turku, mot shkon Turku:
I âsht grisë xhoka, i âsht shtjerrë qurku. 205
Po, por Turku, Turk se Turk,
E me xhokë, besa, e me qurk,
Aj po t’ rri ktû mrendë terfurk:
Bár e ço me kosha e trina,
Bjeri t’ kshtênit sa i ha shpina. 210
Prandej mirë, thom un, na del
NË ket punë mos me u kapë tel;
Por miqsi edhè Famulli
Tash nji herë me shkue në shpi
E me shtrue petlla e rakí 215
Ndo ‘i ferlik prap me shkatrrue,
Mbasi festë po ká qillue:
E mandej tash bisedojm
Se a të shkojm a mos të shkojm,
M’ e lânë kryet per Turk e Shkjá: 220
Kohë per t’ dekë, gjithmonë, tham, ká.
Pater Gjoni, at herë, t’ këcej,
Dejt e ballit ngrefë si hej:
Po a ‘i mend burrat e Malcis;
Nami e ndera e t’ gjith Shqypnis, 225
Qi, kur rá u ká me qindrue,
Boten marë kan mrekullue,
Si ata luâjt, bre ! tue luftue:
Vendin Shkjaut kan per t’ i a lshue,
Pa pushkë t’ shtime e ndêjë harû ?… 230
Babat t’ uej. po. m’ at kufi,
Kû sod Knjazi i Malit t’ Zi
Shperthye paska. thonë, me ushtri,
Babat t’ uej, burra të dheut,
Njimend nipa t’ Skenderbeut. 235
Aty vendin n’ gjak kan lá,
Bâ aty i kan shkinat me kjá;
Edhè vetë trimat kanë metë:
Kan metë trimat rrahit t’ shkretë,
Pa kênë kjá pa kênë vajtue, 240
Me ngranë m’ ta sorrë e falkue,
Gjallë por vendin s’ e kan lshue;
Ndersa sod, oh vajmedèt !
M’ eshtna t’ tyne Shkjau po shklet,
E t’ u hjedhë e t’ u perhjedhë 245
Porsi atá mazat nper lamë,
Per pa u hi kund ferrë në kâmë,
Kush pa i ndjekë, kurrkush pa i namë,
Po t’ i rrasen mrendë Gucís,
Po t’ i furen mrendë Malís 250
E askund hovin per pa e ndalë,
M’ kalá t’ Shkoders kan me t’ dalë,
Shqypnis êmnin me ja shue,
Shkjá Shqyptarin m’ e shartue,
Kanû e besë këtij me i ndrrue, 255
M’ krye kapicen me i a vû.
Ke sod Lekët na kan ngurrue;
Edhè n’ vend qi n’ luftë me rrâ
Plak, i ri e kalamâ,
Hovin Knjazit per m’ i a ndalë 260
Vendit t’ vet kta zot me i dalë,
Neper shpija duen me u tallë,
Shtri m’ njân bri, duhan tue pi
Mendt te miku e te ferliku.
Mendt te lodra e m’ shêj nder kodra, 265
Si me u tallë, si me u gervallë,
Si me i pri vallet te logu,
Si me dajtë mâ n’ shêj se shoku:
Thue gjâ e tyne s’ âsht Malcija,
Vend i huej, thue, âsht Shqyptarija, 270
E se vllá s’ janë turku e i kshtêni
Kahdo shqyp flitet ktij vendi !
Ah ! mos t’ kish’ kryq e konop
Por të kish’ pushkë edhè top
Se un, po, vetë , po ‘i Frat, pá fjalë, 275
Sod n’ ushtri do t’ kishte dalë.
E të mjeren moj Shqypni,
E kercnuen moj Malci
Lshue nuk do t’ i kish’ pa qander.
E pra krushk nuk jam as dhander, 280
S’ kam per t’ majtë as bir as bi,
Menden t’ kthielltë, fjalen duhi,
Kahdo t’ shkoj e bâj Shqypni;
Por pse s’ due qi Shkjau mizuer
T’ na vêjë shpoten aj dikur 285
E të thotë kryq e terthuer.
Se kur rob u bâ Malcija.
Se kur shtrue kje. ofshè ! Shqypnija,
Me thânë shum, nji Lekë s’ kje gjetë,
Per ta ‘i pushkë me shprazë perpjetë, 290
Por shka t’ bâj ? pse as Frati s’ vret;
Veç me i nâmë a ká kush m’ pret ?…
Kam me i nâmë, pra, nemos tjeter;
Me i mallkue pa qiri e leter,
Veç me lot të syve t’ mi: 295
Lot me gjak e vnér perzi.
Fill po dal, po, m’ at kep bjeshke
Edhé sjellun prej sutjeske
Po t’ i shuej me arë, me farë,
Po t’ i shuej me bjeshkë, me vrri, 300
Po t’ i shuej me dhên, me dhi,
E me rob e me robi,
Plak e t’ rij, e grue e fmi,
Tatë e bir e vllá edhè moter:
S’po t’ i u lâ, jo, carâ m’ voter. 305
Kshtû tha Frati. e m’ kâmbë u çue,
Shpervjelë zhgunin e u shterngue,
E me ‘i djalë, qi aj vetë kish’ msue
N’ Meshë te Kisha me i ndihmue,
Me kndue leter e me shkrue, 310
Fill po mêrr shpatin perpjetë,
Thue se kâmbve u ka vû fletë.
Kur kan pá Lekët e Malcis,
Se Sherbtori i Perendis
Fill ká mârrë rrugen kah bjeshka, 315
Per me dalun ke Sutjeska
E m’ i a lshue aj Shkjaut at nâmë,
Se ç’ janë dyndë trimat në kâmë,
Se edhè toka ç’ kà mârrë gjâmë,
Kah janë lshue mbas gjurmve t’ Fratit, 320
Si atà luâjt – o t’ u njitë shpatit.
Kû vè, Pater – o ! thotë Turk Shabi;
Se pá né s’ t’punon ty hapi:
Ty pá né, po, e né pá ty;
Na jem’ krye, e ti jé sy: 325
Kah t’ na thuejsh, na kem” me msy:
Kah t’ na prijsh na ké mbas vetit,
N’ flakë të zjarmit, n’ ujë të detit,
M’ askjer t’ Knjazit, m’ askjer t’ Mbretit;
Mjaft qi e lirë t’ na jesë Malcija 330
Mjaft qi n’ dritë t’ na dalë Shqypnija,
Edhè feja të forcohet,
Besa doret mos të lshohet.
Faqebardhë mori Malci,
I a dredhë Frati me njerzí, 335
Se manà, në ket Shqypni
S’ t’ a del kush, jo me trimni,
Me trimni edhe bujari.
Veç shka burra, vetë e dini:
Pse zanàt luften e kini: 340
Se, madjè, ky nieri i shkretë
Mundet n’ luftë edhè me matë;
Luftë as darsempa mish s’ ká:
Elé mâ lufta me Shkjá,
Ke per sherr trim ka qillue 345
E rrâjn n’ luftë, po, burrë e grue:
Prandejpara se t’ fillohi,
Bini m’ giûj tash e pendohi
Per shka Zotit keni fye,
Q’ se mârrë kini mend e arrsye, 350
Edhè un mkatet kam m’ u a shlye,
Per pa pasë nevojë me i rrfye
Sod per sod; pse lufta s’ pret:
M’armë kushtrimi po na thrret:
Vllazent t’ onë i kem’ n’ siklet ! 355
Aty trimat m’ giûj janë ulë,
Kan zhdredhë shall, kan hjekun ksulë
Edhè rá Zotit n’ pendim,
Pre’ atij t’ Lumit n’ at blerim
Urë – pervûjtë kan lypë perdlim. 360
Frati, at herë, çue syt prej qiellit,
Shpnesa nierit prej ka’ i kthiellet,
Nisë uraten me prunji:
O ti i Lumi Perendi,
Ki mishrir, deh ! per kta t’ mjerë, 365
Qi ty fye t’ kan mâ se ‘i herë:
Pse n’ ket jetë, hiri e pa hiri,
Shtatë herë n’ ditë fyen edhé i miri;
Por qi kurr shpinen s’ t’ a suellen,
As jashtë vathit t’ and nuk duelen. 370
Kan dalë vendit e kuvendit
Kan dalë gjâjet e sermâjet,
Jânë da gjindet e bashtinet,
Edhè mârrë kan mal e krep.
Kan shkue motin per gazep, 375
Dikû ngrânë, dikû pa ngrânë:
Mbretin m’shpinë e Knjazin m’ shpinë,
Rrêjtë prej Krajlash ‘dhè tradhtue:
He, atà e zeza m’ i pastë mlue !
Pa i diejtë jetës as shtek as vá, 380
Gjithkuej sherrin tuj i a pá:
Me gjithkta mohit s’ t’ kan rá
E as kurr lavdin s’ t’ a kan dá.
Ki mishrirë per ta, pra, o Zot !
E mos lên qi hasmi sot 385
T’ i bâjë dâm; por pshtoj rrezikut
E forcë epu kundra anmikut,
Qi po u rrin shqype mbi krye
E m’ çapoj, gjithmoné n’ gjak zhye,
S’ po i lên dritë me pa me sy. 390
Edhè aty, mbas ksajë urate,
U ká zgidhun faje e mkate.
Thânë, mande’ u ka nieri i Zotit:
M’ kâmbë tash, nipa të Kastrjotit,
Edhe bini n’ flakë t’ barotit, 395
Si Shqyptarët qi bijshin motit;
Pse e kem’ thye Shkján me ndihmë t’ Zotit !
Edhè trimat m’ kâmbë jânë çue,
Prej Sutjesket jânë fillue,
Jo tue hecë, por tue fluturue: 400
Pater Gjoni tue i trimnue,
Kâmbë per kâmbë me ta tue shkue.
Se ç’ po u shndrisin m’ krah martinat
Ç’ po u flakojn në brez calinat,
Xhixhë taganat ç’ po u xhixhllojn, 405
Udhës kah hapin po e shpejtojn,
Mos m’ e zânë trimat shosho’ jn:
Kaq qi atyne mrendë nen gji
Gjak e vnér bashkë u âsht perzi,
Kah dihasin me mëní, 410
Per me u ndeshë me Mal të Zi.
E kur rá kan terthuer shpatit,
Lulash Ndreu, xhakoni i Fratit,
Se edhé kangës aj ç’ i a ka thânë,
Tue këndue malit si Zânë: 415
Po na thonë se Malit t’ Zi
Petrogradi ja dha fjalen
Me hi mrendë në Shqyptari
Turbull Drini kû rrmen valen;
Edhè m’ kâmbë ushtrin ka çue 420
Ke Cetina Knjaz Nikolla
Malet t’ ona me i pushtue,
Kû i bân nâna djelmt sokola.
Por kush tha Harushes s’ Verit:
Në dorë t’ ande â marë Europa; 425
Dert mos ki per t’ drejta t’ njerit:
Si t’ duejsh daje copa – copa ?
Cilli Zot tha Shkjaut: mêrr drap’ in;
Korr kû s’ molle, e miell n’ arë t’ huaja?
Dér kû t’ duejsh ti mate hapin; 430
Shqyptarija â nder duer t’ ueja ?
Ah ! kadalë, cubi i Cetinës !
Pse ti tash ke hasë me burra,
Burra lé per çark t’ martinës:
Do t’ rrjedhë gjaku sod si gurra; 435
Pse Shqyptarët jânë bâ me ‘i zêmer:
A me derdhun t’ tânë n’ luftë gjakun,
A m’ e qitë të shkyem nen thêmer
Sod tri bojnash n’ llom bajrakun.
A kujton se per dhé t’ t’ Parit 440
S’ diejn me dekë t’ bijt e Kastriotit ?
A kujton se n’ dej t’ Shqyptarit
S’ vlon njaj gjak qi vlue motit ?
A’ i falisun ! sod tagâni
Me gjak t’ and ká per t’ a shkrue, 445
Sod n’ Europë ka m’ u ndie zâni
Se i kuej gjak na â n’ dej tue vlue.
Çohi, o bij të Skenderbegut
Turq e t’ Kshtênë, mos t’ u dajë feja !
Çohi e bini n’ fushë t’ bejlegut, 450
Tue gjimue ju porsi rrfeja.
T’ i a diftojm, po, Gospodarit,
Qi e lodhë ûja ke Cetina,
Se Shqypnija âsht e Shqyptarit
Se m’ i a prekë nuk lên martina. 455
M’ kâmbë ! Mirditë, ti ndera Arbnore,
Per Shqypni sod me luftue !
Ty Bibë Doda shpatë mizore
Sod prej vorrit t’ âsht betue:
Me armë n’ dorë, me zjarm në gji, 460
Si e ké pasë gjithmonë zanât,
Báll per báll me Mal të Zi
Porsi burrat n’ luftë m’ u mâtë,
Lshou, Mbishkoder ! Djelmt t’ ue ziri
Me luftue sod me Nikollen: 465
Mbi breg t’ Cemit t’pret Viziri,
Qi pat dyndë dikur Stambollen.
Bini ! Toské, ju n’ pikë të vrapit,
Mos t’ u ndalin mal as záll:
Naim Frashri i rá Qitapit 470
Mos m’ e lshue Shqypnin per t’ gjáll.
Ju prej Dibret, prej Bishkazit,
Çohi djelm si shqype t’ leta !
Kah gjimon âsht topi i Knjazit:
Per Shqypni t’ mos t’ dhimet jeta. 475
Mâ mirë dekë nen dhé m’ u kjá,
Se me marre gjáll mbi dhé;
Per dhé t’ vet kush dekë ka rá,
Aj s’ ká dekun, por ká lé.
Burri, Leka e Kastriota 480
Amanet Shqypnin na e lane,
Amanetin e mban bota:
Shqyptari edhé do t’ a mane.
Prá vetë ferri m’ kâmbë m’ u çue
Me sa çeta ká n’ at jetë, 485
Shqyptarin na s’ kem’ m’ e lshue,
M’ e diejt t’ gjith se kem’ me metë.
Para, po, se vendit shkulet
Mali i Shêjtit e Rumija,
Se njâj Shkjaut sod t’ i perkulet 490
Rob i shitun Shqyptarija.
Kû jânë t’ bijt e Skenderbegut,
Kû jânë t’ bijt e Dukagjinit
Shkjau s’ do t’ shklasë, jo, njatij bregut
Dér sa t’ rrjedhe vala e Drinit. 495