Lekët

Kështû Lulashi tue kndue
Shpat më shpat e prrue më prrue
Shkapercye kan kodra e male,
Kan lânë mbrapa prroje e zalle
Edhé dalë kan m’ krye t’ Sutjeskës. 5
Kur kan dalë m’ at krye t’ Sutjeskës
E t’ kan ndie si n’ at rrânzë t’ bjeshkës
Pushka e topi ishte tue vlue,
E kan pá atá edhè kundrue,
Njegull tymin ajrit çue 10
Mbi të mjeren moj Sutjeskë,
Stane e shpija bamun eshkë:
Edhè ndeshë kan cull e grá,
Kah tue hikë ishin me gjâ,
T’ a kan bâ nji vrrimë të madhe, 15
Si lavë ujqsh terbue prej mardhe.
Aty shprazë hutat batare,
T’ jânë lshue trimat fulikare
Poshtë rrmores: thue, ‘i buzë malit,
Kputë ndokah, po shâmej zallit: 20
Keq kje krisma e bulurima,
Kah, lshue vrap porsi vetima,
Flakruen n’ luftë Lekët e Malcis.
Asht trandë Zâna e Haramis,
Si nper t’ kthiellt t’ shkrepte duhija.
Jo, po: a n’ luftë rrâni Malcija, 25
A po moti ndokah shkrepi,
A se trandë token termeti ?
Pvetë e mira vetë me veti:
Kah prej krismet e poteret 30
Gjimuen lugjet e humneret
Edhé ushtue ká Vizitori
Zeletini gjâmë kah mori.
Ah ! kadalë, cubi i Cetinës,
Se, me giasë, gjygjin kaptinës 35
Mirë sa duhej bâ s’ m’ i a ké,
Kur jé nisë e dalë m’ ket dhé…
Paj ktû po isht’ nji vend i eger
E po t’ bâshin gjindja fleger,
T” a kesh dhamin ti ‘i perçik 40
Po nuk shkove mbrendë per mik.
Po a s’ po shef, mor’ kopilane,
Se ç’ po bâhet m’ ushtri t’ ande,
Tash qi msyn Lekët e Malcis:
Si njaj plajmi i njij stuhis, 45
Qi kah dirgjet Haramis,
Shkon tue shkulë brej e çatina,
Dermon tbana, shuen bashtina,
Currat rrokullon m’ rudina ?
Fjalë i kjoshim t’ Madhit Zot, 50
Ç’ ká mârrë vendi era barot,
Kah, perlá janë Lekë e Shkjá !
Mush e qit ata pá dá,
Mush e qit e plumja njit:
Derdhun rrês, e derdhu shpatit, 55
Struku podit e livadhit,
Rreku, theku, lshou m’ pikë t’ vrapit,
Tue rrahë top, tue rrahë havan,
Tue vezllue shkallmë e tagan,
Edhè gjindja tue sharrue 60
Kush nper prroskë e kush nper prrue.
Mendt e krés me t’ u dermue !
Mal Kaculi, ‘i djalë prej fisit,
Mirë ngujue per mbas njij lisit
Fort po i vret Shkjét m’ hutë t’ Inglizit: 65
Fill po i kputka per mjedisit.
Lul Rrapuka, qafa – trupi,
Vasil Markun m’ vend e hupi,
Tue e mârrë is del te cupi;
I u ndez flakë t’ mjerit gozhupi. 70
Bân Gjokë Sava kin’ jam trim:
Po i bje rrahit fluturim,
N’ dorë novica tue i qitë tym:
M’ at Car Xhaxhen fill ká lshue,
Per m’ e pré, per m’ e shkurtue, 75
Si prej Zotit s’ kisht’ kênë shkrue;
Pse t’ a priti Caruk Curi,
Mirë zatetë aj mbas njij guri,
E t’ i a njitka mù n’ gerglâc,
Tue e hjedhë podit si latrâc: 80
I âsht mushë goja të tânë gjak:
Erri syt, e m’ vend u pak.
Por gjak – hupës nuk ka shkue Shkjau !
Toma i Ristos, sy’ n sa kau,
Mirë Gjo’ Mirashit i a njiti 85
Mu m’ shtek t’ ballit, edhè e qiti
Palmuq m’ tokë mbi kokerr t’ shpinës.
Hollë kisht’ gjuejt i biri i Shkinës !
U kuell Gjoni dy tri – herë,
E tue hjekun brijsh per mnderë, 90
Zbardhi syt e dekun rá,
Terthuer djerrit shtri sa ‘i trá.
Trim por kênë kisht’ Lez Sotiri.
Idhtë si gjarpni neper firi:
Nji hundë – lesh, mustaqe – rudë, 95
Kryet babune, syt per çudë,
Qi veç n’ anderr me e pasë pá,
Drue se t’ pakët të kishte rá.
Ky zânë priten nalt n’ nji ograjë,
Strukë mbas currit mbredë n’ dushknajë, 100
Bâ dam ka mâ se ‘i Malcuer.
E tue qitë kryq e terthuer
Vret njiherë pre’ atij zabelit
Nisho Loshin e Losh Gjelit
Edhé at mjerin Murro Patin, 105
Kah me mârrë po dojshin shpatin,
S’ di a me hikë a me qindrue:
Fort të besës s’ ki’ n pasë qillue…
Mandej cubi i Cernagores
Gorromisë ká n’ fund të rrmores 110
Keqo Mashin e Zagores,
Qi tue hecun kambandores,
N’ moh po dote aj pushkë me shti
M’ nji shoq t’ vetin djalë të ri
Per nji gjak pajtue kahmot. 115
Por se e vraka i Madhi Zot:
I bje plumja mu m’ korriqe
E e lên shakull m” do kalbsiqe.
Cuba Deli, Zot, ç’ ka thânë:
Se un qi tatë nuk kam as nânë, 120
Kam nji nuse, e atê por zânë,
Pse s’ i a lâ Malcis nji nâm ?
Edhè âsht çue trimi në kâmë
M’ Lez Sotirin fillká rrâ,
Tue vikatë si katallâ; 125
Ngurru e turru edhé atij vendit,
Si ato zhytrrat n’ ujë t’ liqênit,
I ka vojtë Lezos në pritë,
M’ hutë n’ lug t’ krahve i a ká njitë,
Dekun m’ tokë edhè e ká qitë, 130
Aty kryet aj i a ká pré,
I a ká hjedhë rrokull nper dhé.
Edhé âsht lshue porsi shkerbé
M’ at Ilin e Boshkoviqit,
Qi isht’ kênë mbajtë nji farë ogiçit 135
M’ nji çetë cubash t’ Karadakut:
I bjen plumja rrânxë mustakut
Edhé i del mbi but të krés
Tue e sodomë si kokrra e rrfés.
Mandej Mhillit i â shtri m’ shpinë 140
Mhill Rodiqit gjeraçinë,
Qi at Ujk Gjerin mbasi vrau,
Vrap me hikë u vête Shkjau;
Mirë por m’ hutë Cubi e perlau.
I rá pushka mu nên sjetull, 145
Edhè i duel terthuer mbi vetull
Per t’ gjatë t’ djerrit tue e lshue petull
Me ngranë m’ tê shqarth edhè vjetull,
Nâna e shkretë per t’ gjallë m’ e kjá,
Tjeter djalë ke ajo s’ po ká. 150
Bogiq Steva nji farë djalit,
Ulë kapicen m’ shtek të ballit
E tue ngâ aj terthuer malit,
Cuba Delit m’ shpinë i âsht vû.
Me tagan në dorë shterngue: 155
Kinsè kryet aj m’ i a shkurtue.
Ndersa Cubi me nji Shkjá
Fyt- a – fyt ishte perlá:
Me ‘i t’ Ostrogas trim – belá
Quejtë Miloshi i Radovanit, 160
Idhtë si tef i preftë taganit.
Por e pá njaj Mashi i Cokut
Ke lshon vrap Shkjau patalokut,
Edhè m’ hutë e tereziti,
Mù rrânxë veshit krés i a njiti, 165
Tej – pertej plumen i a qiti.
Mashi i Cokut fort po vrret:
Se un qi qitë e kam me Mbret
E m’ a dron sherrin Stambolla.
Kah kujton, ‘or Knajz Nikolla. 170
Se po shtron Plavë e Gucí
Me Bogiqa e rropulli
Dér sá m’ kambë t’ jetë kjo Malci ?
Kqyr Bogiqin se kû e ké:
Ngerdhûcë syt, si qiri zbé, 175
Ç’ po i plandosë aj Kâmbët per dhé…
Se per zotin kjoftë levdue !
Kur t’ më mushet mendja mue,
Per vend t’ t’ Parvet me qindrue,
Knjazë as Mbret un nuk t’ i drue. 180
Edhé trimi m’ kambë âsht çue,
Si aj bajraku m’ báll t’ ushtris
Vikatë t’ madhe ká Malcis:
Lamtumirë, Malci, se shkova.
Se nuk jemi Lacë Manova. 185
M’ e bâ luften nder llogore;
Por jem’nji Malci mizore,
Msue me u pré me Cernagore
Fyt – a – fyt e báll per báll:
Nandë me mbetë, nji me pshtue gjáll; 190
Por jo ‘i Shkjá me e lânun gjáll
Mbrendamegjeve shqyptare.
E t’ âsht lshue m’ Shkjá fulikare:
Porsi ujk qi bje nder dele,
Njânen shkyje, bâne fele, 195
Tjetren preje, gjakun pija:
Bân veç dam lukur e kija.
T’ u çue m’ kâmbë at herë Malcija,
T’ u shpervol m’ tagan djelmnija
E t’ u qitë syt zjarm e shkendija, 200
‘T’ jânë flakrue perposhtë cabokut,
Turr e vrap mbas t’ birit t’ Cokut,
Si ajo lava n’ Vizitor,
Edhè kcye i kan shkjaut m’ llogor.
Kur këcye i kan Shkjaut m’ llogor: 205
Ç’ ka ardhë Shkjau e t’ âsht pshtjellue,
Ç’ t’ âsht perpushë, ç’ t’ âsht krepatue,
Si njaj gjarpni n’ zjarm vallue:
E t’ âsht ndezë zhari Sutjeska,
E t’ ká mârrë gjâmë vrrini e bjeshka, 210
M’ kupë të qiellës ushtue ká vrrima,
Kah janë ndeshë trimat me trima.
Kah kan nisë ata me u pré,
E t’ flakruen krenat nper dhé,
E t’ rrodh gjaku porsi shé. 215
Namin shkinat gúr me gúr,
Shkaf âsht Lekë, shkaf âsht malcuer,
Tue kundrue, qyqet, n’ terthuer,
Ngarkue buken per ushtri.
Se sá djali i Malit t’ Zí 220
Shyt po bite aty per tokë,
Ka’ i ká msy Mashi me shokë.
Mashi i Cokut, trim mbi trima,
Syni i tij porsi vetima,
Zâni i tij porsi bumllima. 225
Kah po lshon e kah po ep
Curr më curr e kep më kep.
T’ madh po bân aj m’ Shkjá gazep:
Po i pret gjinden si t’ n skjep.
Llesh Nikë Daka, Pelivani, 230
Bé më Zotin trimi bâni,
Se pa i marrë nandë krena n’ Shkjá,
Huten hjedhë do t’ a kisht’ m’ trá
E taga’ n n’ farkë do t’ kisht’ çue.
Thikë parmende m’ e punue: 235
Kurr m’ log burrash s’ do t’ kisht’ shkue.
E pse Lleshi âsht nji farë burri,
Mos me i luejtë fjalës me sá curri,
Jurish djalë mbi Shkjá t’ â lshue,
Malazezt aj tue shkallmue: 240
Si njaj bulku qi m’ supatë
Shkallom rrahit cûjt e thatë,
Beja e bâme duhet mbajtë !
Burrë i mirë Nikë Gjelosh Luli;
Synin gacë, krahin sá shuli 245
Kah po siellte n’ at tagan,
Herë m’ serdár, herë m’ kapitan,
Fort po i pritte ato rradake,
Si t’ ki’ n kênë do poça Vrake.
Vjen Dodë Prêçi si stuhija, 250
Ç’ â ata krye, Zot, nder duer t’ tija ?
Kryet e t’ mjerit mor’ serdár,
Serdár Gavros gazepqár.
Qi, sa falli i pat hecë marë,
Pat vjerrë hoxhë, pat vjerrë haxhí. 255
pat djegë taqe edhè xhami,
Bullat shitë i pat n’ kaurri:
Larg permendë, po zâni i tij;
Por qi, i mjeri, zâ mbas sodit,
Shtangue shyt aj terthuer podit, 260
S’ mund do t’ bâjë, besa, mor’ shokë,
As me trêmë do cirikokë,
Kur m’ skep zêmren t’ hijn m’ i a çokë…
Qaj Dodë Prêçi bajraktari:
Po i pret Shkjét si pritet bari: 265
Burrë mâ i fortë s’ bâhet Shqyptari !
Nana e Llazos n’ at sy malit:
Qyqja, bir, si i bâhet hallit
Qi ti mue m” ké ndollë n’ ushtri
E tash fill, qe, dy djelm t’ ri, 270
Né çakçirë e në xhurdi
Kan msy m’ çeta t’ Malit t’ Zi.
Se kush janë, tobe, n’ e die;
Veç ka’ i shof si kan marrë turr,
Si po hidhen curr më curr, 275
Kish me thânë se jânë kulshedra,
Mos me i rrxue pushka as gopedra…
Prite Zot ! me u dalë per ballë,
Pse, kercuna, t’ perpijn gjallë !
Jo qi mâ m’ pushkë e m’ tagan 280
Nuk Té lânë me lypë aman:
Ki’ n me m’ prû mue ditt e kobit.
Ah ! mallkue, po, njaj bir robit
Qi mâ i pari mbi ket dhé
Qiti gjinden n’ luftë me u pré: 285
Shka nuk bâjn ujq as shkerbé.
Atê, po, at zêmer – carâ
Vetë kulshedrat e kan llâ,
Q’ se, prej epshit me shkelë m’ tjerë,
Me rrmye gjân e huej pa nderë, 290
Nuk pat dert per nana t’ mjera,
Qi nper luftë t’ i thate vera,
Dhima e fmis zêmrat t’ u a kpuse.
Mirë po thue, besa, moj nuse,
Por shka t’ bâjsh nuk ké n’ ket pûnë: 295
Me qindrue t’ duhet perdhûnë:
Me bâ zêmren mije lisit;
Pse edhè jé ti í grue prej fisit:
Malazeze sokoleshë:
Vashë, si motit, trimëneshë: 300
Qi per Fé ti e per liri
Msue ké kênë dalë n’ ushtri,
Me lidhë varrët e djelmve t’ ue,
Me u dhânë zêmer, me i trimnue
Krena Turqish per t’ shkurtue. 305
Mos t’ lshojë zêmra, pra, as n’ ditë t’ sotit
Ke thânë paska kênë prej Zotit,
Me mbetë ti nanë e pa djalë,
Zêmra me t’ u thá per t’ gjallë.
Se mana, moj nanë e mjerë, 310
keq po m’ vjen zêmren me t’ therë,
Por ty djali të ká mbetë,
E faj’ n, thom, se e ké ti vetë:
Ke sokol djalin kish’ rritë,
Mos me zânë trimi kund n’ pritë, 315
Mos m’ i u shmangë trimi rrezikut,
Por per ballë me i dalë anmikut
E me tê në log me u pré,
Si me kênë s’ dyti tue lé:
Thue se trimit shkallma rrfé 320
Kryet s’ i a rrokullon nper dhé.
Prandej, kur m’ tagan Malcija
Ajo rrâni, si duhija,
Njaj yt – bir, Llazo Gavrani,
Njâ as dy djali s’ i a bâni, 325
Veç si gjarpni nalt prej bunget,
T’ flakuroi jashta nji cunget,
Per mbas s’ cilles vend kisht’ zânë.
Pa i a dä m’ zdragushë tue dhânë
E t’ u duel lekve në ndesh, 330
Hapu, zmbrapsu nper bushnjesh,
Kê pa krye, kê lê pa vesh,
Me at tagan, me at armë besnike,
Qi me gjak kurr nuk po u ngike !
Me pasë pá, veç, moj fisnike, 335
Se s’ di kush, jo, me t’ kallxue,
Se me ç’ turr djali t’ kje lshue:
Pelivan e trim drangue !
Preu nder tjerë, po, i biri i botës
Dedel Bubin t’Bub Keçotës, 340
N’ atà Palajt nji “â të mirin,
Mandej prete njat Ujk Mirin:
Nji të Vukel, burrë belá,
Qi t’ kisht’ shitë moter e vllá,
Kund n’ ndo’ i pare po ‘i kisht” rá: 345
M’ but e m’ vesh kryet i a ká çá,
Derdhë i ká krejt trût perjashta:
Si grreç kjumshtit i mbet rrashta !
E, si aj ujku, qi msyn ftujen
T âsht lshue djali prap m’ Kolë Cujen 350
M’ njat Kolë Cujen n’ kacaturrë:
Sá per sy, pêsë pare burrë,
Por, per zêmer e gajret,
Mos me e trêmë as Knjazë as Mbret
Kin’ aj kryet ktij m’ i a shkurtue, 355
Dhanti Knjazit me ja çue.
Kur, pa pritë e pa kujtue,
Qe po msyjn dy djelm të ri:
Në çakçirë e në xhurdi:
Njatà vetë qi, m’ at sy malit, 360
Tuj ankue hallin e djalit,
Ty t’ u bânë se jânë kulshedra
Mos me i mârrë pushka as gopedra;
Por qi s’ janë, jo, dy kulshedra,
Veç se po, besa, moj Jane, 365
Dy drangoj të lemë njaj nane,
Mos me i prë shkallma as tagani:
Bec Patani e Çul Patani,
Qi kah rrânë atij mejdani,
Kah lshuen turrin m’ çeta t’ Knjazit, 370
Thue, dyndë deti prej tallazit,
Po plandosej kund ndo ‘i shkrepit:
Kaq pre’ atij të madh gazepit
Aty u dha krisma e rropama,
Aty u ndez lufta e degama, 375
E t’ ushtoi zhurma e potera,
T’ u çue plûhni e t’ u çue era:
E t’ u thyen krenat si poça,
E t’ me’ n shyt burrat kaprroça,
T’ u dermuen, heu ! do djelmoça 380
Do djelmpça si taroça,
Me i u dhimët gurit e drunit,
Jo se mâ nanavet t’ veta,
Qi i ki’ n rritë me gjak të zemers.
Ah medet per Nesh Jovanin ! 385
Ah’ kukú per Nikë Stjepanin !
Mjera nânë per Gjokë Serdarin !
Qyqja moter per Llazarin !
Nuse zeza per Todorin,
T’ cillit hapë, besa, Krahnorin 390
Me tagan Beci i a ká:
Si edhe kryet ky i a ká çá
Njatij Gjuros, qi per Shkjá
Sho’ in mâ trim kund s’ i a kam pá.
Aty, po, n’ at paçariz, 395
Mbet yt – bir, ofshe ! m’ nji driz:
E preu Çuli per mjedis !
Eh ! mo’, Zot, mâ keq per né,
Qi na rá kjo namë – rrfé:
Mos me mûjtë Shqyptarë e Shkjé 400
Me bâ hije bashkë mbi dhé;
Por me u vrá e por me u pré,
Kudo atà me i qitë neshtrasha.
Por ç’ kan malet qi po ushtojn ?
Por ç’ kan prrojet qi gjimojn ? 405
Shka vrân vetllat Mark Milani ?
Thonë ká msy Rrushman Hasani !
Njeky Rrushi ‘i shpatë e gjallë,
Dredhun shallin rreth per ballë
Vjerrë martinen per nen krah, 410
Kthelltë kuburet rrasë n’ sylah,
Edhe priçet mbathë per kâmë
Per mnderë tue kercnue me dhâmë,
Tue lurue, tue turfullue
Si kulshedra neper kneta, 415
Ká lshue turrin mbi do çeta
Mbi do çeta t’ Malit t’ Zi,
Thue se gjallë do me i perpi.
Lum per ty, o ti Zot i lum !
Ç’ i ka vû ktij buza shkrum, 420
Ç’ i ka hypë vneri nder sy
Kur mbi Shkjé trimi ka msy.
S’ po e ndalë gúr, nuk po e ndalë shkrep,
Po i kcen prrockat kep më kep,
Po i pret gjinden per gazep; 425
Edhe trimi n’ gjak âsht lá.
Idhtë me Shkjé tuj u perlá,
Kê tue pré, kê krés tue çá:
Qi me sy ti t’ a kish’ pá,
Besa, ‘or probe, t’ kisht’ hi mndera. 430
Ç’ t’ u perpushen Shkjét m’ at hera,
Edhe m’ shpinë atij ç’ jânë lshue,
Me tagana n’ dorë shterngue;
Por jo kush atij m’ i u afrue
E m’ tagan me sjellë per s’ ngiatit: 435
Pse, ka ‘ i epte Rrushi shtatit,
Me nji hije malukatit,
Friget Shkjét u derdhshin shpatit:
Si ato dejkat, qi lshue m’ shpinë
Ndonjâj orrli – gjeraçinë, 440
Para e mrapa n’ ajr tue lvitë,
Plym shkojn shpendin tuj e nzitë,
Por kurr teper, jo, m’ i u avitë;
E kur ky t’ a msyj ndonjânen,
Ato t’ gjitha mârrin ânen 445
Edhe derdhen nper ajri,
Si ajo hjedha lshue flauri.
Proh, ti o Zot ! Rrushi ç’ po hidhet,
Se ç’ po hidhet, ç’ po permlidhet,
Se edhe toka fort po dridhet, 450
Kah po lshon turrin mbi shkjé,
Kah po i hjedhë krenat nper dhé,
Si t’ ki’ n kênë kokrra bastanit,
Tue i plasë zêmren Mark Milanit.
Mark Milani, pika e djalit, 455
Ndêjë kundruell m’ at vetull malit,
Kur ká pá se djelm nanash
Shyt po i jitshin m’ at log Zanash
Ká qitë t’ madhe e ká bertitë:
A thue nana ‘i djalë ka rritë 460
Ká rritë nana ‘i djalë si motit,
Xheverxhil e flakë agzotit,
Qi me u lshue nji herë m’ tagan
M’ at kulsheder, qi aq zalldan
Po m’ u nep ushtarve t’ mjerë, 465
Kê tue pré, kê prap tue therë:
Tue m’ i bâ kortarë per krraba !
Pasha armët, qi m’ i la baba,
Paçë me i vû nishan në ballë
Paçê me e bâ krushk e kumarë 470
Dý kubure paçë i falë:
Dý kubure shkri në Shkoder,
Larg me i vrá ato koder m’ koder
Mos m’ i a pasë kurrkund zdragushës
Armë të ngrita dore s’ Tushës 475
Dymdhetë qese me u bâ pari:
Krejt Kandakut t’ lame n” ari.
Mark Milani kshtû ka thânë.
E ka ndie nji Rahovnjanë:
Qaj Mil Spasi, trim si Zânë, 480
E ká ndie, edhé fulikare
N’ p’ r ato rrege e n’ p’ r ato qare
T’ ka marrë hov, si aj derri i eger,
Qi m’ kê t’ hasë veç t’ a bân fleger
E t’ a shkyen, po, me do dhâmë, 485
Kuk turinit ngerthye ‘i pllâmë.
Fort âsht dridhë toka nen kâmë,
Fort flakue i ká n’ dorë tagani
Kah ka msy drejt kah Rrushmani.
Se ç’ âsht gzue qaj Mark Milani, 490
Se ç’ âsht hjedhë qaj Dash Galani:
Dash Galani se ç’ âsht hjedhë
Se edhe shkallmen ç’ e ka dredhë,
Fill tye msy kah Mili i Spasit
Si ajo ulkoja krés s’ Bishkasit; 495
Si kurr turrin t’ mos kisht’ lshue !
Shkjau pse atê t’ a ká shkurtue,
Kryet per toké t’ i a ká rrokllue,
Edhe nusen t’ i a la shkret,
Me bâ vaj, me bâ medet, 500
Si ato qyqet në shkorret:
Kisht’ kênë Shkjau ‘i drangue i ri,
M’ sisë t’ kulsheders llâ kerthi !
Jo, po Shkjau drangue kisht’ kânë
Ke pa krye âsht gjindt tu ‘i lânë 505
E tue i lshue dekun m’ bushnjesh
Sa kush para po i del n’ ndesh.
Edhe trimi dert s’ po ká
Pse n’ gjak gjinden âsht tue i lá,
Zêmra nanash pse âsht tue thá: 510
atij giatë veç se âsht tue i shkue
M’ at Rrushmanin pa tokue:
Pa tokue m’ Rrushman Hasanin
Per t’ a dá me tê mejdanin,
Per t’ a vû më ballë nishanin. 515
Per t’ i njitë kuburet n’ brez,
Qi atij Marku burrë kermez
Folë i a ká me besë e fé,
Po mujt kryet Rrushit m’ i a pré.
Kur, qe dyndet qaj Kolë Cuja 520
Lshue mustaqet si dý duja
Edhe vrap, porsi langoni,
Neper záll e gur t’ nji prroni
M’ shpinë Mil Spasit zhgjatë ká lshue,
Per t’ a pré, per t’ a shkurtue, 525
Shokët e vet aj per t’ pague,
Si prej Zotit s’ kisht’ kênë shkrue;
Persè Shkjau tek e ká pá,
Ashtû vrap prronit tue ngá,
Nji carâ n’ dorë ká perlá 530
E tue ulrue si bishë Parûnit,
Me tê i metka shi kupës s’ giûnit:
Pak gjâ ashtin pá i a thye.
Briti Kola sa pat n’ krye.
Edhe âsht purë e rá per tokë, 535
Me t’ dý duert giûnin ká rrokë,
Tue gjimue, tue kqyrë per shokë:
Pse mâ ngusht vedin mbi dhé
S’ e kisht njoftë se kishte lé:
Kurr s’ kisht’ rá n’ nji asi zalldani. 540
E ka ndie Rrushman Hasani,
E ká ndie edhé njoftë në zâ.
Atý n’ ndihmë trimi i ká rrâ,
Vrap e vrap si katallâ:
Hidhen gurt, po, tue vringllue, 545
Mbi Shkjá turrin kah ká lshue.
Si ‘i larosh, qi, hekrash pshtue,
Kerleshë qymen shpinës per mnderë,
Zhgjetë t’u lshohet qêjve tjerë,
Me ta haju edhe perlaju, 550
Dboju shtekut e hendekut,
Tuj ungruem e tue cingruem,
Hikni qêjt nper prroska e lamë,
Shtangue bishtin héll nder kamë:
Njekshtû Shkjét n’ p’ r at log mejdanit 555
Hikin podit, derdhen planit
Para ushtimës s’ Rrushman Hasanit,
Qi po lshote m’ Mil’ n e Spasit,
Si kulshedra Lqênit t’ Shasit,
Si ajo rrfeja e krés s’ Bishkasit. 560
Fort âsht trandë qaj Mili i Spasit,
Kah Rrushmanin shef tuj ardhë,
se edhe buza atij ç’ i â zbardhë:
Por se shmangë nuk e ká kamen.
M’ njanen i shpervjelë dollamen, 565
Atý trimi ká ngujue,
Me tagan në dorë shterngue:
Si njaj derr, qi poshtë – perpjetë
T’ a kenë ndjekë langojt e letë
Shpat më shpat, zabel m’ zabel. 570
Edhe t’ shofë se shtek s’ i del,
Me pshtue sish, me u strukë në breshtë,
Kund m’ ndo’ i lak, kund m’ ndonji kreshtë
Synin gjak, turi’ n n’ ajri,
Tue turfllue me shum mëni, 575
Zên aj vend e rrin e pret,
Qi t’ i hudhen hasemt nget,
Per me ta, mandej me u rrue
Fyt – a – fyt, me u laskarue,
E me mbetë a se me pshtue. 580
Kur ja behë, qe. Bec Patani,
Ballin gjanë si fushë mejdani,
Vetllat zi si penda e korbit,
Sýnin zjarm si flakë agzotit,
Si ajo rrfeja neper rê: 585
Dridhë mustakun kacadrê,
Shtatit ardhë porsi harbija,
Gishtat drejt porsi namlija,
Veshë e mathë, edhe shterngue,
Trim i çartun lé drangue, 590
Me kulshedra aj me luftue:
Mik me t’ huej e vllá me shokë,
Nuk i bite, fjalë më tokë
Si hynér qi e kisht’ falë Zoti:
Burrë si burrat qi ishin motit: 595
Njimend nip i Gjergj Kastriotit.
Ky pá paska Mil’ n e Spasit,
Ke flakue ka njatij rrashit
Edhe rrâ ká nder malcorë,
Me tagan shterngue në dorë, 600
Sikur merr pjalmi me borë;
E ká pá por njoftë s’ e ká,
Veç se Shkjá si ç’ do nji Shkjá,
M’ tê edhe trimi ká marrë turr
Shtek më shtek e curr më curr, 605
D’r qi ardhë ká e dalë n’ at záll,
Ku njaj Mili shpatë e gjallë,
Idhtë në dorë shterngue taganin,
Per me u ndeshë m’ Rrushman Hasanin:
Por si pitas, ftyret zbé… 610
Ballë per ballë me tê me u pré.
Tek e shef Beci atê e njef,
Edhe turrin vjen tue e ndalë.
Ki’ n pasë kênë miq e kumarë,
Gjakun bashkë edhe ki’ n pí 615
Do vjet para në Mal t’ Zi,
Kur njaj beci n’ shpi i pat shkue
Bashkë me Çulin per me i pshtue
Duhis s’ Mbretit, qi u kisht’ lshue
Pare t’ madhe m’ shpinë, me i zânë 620
Gjallë a dekë, laik u dhânë,
Per njat t’ ngratin mor’ Bymbash,
Qi kta e lshuekan laradash
Atjè n’ Lesh, e e bâkan dekun.
Çuli e Beci, shkrel prej Bzhetet, 625
Ki’ n pasë kênë dy hasem t’ Mbretit,
Qi kurr dá s’ i a ki’ n gazepin:
Herë the xhaden, herë pre telin.
Gjuej zaptit, nizamin vraja.
Nis degame kot se i’ n gjallë 630
Me spahi e me myltazima:
Hashari, djelm kapisuza,
Kahdo shkojshin, kahdo vijshin
Dy gur njite kund nuk i lijshin.
Prandej Mbreti dhânë kisht’ êmer, 635
Gjallë a dekë, të dy me i zânun.
Edhe n’ Shkoder Vali Pasha
Çon e thrret njat Ali Qorrin,
Njat Bymbashin e Dauletit;
E ngerthye vetllat m’ shtek t’ ballit, 640
Kshtû nisë idhtë aj me i ligjrue:
Pa ndigjo Bymbash i Mbretit:
Nji turk dini ti mos kjosh,
Ramazanin e njinosh,
Kurr bajramin mos e gzofsh 645
E haram t’ kjoftë buka e Mbretit,
N’ kje se ti dér neser mbrama,
Si t’ fillojë dielli me marrë,
Gjallë a dekë ktû n’ hyqamet
Nuk m’ i bjen t’ bijt e Patanit, 650
Qi aq zalldan halis po i apin
M’ tyrbe t’ Lezhës e m’ Kalá t’Shkoders.
Ali Qorri m’ kambë âsht çue,
Mirë âsht veshë, mirë âsht shterngue,
Mirë dorin e ká shilue, 655
Edhe m’ shpinë a’ i ká këcye:
Fill per lesh rrugen ká msý:
Ká msý rrugen me t’ mdhej hapa,
Me treqind sejmen permbrapa.
Kur kan rá atje kah xhamija 660
T’ fortë idhnim ká kapë Alija,
Se fort hjedhë âsht shah dorija:
Shkrepë kalldramizjarm e shkendija:
Çudë po bân qaj Kajmekami.
Para e mbrapa i shkon nizami: 665
Çudë po bân, me pvetë ká çue:
Ti, Bymbash, kah don me shkue?
M’ at ânë t’ Drinit, n’ kjoftë gjikue
M’ at ânë t’ Drinit m’ trap të Lezhes.
Fort po i bin ushtarët trompetës: 670
Ká mârrë gjamë Kodra e Marlekës:
Se ç’ ká ushtue ajo rrânxë e malit.
Thue, âsht dyndë deti prej tallazit.
Nisë janë topat prej Tivarit,
Per me u rá bijve t’ Patanit. 675
Nana e Bacit del në derë,
T’ dyja shplakët tue rrahë p’ r ‘i herë,
Ká lutë Zot e Shêjt Shna Ndue:
Dilni, bre, se jem t’ rrethue !
Kur kan dalë t’ bijt e Patanit. 680
Si dy ari prej bigës s’ njaj planit,
Se ç’ i a njiten Ali Qorrit
Me dý plume m’ drrasë t’ krahnorit,
Tue e hjedhë shakull n’ mes t’ oborrit:
E nper flakë t’ pushkve t’ taborrit: 685
Kan marrë shpatin tue flutrue,
Dér n’ vá Bèlaj qi kan shkue,
Kû atá Buenen kan kalue,
Edhe dalë kan n’ Mal të Zi.
Fill Mil Spasi vojtë kan n’ shpi. 690
Edhè Mili pritë i ká,
Bukë e krypë me ta tue dá,
Porsi pasë t’ i kishte vllá.
Burrit t’ mirë kurr nuk i âsht ndalë
Pushka, sofra, e fjala fjalë. 695
A m’ rrêjn sýt a jé ti, probe,
Milo Spasi ?… se un qi, tobe,
Nuk kam mûjtë kurr m’ e mendue
Se ktû m’ tý kam me u tokue:
Nsá po grihemi n’ mjet vetit, 700
Si ato bishat e shkorretit:
Bec Patani po pëvetë.
Jo, po, Milo Spasi veté
Jam, lum Beci, probatimi
Po ja kthen; n’ mill edhé trimi 705
Qet taganin m’ gjak perlye.
I â avitë Beci e t’ dy krye m’ krye
Janë falë trimat. Po si jé ?
Si t’ ká shkue moti n’ at dhé ?
Si i ké robt e gjân e gjallë ? 710
Po e pëvetë Beci me mâll.
Gjallë me frýmë e sa me thâné,
Fjalen Mili at herë ká zânë,
Ngerthye shllungé do vetlla t’ trasha.
Veç sa mirë m’ qiti neshtrasha 715
Me t’ hasë sot, qi tash kahmot
Kam dishrue, manà, me t’ pá,
Si me t’ pasë treqind herë vllá !
Thue, me pá tý a t’ ka tokue
Si ‘i balosh, hekrash shlirue, 720
M’ nieri t’ huej lshon si i terbue,
Thue po e bân kortarë – kortarë,
Kur t’ a shofë vetun tue ardhë:
Ndersa, kur ktij t’ i dalë para
Zoti i shpis —- miku a kumara —- 725
Per me i pri m’ e çue te shpija,
Baloshit i shuehet mnija:
Edhe turrin aj tue ndalë,
Lehtas bishtin tue e luhatë
T’ huej’ t i avitet dalkadalë, 730
E, si ‘i herë t’ a ketë njuhatë,
Trok m’ trok para vetë i prin,
Si t’ isht’ klysh ase kalinë;
Njekshtû, po, Rrushman Hasani
Kur ká pá se Bec Patani 735
Me at Mil Spasin faqe m’ faqe
N’ mndyrë t’ kanûs s’ Maleve âsht falë,
Turrin trimi atý e ká ndalë:
E lavjerrë ato mustaqe
Toje toje e laqe laqe 740
Toje toje dér m’ sylah,
Huten vjerrun per nen krah,
Llanës per s’ t’ gjatit tue i shkue gjaku
Sýnin zjarm, po, sa taraku,
Taganin ká qitë në mill, 745
Edhe trimi ká shkue fill
Kah Mil Spasi e doren shtri,
A jé burrë ? si në habi
I thotë Milit —- T’ paçim, burrë !
A po mahe ? si t’ u ngurrë 750
I a pret shkjau e pijtas ngeci
Se ti, Rrusho, po zên Beci,
Njeky â ‘i probatim i êmi,
Milo Spasi, qi n’ Rahovë
Marë i hecë pushka e kuvendi, 755
Edhe vrá ká turq manova:
Si me gjujtë poça a katrova:
Jo qi atje në Mal të Zi,
Shka â Shqyptár e kryqali,
T’ a ká ndihmë e krah të djathtë, 760
N’ bukë e n’ krypë, e n’ besë të burravet.
Se un e Çuli, kur në lesh
Patem vrá njat Ali Qorrin
E i pá’ m rá Mbretit hasi,
Fill kem’ dalë e vojtë n’ Mal t’ Zi, 765
E per mik kti i kemi shkue
Tri vjet rresht n’ shpi i kemi ndêjë:
Bukë e mish, rakij e vênë.
Shka ká thanë Rrushman Hasani ?
Maná, prá, ti ‘or Bec Patani. 770
Mik të mirë na paske zânë:
Se edhé ashtû âsht si jé tue thânë.
Q’ se trimi aq kthelltë kênka shtý
Idhtë taganat tue shkelzye:
Gjylja e plumja rrih pa prâ. 775
Sa per kaq s’ do me thânë gjâ.
Milo Spasi po ja kthen
Per t’ giatë t’ lumit poshtë rrmen
Edhe kunglli: pse kurrneni
I a nep t’ shtýmen: veç se rendi 780
Atí i vjen, besa, dikúr,
Per ndo ‘i rrâjçë me u thye, a m’ ndo ‘i gúr.
Atý at herë shqekut t’ xhurdinit
Merr e zier Rrushi kutin.
Ka ‘i duhan edhe e kan pshtjellë; 785
E, ndersa Beci po shkrepte,
M’ gúr m’ unuer. Rrushi po i thotë
Mil Spasit: Ka Zoti ‘i djalë
Nja tri vjetsh, qi atje te shpija
Asht kah m’ rritet. N’ kje se i lumi 790
Ká premtue, qi shndosh me krye
T’ skapullohna kso potere,
M’ a don hatri, qi ti m’ shkrel
T’ vijsh e djalit t’ m’i a mârrsh flokët:
Po kam qéf me t’ bâ kumarë. 795
Per ket besë edh’ un t’ kam ardhë,
Po i pergjegjë i rahovnjani;
Edhe zier revolen brezit:
Nji revole Karadakut,
Me pêsë numra qi mâ e fortë 800
S’ bâhet pushka: e falë Rrushmanit
I a ep, me namli prej vedit,
Rrushi at herë nji pip argjant
Ati i fali: pip telishit,
Me ‘i çilibar m’ tê sa i voe, 805
Hollë punue në trajtë t’ nji gjarpni
Leqe – leqe, prej t’ permendunit
Kujunxhi, Tuke Jakova :
Pêsqind grosh tanë pare n’ dorë.
Mandej Becit merr e i thotë: 810
Ndigiò, Beco : prij tash mikut
Edhe tej llogoresh s’ ona
Qite shndosh. Hajdeni: udha e marë !
Edhe u dán prej shoqisho’ it:
Beci e Mili drejt Sutjeskës 815
Merr Rrushmani lakut t’ bjeshkës
Synin zjarm si zharri i eshkës.
Zot, ç’ piskati njatij malit ?
Rrustem Ika, djalë i djalit.
Rrustem Uka n’ Qafë – Hardhi, 820
Me nja treqind djelm bari,
Ká zânë pritat Malit t’ Zi,
Mos m’ e lânë me dalë n’ Guci.
Kur, qe, atý po i shkueka zâni
Se n’ Sutjeskë po bâhej nâmi, 825
Tue rrahë topi edhe havani,
Ka’e rrethueka Mark Milani,
Me taborre t’ Karadakut:
Rrjedhë der m’ giû aj shkulmi i gjakut !
Rrustem Uka m’ kâmb”ë âsht çue, 830
Der m’ Sutjeskë ká fluturue,
Me treqind sokola malit,
Pak gjâ dielli pa prendue.
Kur ka dalë m’ at vetull malit,
Ká britë t’ madhe Rrustem Uka, 835
Sa qi ushtuen male edhe suka:
Ngul, Malci, bre, se t’ a rrina,
Me treqind e sa martina !
Edhe trimat n’ luftë janë hjedhë,
Porsi breshni mbi vêshtnajë, 840
N’ dorë taganit idhtë tue dredhë
Hutat n’ dorë t’ u ndêjë tymtajë.
Se fort lamsh trimat janë pshtjellë !
Se shum krenat dheut janë mjellë !
Shum perplasë janë gjindja rrahit, 845
Kush cur veshit, kush cung krahit !
Gjaku rrkajë ç’ po rrmen giatë podit !
Ç’ t’ i zên sýt tymi barotit,
Si veç falë i kjoshna Zotit !
E t’ u dha gjâma e ulurima, 850
Vrrima, brima e bulurima,
Kah janë ndeshë trimat me trima;
T’ bumbulluen top e havana,
T’ shunglluen huta e shejshana:
Thue po shâmej Haramija, 855
Vizitori e Metohija.
Veç desht Zoti e prendoi dielli,
E u shkref lufta atý nji filli,
U dán çetat palë e palë,
Edhe hâna nisë me dalë. 860