Zana e Vizitorit

Kshtù n’Nokshiq lufta po vlote,
Zana e Madhe e Vizitorit
Më kisht’dalë ajo n’nji kep,
Prej ka’, e Mira, po kundrote
Si terthoes së Nokshiqit 5
Rrihte huta edhè novica;
Si flakojshin n’diell taganat
E si gríheshin n’ mjet vedi
T’ idhtë Shqyptarët e Cerrnagorasit:
Një grusht trima kta, qi Mbretit 10
Të Stambollës, manati i Zotit,
Pesqind vjet kokerr m’ i ndêjen
E askurr pushkën dá s’m'i a kan.
T’ lirë nepr krepa tue e shkue jeten,
Si ajo shqypja skepkurreta; 15
Ndersa Serbi ‘i belaçi,
Me Turk nisë kishte krushqi
E po rrite aj me dorë m’ ballë
Tue i bâ Turkut tungjatëjeta,
Turkut tue i lá pagë e t’ dheta: 20
Pesqind vjet harap i shitun!
E ashtû ndêjë e Bukura e Dheut
M’ at t’thepsinen maje kepi,
Rreth e rrotull rrokullote
Synin flakë, si flaka e diellit, 25
Tue kundruem e, shêj tue vûm
Se kujë pushka mâ hollë vritte,
Kujë mâ ters tagani ndritte:
Kush po hapej, kush po zmbrapej,
Kush po ms^yte mâ furishem 30
Malazezet a po Shqyptarët:
T’ cillve n’ mní, kishe me thânë,
Se edhè fort vehtja i kisht’ ardhë,
Q’ se atý jeten, sado e ambel,
Kurrkush máll, besa, s’ po e bâte: 35
Rrezja e sýnit, kur, i prirte
Ka’ ato tbanet e Curr Ulës,
Kû të mjeren Tringë per s’ dekuni
Ká pá shtrî terthuer oborrit,
N’ nji hurdhë gjaku kryet sharrue 40
Shi te praku i derës së vet.
Pse të mjeren morì Tringë
Edhè mirë, manà, ajo e Mira
Njoftë m’ a ki’te prej kahmotit:
Q’ se kjo, vajzë e enè fëmij, 45
Flokët rreth ballit rrumullue
E nder mrize t’ Vizitorit
Reshun rrunzat me mrizue,
Bâte kputa: a se me shoqe
Brite hijes tue këcye, 50
Me u stervitë, po, jetshkurtumja,
Si dikur kjo, vetë, bâ nuse,
Me këcye me nuse tjera
N’ ato okollet e Malcís;
Ase, ulë ruben nen vetlla 55
E tue bâ kinsè po kjate
Mbí ndoí rrunzë e cungë shtrî para,
Njifte fjalë tue dnesë, tue fshâ,
Per me dijtë mandej, si grue.
Me vajtue burrat e dheut, 60
Ndér qi fisit t’ i ki’n lanun
A per gjýgj e per pleqní,
A per bukë e bujarí,
A per besë e per burrní,
Per urtí, per trimëní, 65
Vrá me Turk kta, e vrá me Shkjá;
Jo se kur, per brî ndo’i gurre
A ndo’i çutrri ujnash akull
Bashkue blegat me u freskue,
I a nisshin atý, çerdhùkullat, 70
Me u ngallitë njana me tjetren:
Tash dynd skllafat me shplakë t’ dorës
E sterpik ftyren shoshoqes,
A se qite me kambë n’ujë:
Njana tjetres m’ shpinë tash leshoju 75
Poshtë perpjetë stomeve t’ blera:
Guga fmijsh, per t’ kalue motin,
Verës mbas gjâjet m’ bjeshkë kur dalin.
Zana e Madhe, strukë nder zgevrra
Gvêjsh jetikë, a nper gallushtra 80
Bigash s’ mrazta, çilun m’ karpa
Prej rrufejet bumbulluese,
Rrite e Mira e po i skjyrote,
Krye per krye me Motra tjera,
Me ato t’ bukurat Shtozovallet! 85
Orë e Zana t’ Vizitorit:
Fol e qesh kto ndermjet vedit,
P’r ato argtime e lojë fminije,
Krejt pa t’ keq e tanë fjeshtsí.
E kur ndollte sè ndo’i shoqe, 90
Ftyret Tringen n’ moh po e lagte,
Pa rubë m’ krye, llanash shpervjelë,
Amel n’ gaz tue gurgullue
Si t’ këndojshin n’ mal bylbylat,
Edhè ashtû ftyret priskue 95
N’ ujna t’ gurravet t’ argjenta:
Si e kerthnesta drandofille
Rîhet n’ voes n’ at ag të Dritës:
E fulqîjsh n’ ujë bushurdisun,
M’ shpinë kjo shoqes vrap vervitej, 100
Tuj u ndjekë n’p'r ato blerime,
Si dý flutra t’ bardha, t’ bardha:
Zana e Madhe, kah po e shifte
Ashtû t’ njethë e të kerthnestë,
Bardh e njomë si ajo prandvera, 105
Edhè fort, po, e Bukra e Dheut,
Manà, knaqej vetë me vedi;
E tue folë me Shtozovallet
Bashkë tue folë, bashkë tue ligjrue,
Merrte, e Mira, edhè po thote: 110
Pa ndigioni, moj sýgrizha,
Moj pinjolla rritë nder molla:
Pásh at t’ Lum, qi vrân e kthiell,
A u ká rá ndo’i herë me pá,
Nen ket hanë e nen ket diell, 115
Fmij me ‘i hije mâ të kandshme
Se Tringë Ulja e Ulë Keqotës,
Burrë i dheut ky, e buka e botës,
N’ nám e n’zâ nder Male t’ Mdhá.
Kqyrnje ‘i herë, he i raftë e mira! 120
Si i ep shtatit m’ shpinë ka’ i lshohet
Bleges shoqe n’p'r at rudinë;
Si njaj hylli, qi n’ natë vere,
Zhgjetë i bjen të mraztë Empirit.
Tue lânë mbrapa ‘i hullí drite! 125
Jo, po prá, mirë jé ka thue,
Njana Orësh fjalen i a kthete:
Sýni i keq veç mos e pát,
Se kjo mue, manati i Zotit.
Me njat shtat filiz çetine, 130
Me ato vetlla si fiskaja
Me atà sye kokrra qershije,
Me atà dhâmë si gurt e zallit,
Fíll mbas shiut kur t’ u bjerë dielli,
Dishka m’ dán, po, si ‘i cirkë voese 135
M’gjith t’ nji lili, kur mâ s’ pari
T’ shkrepë m’ tê rrezja e nadjes s’ ré.
Si veç, Zot, rueja nanës s’ vet!
Se, manà. kur t’ bâhet nuse,
Shoqja kund s’ ká per t’ i dalë 140
As n’ Malcí, as n’ Shllak, as n’ Shalë.
Sa mirë s’Bukures s’Dheut m’ i rá,
Per at fjalë qi i foli Ora,
Edhè, e Mira, buzen n’ gaz,
Kshtû ká marrë e ligjiron: 145
Animâ, moj Orë e Zana,
Tringen ju fort me m’ a dshtë,
Me m’ a dashtë, n’kujdes m’e pasë:
Me m’a ruejt si sýt e ballit,
Kurdoherë t’ dalë me verue 150
Nder kto vise t’ Vizitorit,
Qi ktê shtriga t’ mos m’ a ngase,
Sýni i keq t’ mos m’ a peçase,
N’ moh m’ mní kamba t’ mos m’ i shklase:
Larg gojlidhnin me m’ i a mbajtë 155
Zhegut t’ ditës me m’ i bâ hije,
Me m’ i a bâ ju dimnin verë;
Me m’ a ruejtë të njethtë perherë,
Si ato lulet në prandverë,
Mbasì lule e falka Zoti. 160
Se, q’m'at ditë qi e pava s’ pari
M’breg t’Gradinës tue u dhânë ujë rrunzave,
E vetë ftyret tue u flladitun.
Mue kjo krejt m’ âsht njitë per zêmer.
Edhè e due, moj, pásha t’ Lumin! 165
Si driten e sývet t’ mí.
Se edhè vetë, po, Zana e Madhe,
Kur më dilte Tringa n’bjeshkë.
Ajo ksajë m’ i bâhej hije
Kahdo shkote, kahdo vîte, 170
Tue m’i ndêjë gjithkund perane
Qi ndo’ e keqe t’ mos t’ i a gjîte:
Motra e madhe strehë si i bâhet
Njâj mâ s’ vogle motre s’vet.
Shkrepte rêja nalt prej qiellet, 175
Edhè rrfeja me rropame
Blî’n shinote rrêmash s’hapun,
Per nen t’ cillin, furís s’mndershme
Per m’ i u shmangun t’ rrebtë thellimit,
Strukë t’ isht’ Tringa: sa shpejt gati 180
Atý i rrite e bardha Zanë,
Edhè, e Mira, me at t’ fuqishmen
Dorë të vet rrfés, po, kokrren
Larg ajo kisht’per t’ i a bredhun,
Tuj u a lshuem karmave t’ rryeshme. 185
Msýte ujku m’ rrunza t’ Tringës,
Jo pse ky kishte qitë ceken
Kund tufë dhênsh me vû per vedi
E me u bgatë me to: si nieri,
Qi, mâ i fortë tue ndollë, mâ t’ ligshtit 190
I mbetë m’ qafë, e bishë mbí bisha.
I a xjerrë shpirtin per gazep
Jo per tjeter, veç per t’ hîmë
N’ okë e n’ copë të tij, e barkun
Me e kertylë mâ teper n’vjam: 195
Por, pse zijet n’ breshtë molisun,
E rreshkë ûjet, barku petull
Per kurríz i isht’ njitë qyqarit,
Tue mos pá kund maje vedit,
Lshote m’ rrunza t’ Tringës së ngratë, 200
Gjallë sa frýmen aj per t’ mbajtë:
N’ ndesh t’ tij Zana per t’ dalë kishte,
E atý gojen me i a lidhun,
M’ rrunza t’ Tringës qi aj mos me prekë.
Edhè ujku, sado i unshem, 205
Kryet per dhé, bishtin nder kâmë
Per t’ kaluem kisht’ ndermjet rrunzavet,
Per pa i prishë e dam pa i bâmë:
Si t’ kish’ kênë qêni barí
Tue ruejtë rrunzat bashkë me Tringen! 210
Kaq fort Zana, Shtozovallet!
M’ a kisht’ dashtë Tringn e mjerë:
Por qi sod i a bâni t’ dekun
Vasil Ndreka sýkerveshni!
Prandej, kur m’ at maje kepi 215
Ndêjë, e Mira, tue soditun
Si n’ Nokshiq po vlote lufta,
I shkojn sýt n’ oborr t’ Curr Ulës,
Edhè shef: shka ajo me pá
S’do t’kisht’ dashtë me sa vedvedin 220
Errë s’ dy sýsh: shef Trinen dekun
Gjatë oborrit shtrî terthuer,
Kryet te praku i derës sharrue
N’ nji hurdhë gjaku. Mnderet shtati
I u perqeth atý nji herë; 225
Por, ka’ e Mira me mendue
Nuk po don, se ndonji e keqe
Ká mûjtë Tringen me i a gjetun,
Sýve t’ vet besë s’ do me u zânun;
Edhè shplaken, bardh si drita, 230
Vendue strehë mbí vetlla t’ holla
E dhânë shtatit si n’ perpjete
M’ at shkam t’ gjallë, e ço e ul kryet,
Ngerthye m’ ballë vetllat si rrfeja,
Mâ pingul rrexet e sývet 235
Po i a lshote. Si ajo mjera
Morì nanë, së cilles djalin
N’ mal a n’ fushë hasmi i a vrau,
Ndo’i rrezik a se i a gjetka:
E qi gjindja, shqymit zêmren 240
S’ mjerës me’i herë mos m’ i a rrenue,
Si me ndoshta t’ zí kumetin
I a apin s’ pari: flakron m’ kambë
N’at lajm nana, e rrugës tue thekun
Moshet kamba nisë me i mbetun, 245
Shkon n’ mend vedin tue e mahitun,
Se s’ do t’jét, jo, djali i vet
Qi ká mbetë, por ndokush tjeter
Me tê ‘i êmni ndollë si gand:
Amostjetr, se asa’ i biri 250
N” rrezik jete nuk do t’ ishte:
Por, kur t’ mrrîmen n’vend t’ shemtuem,
Shef se djalë mâ nuk po ká,
Ahi ! gerthet t’ madhe me vedi,
Grushta krés tue i rá kercuna, 255
Dhîmet zêmra ka’ i pelset;
Kshtû gerthitë ká e bardha Zânë,
Kur ká pá se mbetë kisht’ Tringa.
Edhè e Mira, nalt prej kepit
Kû kisht’ zanë, e thik perpjetë 260
Ndê ajo flatrat e prarume:
Si atà pllumat kur prej s’ epëri
Pingul lshohen m’ ndo’i lamë gruni:
Zhgjetë n’ teposhtë âsht lshue n’p'r ajrí
Drejt oborrit të Curr Ulës: 265
Curri dekun shtrî te votra,
Dekun shtrî n’ oborr e motra.
Si ajo nana fmín, qi gjumi
T’i a ketë zanë prej mremjet n’ voter,
E merr pezull para duerve 270
Edhè e çon fjetë ke shtroja:
Kështú Zâna pezull Tringen
Para duerve ajo e ká rrokun,
E ndê çark llanen si bora
Nen krye t’ sajë e njanit krah: 275
Si po t’ drote se i del gjûmi…
T’amlen pashë edhè shterngue
Mirë per persme, e Bukura e Dheut
Nçohet ajrit tue flutrue
Neper plume e gjyle topash 280
Drejt kah kreshta e Vizitorit,
Kû m’ nji bigë kisht’ ngulë e Mira.
Nen at bigë e te nji breshtë
Po kisht’ pasun nji rudinë.
Isht’ rudina e e gjanë e giatë, 285
Sa hjedhë nieri ‘i pashë nen dorë,
Tanë blerim e lule t’ njoma;
N’ mes t’ rudinës nji shkam i gjallë,
Nen at shkam nji gurrë prej akullit.
Gurra jishte, ujë po kishte, 290
Sa me blue nji gúr mullîni.
Atý dilshin Orë e Zâna,
Per me u lá, per me u flladitë,
E neper rreze qi lshon hana
Dorë per dorë valle me u njitë 295
Me u njitë valle e me lodrue,
Me lodrue, po, e me këndue
Me këndue e me vallëzue
Me bylbyla t’ verës – ó, 300
Dér nper ag të Dritës – ó!
Mbí at rudinë e te ajo gurrë,
Zana e madhe, Shtojzovallet!
Ká ulë Tringën n’ bár të njomë,
Edhè fshâ ká ajo të madhe. 305
Kur ká fshâ nji herë të madhe,
Ká piskatë fort mâ të madhe:
Ç’ ká ushtue bjeshka e Vizitorit!
E kan ndie Motrat e veta,
Orë e Zâna t’ Vizitorit: 310
E kan ndîe ato e gjithsa kjenë,
Gjithsa kjenë, po, te kû kjenë
Shkaperderdhë gjatë Vizitorit
Neper kerma, currina e krepa,
Luften tue soditë të Lumet, 315
I a kan behë ato vetimë,
Disa vetmas, tjerat plimë,
Tue rrahë fletrat nper ajri:
Si atà pllumat, qi prej mbarmjet,
Enè dielli pa prendue, 320
Shkaperderdhë si t’ janë pullazesh,
Nper kopshtîje a skâj’t t’ oborrit,
Kur t’ ndiejn zânin e zojës s’ shpís
Se i ndiell m’ kokrra, fluturim ajrit
Per t’ u lshue kan, tok a dámas, 325
Zâni i njoftun kah t’ i grishe:
E si ato qi s’ kan mot t’ keq,
Fol e qesh t’ Lumet n’ mes t’ vedit,
Ka’ i bijn ajrit tue flutrue,
Por kur mrríjtë kan mbí at rudinë 330
E kan pá shtrî m’ bár të njomë
Trupin dekun t’ Tringes s’ mjerë,
Kuku! t’ madhe fort gerthiten.
Rrah shuplakë e lviru ftyret.
Lnuru flokësh fijesh s’ mundashit, 335
Njana dnes e tjetra fshâj:
Fshâj e kjáj e shkrifu n’ váj,
Rá permys rreth trupit t’ sajë,
Dhîmet zêmra gjak u pikë.
Mjaft tash, Varza; mêni vajin! 340
Kem’ me pasë se kur me kjá,
Zana e Madhe merr e u thotè.
Se edhe n´ vend qillue po kemi,
Kú rri bari r&i nè lot,
Kú rreth toka &asht mrú me gjak, 345
Me gjak nierit, e kú, besa,
Nji Shqyptár, n´dashtë burrë, n’dashtë grue,
Qi per zêmer Orë e Zana
T’ a kenë pasë, aj, t’thuesh, gjithmonë
Ká hjekë zi, keq ká mbarue: 350
Q’ se kjo e mjera moj Shqypní
Ká per brî, nji dreq të zí,
E në gjí, nji dreq mâ t’ zí,
Ká per brî kjo Karadakun, 355
E në gjí ká Turkoshakun,
Qi veç e me agor të vetin
Hije t’ zezë me i lshue ky diellit,
E si vetë aj gjarpin zilesh
Veç me sý dhén me e helmuem.
PorT’ i lâjm kto fjalë. Tash Tringa 360
Do bâ gati me u rmue n’ dhé.
Kjo do lá nji herë mâ para,
Mbasandej do veshë per dekë;
Do çilë vorri. Sa me e lá
Tash po e láj un vetë; por petka 365
Deke s’ kem’ per tê. Ndigioni,
Jere Lere, Tere, Gere,
Ti Culinë e ti Dalinë,
Tile, Gile, Tale, Gale,
Bashkë me Donen e Berdonen, 370
Beken, Çeken e Cerrleken,
Shpejt me m’ endë ju nji kmishë deke
T’ bardhë si drita, edhè nji vashë
Si e bájn varzat e Malcis.
E ju Care, Nare, Dare 375
Nji rizë t’ gjanë, të bardhë e t” hollë,
Si ato rrezet, per t’ m’endë kini
E mâ s’ mirit me e qendisë,
Per m’i a vû sé mjeres m’ krye. 380
Ti Fatale, Naze, Raze,
Nji ndjesë arit shpejt m’ i a shkrîni,
Krejt me lajle, shkrola e ftyra
Si i ká kjo, qi bajtë ká n’ fyt:
T’ lumet shêje t’ shpensës s’ njerzimit:
E ‘i parë vargj, prap, prej florinit, 385
Ndjesen m’ qafë m’ i a vjerrë së mjeres.
Zhdukë vetimë janë shtozovallet.
Punës se e cilla tuj i a hî
Me kujdes e t’ madhe cenë,
Zana e Madhe urdhnue si kishte. 390
Kur, qe, prap e bukura Dheut
Po piskatë atý të madhe:
Larg ushtue ká Metohija:
Edhè kthelltë at herë prej breshtet
Nisen vrap dý ulkonja t’ murrme, 395
N’ at rudinë t’ cillat si mrrîjten
E pá kan Zanen e Madhe,
Trok m’ trok m’ t’ katrat tue i rá podit
E andej – kndej bishtin tue i dhânun,
Fíll ka’ ajo kan marrë e shkue; 400
E si kênë t’ i’n dý kalina
T’ buta – t’ buta, per rreth sajë
Nji herë hjedhë janë e perhjedhë.
Tanë gëzim e tanë endire:
Lpýja doren, lpýja kamben, 405
Çou m’ kambë t’ mbrame me i lpý ftyren;
Masandej perpara sajë
Janë ulë t’ dyja e ndêjë kacuk,
Giûhen jashtë e veshët currue,
Sý per sý m’ tê tue soditun 410
Edhè t’ dyja atý tue pritun
Se ç’ punë dote ajo m’ u urdhnue,
Qi aq të madhe u bâni zâ.
Edhè e Mira, lott per faqe,
U ká prî e i ká çue te vendi, 415
Per krah shkamit n’ anë prej diellit
Vorri Tringës kû do t’ i u çilte:
E kû ato, me do çapokë
N’ thoj – çengela mirë t’ forcuem,
Hînë me ‘i herë m’ tê me gropue, 420
Mje m’ brez kthelltë edhè e kan çue.
Nderkaq mrrîjtë kan Orë e Zana
Me pajë deke fringu t’ ré:
Endë e mlue, e at herë bâ vekë,
Pré e qepë, edhè qendisë, 425
Si veç Zanat mund t’ qenbdisin.
Nazja, Razja e ajo Fatalja
Prune ndjesen ár floriní,
Me ‘i parë vargj per bukurí,
Arit t’ shkrîm e t ‘ trashë sa gishti: 430
M’ njanen faqe ‘i Zêmer Krishti,
M’ tjetren ânë nji Shëna Ndue,
Me nji lil në dorë shterngue:
Imë punue, mírë sendergjue.
Zotnja Zanë si e kisht’ urdhnue, 435
Edhè, at herë, vetë Zana e Madhe
Shtozovallet n’ bjeshkë e n’ vrrî !
Asht ulë Tringen per me e lá
Me bár shkumëz e ujë prej gurre,
Kû ajo vetë, e Mira, lahej 440
Neper rreze qi lshon hana;
Po i ndihmojshin Orë e Zana.
Nder mâ t’ parat permbas soje,
Tjerat ndêjë ki’ n rreth e rrotull,
Shkatrrue flokësh, mollzat n’ lot rî; 445
Disa m’ kambë, disa m’ ledinë
Ulë nja’n giû, e m’ tjetrin duert,
Merthye gishtash, pshtetë kaluer,
Tue dënesë, dhimshem tue kjá
M’ t’ngraten Tringë. Nder to mâ e vogla, 450
Njajo Dardhamoskadale,
Qi m’ kisht’ kênë shoqe me Tringen,
M’ anesh dalë e nja’n sup t’ krahit
Njeshë, e njomja, shkamit t’ gjallë,
Kjatë, dneste, shkrifej n’ váj, 455
Dhimet zêmra dýsh ka’ i dahej;
Ndersa nja dý Motra tjera,
Tue e dashtë mirë, flokët tue i a lmue,
Kryet nen sjetlla t’ i a shterngue:
Tjera lott me riza t’ holla, 460
Lshoi në dorë urtyta e molla:
Bâjshin ç’ mos per m’ e pajtue
T’ mjeren Dardhamoskadale !
Ballehana, e Shtatzarana,
Me at Shtrumoren, e Vathnoren, 465
Kishin dalë t’ mirat per lule,
Me to vorrin per me shtrue,
Trupi i Tringës m’ to me pushue.
Edhè Syne, Lore, Loshe,
Mine, Mile, Mele, Groshe, 470
Para duersh atý po bijshin
Mirë të lmueme ‘i rrasë mermerit.
Gjanë e gjatë per masë të vorrit,
M’ llastra gurit per me e pshtetun
Mbrenda vorrit: dheu qi ftyren 475
T’ mos i a prishte Tringës së mjerë.
Prap mâ jashtë, disí m’ nja’ n anë,
Ofshe ! ulkojat vend ki’n zanë,
Kacuk t’ dyja, e per nen zâ
Tuj ungruem tash e mâ vonë. 480
Nji zog vere, m’ rrêm t’ nji lisi
Zanë nder thepa t’ shkamit t’ gjallë,
Dhimshim rrite tue gurgullue,
Kurr pa prâ, kurr pa pushue,
Ujë e shûjtë aj krejt harrue, 485
Kah po dote me i ndihmue
Zanës së Madhe me vajtue
Hollë e giatë, Tringen e ngratë:
Vasil Ndreka, i patynzoni,
Qi i a vrau, i a thau të rijt, 490
I a verboi, oh ! të dy sýt.
Zana e Madhe, shpervjellë llanash
E dhanë rizës ajo mbas shpinet,
T’ mjeren Tringë se mirë po e láte
Me ujë gurre e lot të sývet ! 495
Mirë po e láte, hollë po e kjáte,
Me i u dhimët gurit e drunit:
Anì, Tringë fort m’ kênke idhnue,
Qi me sý s’ don me m’ shikjue
E as nuk flet e as s’ qeshë me mue ? ! … 500
Po pse kshtû, moj hajmalí,
Morì rrezja nper frangí,
Me m’ a marrë gjith ket mëní ?
Qi pa tý s’ m’ká çilë prandvera,
Pa tý lules s’ m’ i erdh era: 505
S’ m’ kan argtue jo kangë e valle,
S’ m’ kan freskue gurrat prej akullit,
As bâ dritë s’ m’ kan sýt e ballit !
Çili sýt, moj drita e sývet ! ….
Shka t’ ká rá kjo bije e randë ?!… 510
A s’ po shef kush â tue t’ lá ?….
Asht tue t’ lá, moj, Zana e Madhe:
Ksajë m’ i raftë – o ‘i pikë e madhe !
Asht tue lá, me ujë prej akullit
E me lot të sývet t’ ballit ! 515
Se as, kur m’ dilshe n’ Bieshkë të Mdhá,
Manà, tejet kurr s’ jam dá:
T’ kam ndèjë pranesh bjeshkës e vrrínit,
Si ajo hâna per nget hyllit,
Kur bân dielli me prendue. 520
A t’ bjen n’ mend, moj rrexigí,
Si, kur ishe ti enè fmi,
Flokët rreth ballit rrumullue,
Bâjshim zheg na t’ dyja bashkë
N’ p’ r ato mrize t’ Vizitorit ? 525
Kû un, marrë hijen e ndo’i vashe
Me tý shoqe ase kushrinë,
T’ msojshe kputat si me nisë,
Si me qapë, si me qendisë ?
E si, kur nper hije t’ breshtës 530
Niste kangen zogu i verës,
Amel – amel tue këndue:
Si veç aj qi din me kndue:
Mue m’ â dashtë, po, mâ se ‘i herë
Me t’ a zânë zogun e verës; 535
Me t’ a zânë t’ mjeren e vocerr,
Edhè gjallë n’ dorë me t’ a prû:
Kah të kapej mendja tý
Se edhè n’ dorë kndon zogu i verës,
E ti s’ kishe enè dijní 540
Se s’ del kanga në robní ?…
Hajde, Tringë, tash me pajtue !
Ti me folë, me qeshë me mue,
Folë e qeshë si kem ‘ perhera !
Se tash del, po, prap prendvera, 545
Prap tash njethen gjeth e lule,
E me u dê ká bora malit,
Me rrëmye kan prrojet zallit:
Prap tash kndon aj zogu i verës,
E tash dalin gjâja e bjeshkës, 550
E tash bijn fej e zamare,
Tash tingllojn linge e koçana,
Tash këndojn barí e blega:
Blegt mollzat kuq si shega:
E un e ti prap dora – dora, 555
Dora – dora bardh si bora
Mriz e m’ mriz bashkë me mrizue,
Gurrë e m’ gurrë bashkë me u freskue:
Hijes mlidh lule të njoma,
Mlidh urtyta, dardha e molla, 560
Lule, lila, karajfila,
Drandofille me zymyla:
Darkë e drekë tamel e borë,
Borë e tamel ciela e zamer:
N’ shndet si bryma mbí rudina 565
Menden kthielltë e zemren dlirtë,
Mirë me Zotin, mirë me robin:
E n’ at t’ amlen giûhë shqyptare
Te nji lis a nen ndo’ i dardhë
Un këndo, po, e ti këndo, 570
Si kndon zogu i veres – o,
Morì drandofillja e bardhë !…
Por, e mjera, ç’ jam tue pá ?!…
Eh me sý kurr un mos pasha !
Ç’ âsht kjo njollë, thue, Tringë, më ballë ? 575
Qi ndryshe s’ po m’ dán nder sý,
Veç si njaj lugat i zí,
Qi hanen ndo ‘i herë zên naten ? …
Uh kukú per mue kercunen !
Se kjo kênka ‘i varrë prej pushket 580
Varrë prej pushket mu në ballë
Mu në ballë shi m’ lule t’ ballit,
Kû mâ fort shpirti po dhimte !
Se Tringen m’ a paskan vrá !
Vrá m’ a paskan, he i vraftë Zoti ! 585
Edhè thá m’ i a paskan t’ rijt
Thá të rijt, verbue t’ dy sýt,
Tue i pshtjellë n’ zí gjak e gjiní,
Tue i mjeruem miq e kumarë:
E Orè e Zana e Shtozovalle 590
Tue i shkretnuem, tue i pezmatuem,
Sa k&u janè e te k&u janè
M´ Qafë të Djellit e m’ Bisht – Muzhel !
Jo, po, pra, besa, ju Motra,
Se per Tringen mâ mbas sodit 595
Udhë as shtek s’ kem’ pse kundrojm,
As nper mrize pse e kerkojm,
Koder m’ koder zâ pse i lshojm;
Pse kjo mâ morekujé !
S’ ká me bâ híje mbí dhé ! 600
Ká me u kalbë, qyqja, nen dhé !
Kur ndo’ i hera n’ atê dimen,
Rêsh së murrta qiella kthiullun,
E m’ ranë t’ hjedhme t’ ndrise dìellì,
Kan me dalë t’ Bukrat e detit 605
E giatë bregut, Shtouzovallet !
Kah mue Tringa m’ dímënote,
Tue flakue ato e tue lodrue,
Njitun valle tue këndue,
Kan me ì lodhun sýt, të Mirat, 610
Palè a Tringen kund po e shofin ,
Kah reshë lukurt m’ kullosë n’ megje,
Qi aq per zemer pasë m’ a kinin,
E per t’ pvetë ká shoqja shoqen:
Vall, po Tringa si s’ po shifet ? 615
A mos rá, ndoshta kund njeti,
Gjân e gjallë me dimënue ?
Ká me u thânë pulbardha e detít,
Manà, ju t’ Bukrat e detít,
Sýt per Tringen mos m’ i lodhni; 620
Se ajo dalë ká me dimnue
Sivjet n’ bjeshkë të Vizitorit,
Te nji gurrë e nen nji blî …
Mbrendé njij vorri, e mjera, shtrî,
Tue ngranë m’ tê skraptha edhè bolla !… 625
Tash hecë moti, tash ndrron stina,
Tash kthen prap festa e Bajrakut,
E ke tbanet e Curr Ulës
Kan per t’ rá miq e kumarë,
Kan per t’ rá ndriklla e mikesha, 630
Vjetë per vjetë si atý kan rá:
E kur t’ shofin zjarmin shkimë,
Deren mbyllë , ofshe ! me ferrë,
Kan per t’ pvetun shokët per brî:
Amanèt, njehshi t’ mirë mot ! 635
Po a Curr Ula shkulë â trollit ?
A thue Tringa na âsht martue ?
Faqebardhë, burra të dheut,
Faqebardha, oj bujaresha,
Miqt e babës qi s’ i harruek’ i , 640
Kan me u thânun shokët per brî;
Se, manà, Curri ká dekë,
Edhè Tringa na âsht martue:
Na âsht martue, po, me tokë t’ zezë,
Ke qaj blini i Vizitorit … 645
E vrau Shkjau, he atê e vraftë Zoti !
Kur u bâ lùfta n’ Nokshiq.
Mjera un, moj Tringë, per tý !
E ktû lmekë âsht Zana e madhe,
Ftyrë per ftyrë ká rá mbí Tringen. 650
Orë e Zana at herë nji zani
Se të madhe ç’ kan piskatë !
Kä jehue bjeshka e Trojanit,
Maja e Hekrave e Vermoshi,
E ajo Mokra e Shekullarit. 655
Idhtë dý ulkojat zûn me ulrue,
Pika – pika lott tue u shkue.
Nalt prej shkamit zogu i verës
Cangull m’ tokë i vocrri rá:
Dhimet zêmra dýsh i u dá: 660
E rrmej gjak gurra prej akullit.
Ora e bardhë e bjeshkës s’ Trrojanit:
Dalë, e Mira, me do Motra
T’ veta mâje nji carani
T’ rryeshemm t’ bjeshkës, per me soditun 665
Si n’ Nokshiq lufta po vete:
Ká ndie vigmen e piskamen,
Trishtueshim kah Orë e Zana
Pingrue kan n’ bjeshkë t’ Vizitorit;
Edhè mirë atý âsht kujtue, 670
Se bel – holla, rritë nder molla,
Zana e Madhe e Vizitorit
Me ato tjerat flok – prarueme
Motra t’ veta, Shtouzovallet !
M’ shtek të vshtirë po ki’n takue. 675
Prande’ u thotë shoqeve t’ veta:
Besa, pra, morì ju Motra,
Njajo vigem e piskame,
Qi pingroi kah Vizitori,
Kish’ me thânë, se shêj hareje, 680
Manà, s’âsht, por shêj nji kobi
Të trishtueshem edhè fort.
S’ bâjm, tham, keq, kshtû tok si jemi,
Me kalue ‘i herë m’ Vizitor,
Per me pá, palè, ç’ká ndollë 685
E a i kem’ shndosh Motrat e atjeshme.
Edhè t’ mirat – raftu e mira !
Janë lshue ajrit plima – plima,
Tue rrahë flatrat e prarueme
Drejt prej bjeshket t’ Vizitorit. 690
Si m’ at bjeshkë vetimë janë kapun
Plantë ndê flatrat e prarume:
Si ato shqypet ktheterkuksa,
Kur me sý pingul prej s’ eperi
Shkojn tue lá çufra e zabele, 695
Per t’ rám pré ndonjâj shkrebeje:
Pezull ajrit zûnë të Bukrat
Me i ardhë çark bjeshkës s’ Vizitorit,
Pingul prirë rrezet e sýve,
Palè a kund po mund dallisin 700
Orë a Zanë. Kur qe se Orës s’ Madhe
Rrezja e sývet fíll po i shkueka
Mbí at rudinë, kû Shtozovallet
E bjeshkës s’ madhe t’ Vizitorit
Po ki’ n ndêjun rreth e rrotull 705
Trupit t’Tringës, idhshim tue e lvyrë,
Tue u lnurë flokësh, e Zana e Madhe
Pakë e lmekë mbí ftyrë të sajë,
Dnes e fshâj e shkrifu n’ váj;
Edhè zhgjetë t’ Bukurat e dheut 710
Pingul lshue janë m’at rudinë:
Në fllad t’ amel t’ fletvet t’ tyne,
Kah po dirgjeshin flaurí,
Ká ferfllue njaj gjethi i ahit.
E kur rá kan m’ at rudinë 715
E t’ kan pá Zanat tue kjá,
Tue dënesë, ftyrat tue u lvyrë,
E mbí Tringen ftyrë per ftyrë
Pakë e lmekë Zanen e Madhe:
Edhè fort, manà, të Mirat 720
Janë mjerue, janë pezmatue:
Rrkajë volísh lott u kan shkue.
Ora e Madhe e bjeshkës s’ Trojanit,
Ardhë si rrezja e nadjes s’ré,
Me nji hýll t’ shkelxyeshem m’ ballë, 725
Shllungës së flokvet, fijes s’ mndashit,
Per mbas shpinet dhânë suvalë:
Avra – avra edhè derdhë shtatit
Veshen bardh si bora shpatit,
Kur t’ i bjerë dielli kundruell : 730
Njeshë nen parzme me ‘i trîzë arit,
Kamben mbathë n’ ndalla t’ prarueme:
E si hana katermdheçe,
Në ndo ‘i mbrame t’ asajë vere
Qitun ballin, qêth argjani, 735
Permbí vetulla t’ ndo i’ Empirit
Nper mes t’ hyjvet bjen madhnueshim;
Rudinës s’ blerë, në lule shtrue,
Kshtû madhnueshim bjen e Mira, 740
Aq kaleças kamben matun
Per mbas gjethit të ndo í lili,
Udhës tue ndrrue, porsá m’ boçë lulet
Me i perkulë; edhè nji filli
Drejt ká shkue ke Zana e Madhe, 745
Kû, qitë duert asajë nen sjetulla,
Si perdhûni e çon më kambë:
E me t’ shmajten llanë eburne
Çark tue u ardhë lilave t’ njomë
T’ ijes s’ sajë, e mi dashtní 750
Tue e shternguem amel per parzme:
Ndersa e Bekuara me dorë tjeter,
Flokët, dredhë ballit edhè çenash,
Me shum máll po i a shestote
Per nen rezë, ká mârrë e i thotë, 755
Lott poshtë mollzash ka’ i rigojn:
Po ti, Moter … mos kështû !…
Qindro pak, he bujareshë !…
Se ti kshtû, manatì i Zotit,
Cok po e çueke vedin dam … 760
Mjaft tash mâ … të kjofsha true !
Lêne vaj’ n nji herë, se plase !
Zana e Madhe, kryet pështetun
M’ borë të gjallë t’ Motres trojane,
E tue dnesë, dhimshim tue fshâ, 765
Merr e i thotë me fjalë t’ këputuna:
Qyqja, Moter, se ç ‘ m’ká gjetë !
Se un mâ t’ gjalltë nuk kam shka e bâj !
Se mue Tringen m’ a kan vrá !
Se mue t’ rijt – o m’ a kan thá ! 770
Të dy sýt m’ i kan verbue !
Bjeshkë e vrrî m’ i kan shkrûmue !
Gurrë e prrue m’ i kan helmue !
As nuk kam pse t’ hî nder valle ! …
As nuk kam pse t’ bij nder zalle !… 775
Pse t’ kerkoj hije edhè mriza…
Pse t’ kerkoj gurra e çurrila…
T’ kerkoj lila e drandofille,
T’ ndjeki flutra neper shtoja,
Mollakuqe e xhixhilloja: 780
Të prigioj un zogjt bylbyla !
Kta per mue, Zot, u farojshin !
Kurr mos kndojshin ! mos vallzojshin !
Kurr mos dalët per mue prendverë,
Tash qi m’ vrán Tringen e mjerë, 785
Qi e kam dashtë si sý e ballit:
He mue m’ gjoftë moti per s’kthiellti !
Orë e Zana prap piskaten;
Prap ulkojat uluruen :
Bjeshkë e male larg ushtuen. 790
Ora e bardhë herë tue i a lmue
Me dorë ftyren, herë me rizë
Lott prej sývet tue i a terun
Se sa amel po i a kthen:
Po ti jo, moj rrezja e bardhë, 795
Moj shtatrrituna në mjaltë !
Se tý Tringa nuk t’ ká dekë:
Nuk t’ ká dekë, moj, pasha veren !
Pasha voesen, qi rigë Drita,
Kur vegon m’ at buzë të malit ! 800
Nuk t’ ká dekë, moj, por t’ ká lé
Sod per s’ dyti: se n’ Nokshiq
Shqyptarís i a la ajo nám !
Se kur sod nper buzë t’agimit
Krisi pushka në Nokshiq 805
E zû shkjau me djegë, me pjekë,
Me vrá gjind, e me rá pré
M’ dhên e dhí e m’ lopë e qé:
Si atij p’ rherë i a ká hjkë dera:
Cull e mullë, shka i kisht’ shpëtue, 810
U vû m’t’ hikun, e muer rreget
Rrezga – bjezga drejt Sutjesket,
E as rob nierit s’ mbet n’ Bajrak;
Veç se Tringa me t’ vëllán,
Me at Curr Ulen shtrî per dekë: 815
Shtrî per dekë kah nisë me hjekë.
Anë e kand visesh s’ Nokshiqit
Rrihte pushka kurr pa prâ:
Stane e tbana i’ n flakadâ:
N’ tym t’ agushtë qiella merthye, 820
Mos me u pá shoqi per brî:
Tue lurue shkina edhè shkjé,
Si lavë uqsh zijet në Shndrè,
Kah robitshin, kah plaçkitshin,
Pleq e cull e grá kah vritshin: 825
Me gjith kta kjo e bija e botës,
Tringe Ulja e Ulë Keqotës,
Vllaut, fisnikja, nuk u dá,
Dér qi sýt ktij mbyllë s’ i a ká. 830
E ká ndie si Shkjau po rrâte
Drejt kah tbani i sajë, kqyr ç’ bâni
Tringa at herë. Në kambë âsht çue,
Edhè atý, mbí vllá të dekun,
Ká zânë vasha ‘i bé të madhe: 835
Ká bâ Zotin – kjoftë levdue ! -
Gjallë Shkjaut n’ dorë se s’ do t’ i bijte,
Tatë e nanë se s’ do t’ koritte,
S’ do t’ koritte vllán per s’ dekuni,
Fisit marre s’ do t’ i l^te: 840
Edhè, kapë huten e vllaut,
Fill n’ oborr vasha ká dalë.
E ká pá, nji Shkjá kryekcyem;
E ká pá, keq ká mendue,
Fort mâ keq desht me punue: 845
Me e çue rob per vedi n’ shpí.
Por, kur, qêni i biri qênit,
Ká marrë turrin me e robitë,
Sa shpejt Tringa atý i ndêj gati,
Edhé m’ hutë po, sokolesha 850
Mu në parzme shkjaut i a njiti,
M’ rragam dekun edhe e qiti.
At herë shkjét Tringen kan vrá.
Nuk ké, Zânë, pra pse me kjá;
Se, manà, bija e malcores 855
Ká qindrue si t’ gjith fisniket:
Per të gjallë nuk u dá vllaut,
Gjallë në dorë nuk i rá shkjaut;
Edhè vedin ká pague
Si mâ i miri burrë n’ Malcí; 860
S’ká koritë as t’ parë as t’ mbramë:
Shqyptarís i a la ajo nám !
Ká me dalë kanga dikúr,
E kahdo qi shqypja t’ flitet
- Kjo e mashkulla giûhë hyjnísh – 865
Ká me u kndue nder burra t’ dheut
Per shka bâni e bija e botës
Tringe Ulja e Ulë Keqotës,
Kur pat krisë lufta n’ Nokshiq;
E dér rrezja shekllit t’ endet, 870
Emni i Tringës larg do t’permendet !
Shka i ká thânë, vall, Zana e Madhe:
T’paçim, Orë, sa gjith kto male !
Morì e mbrûmja me voesë qiellit,
Morì, e njeshmja me gjith lilit, 875
Mirë shartue me rreze t’ diellit:
Qi m’ a ké sýnin si hýll,
Qi m’ a çilë e qi m’ a mbyllë
Si ajo hâna neper pyllë:
Se mue shpirtin m’ a freskove, 880
Se mue zêmren m’ a balçmove
Me kto fjalë, moj, t’ u ngjatët jeta !
Moj pinjolla, vetull – holla.
Se, manà, tash kurrnji grimë
Un per Tringen s’po kam dhimë; 885
Ke ajo, lule në ket jetë,
Lule paska shkue n’ at jetë,
Edhè faqe t’ bardhë Malcís
Lânnë i paska, e ‘i nám Shqypnís.
Animâ, moj Bujareshë, 890
Tash ti Tringen me m’ a veshë,
Me m’ a veshë e me m’ a njeshë,
Me m’ a bâ gati per dhé;
Se, manà,zêmra s’ po m’ bân,
M’ i a veshë un pajen e dekës. 895
E kam dashtë, moj Ora e Madhe,
Si driten e sývet t’ mí !
Sá mirë Ora veshë e ká !
Sa e mirë Tringa atý m’ ká dá !
Zana e Madhe se ç’ ká kjá ! 900
Edhè ulkojat, manà t’ Zotit,
Rrijn e e kqyrin si per máll.
Mbasì veshë e ká e stolisë,
Si ato virgjnat e Malcís,
Ndjesen arit m’ varg florinit 905
M’fyt i a njet e bukura e dheut.
T’ dyja duert mandje mbí zêmer,
Njanen m’tjetren kryq, vendue
I a ká e Mira, e me ‘i parë rruza,
rreth per rreth tue u ardhë, i a lidhë: 910
Si Shqyptarve t’ dý mij vjetvet
Doke lânë u a kan të Parët.
Nderkaq Zana Shtatzarana,
Me at Shtrumoren e Vathnoren,
Vorrin n’ lila e drandofille 915
E kan shtrue. Si a bâne gati
Me e shtî n’ dhé, kjo Zana e Madhe
Po i bjen sypri, e puth e kjáj,
Dnes e fshâj e shkrifu n’ váj,
Fryma s’ mjeres n’ fyt ka’ i zêhet. 920
Por si Ora e bardhë trojane
Me shum múnd e ká shkepë soje
E per zêmer pshtetë po e mbate,
Orë e Zana Tringen pezull
Para duersh e çuen, kaleçes 925
Edhé m’ vorr e shtrîjn mbí lule
Drandofille. Zana e vogel,
Njajo Dardhamoskadele,
Tue dënesë, qyqja, e tue u lvyrë,
Shkon e merr zogun e veres 930
Dhimet dekë nen shkam rá i vocrri,
E e shtje n’ vorr me Tringen bashkë:
Qi per s’ gjalli aq fort, e mjera,
Dashtë m’ i kishte zogjt e veres !
Aty, Sýne, Lore, Loshe, 935
Mine, Mile, Mele, Groshe
Kapin rrasen prej mermerit
E e vendojn mbí llastra gurit
mrenda vorrit rreth per anë
Thikë ngujuemun. N’shêj t’Ores s’Madhe 940
Shpejt dý ulkojat i a kan hî
Mbí vorr dhén me sh6amë m’ capokë,
Qi edhè e bàne, rrash me tokë,
Ato vetë tue kjá, po, bishat.
Edhè qe se, sypri vorrit 945
At herë dheu pre’ ulkojash lshue,
vjen e vesht vedit n’ lule,
Lule t’ bardha, t’ bardha, t’bardha,
Mos me i prishë as zhegu as mardha.
Ora e Madhe e bjeshkës s’ Trojanit 950
Kur qe urdhnon ato sýgrizhat
Motra t’ veta: Bjeshkë e Borë,
Thrake, Dake, Vace, Grece,
Lali. Lice, Like, Dike
E sa jeni Motra t’ mija, 955
Shpejt n’ Trojan ju tash me m’ shkue
E me shkulë blinin e mrizit.
Kû mrizojn gjâja e Muç Hasit,
Edhé ktu ju me na prû
E t’ a ngulni m’ krye të vorrit 960
Le t’ na bâjë Tringës hije veres.
Sa shpejt Orët janë nisë e shkue,
Sa me t’ shpejtë ato janë kthye:
Sa veton dý herë me sý !
Edhè e prûn blinin e mrizit; 965
E me ‘i t’ mshâme Shtozovallet
E kan ngulë tre pash në dhé.
Se sa i madh – o blini ishte,
Sa të madhe hije kishte:
Me mrizue nja treqind dele ! 970
Kthelltë prej breshtet nji zog vere
Vjen fluitrim e zên mbí blî,
Kû, me ‘i zâ, si tue vajtue,
I a ká hî me vallëzue
Dhimet n’ zêmer me t’ pikllue. 975
Zana e Madhe, lott per faqe,
Merr e i thotë ksajë Orës s’ Trojanit:
Faqebardhë, Orë e Trojanit,
Faqebardha Motra t’ saja,
Qi m’ u gjetët n’ ket ditë t’ shemtueme; 980
Se, manà, kan kênë kah m’ losin
Dhimet t, zemers mendt e krés !
Veç ndigjoni, oj Orë e Zana,
Se me zanë due bét e mdhana:
Pasha rrezet qi lshon hana ! 985
Pasha voesen mbí ledina !
Pasha brej, aha e çetina !
E per mriza e qepariza !
E per gurra neper curra !
E per lila e per bylbyla ! 990
Pasha t’ rijt e pasha veren !
Mos e pritsha kurr prandveren !
E as mâ Zanë mos m’ thaçin mue,
Se un dér neser, pa marrë dielli,
S’ e lâ Tringen pa pague ! 995
Do t’ i marr, po, treqind krena;
Treqind shkjé rob kam me i zanun:
Trí mij çikë e nuse t’ reja:
Po, trí mij, moj, pasha Zotin !
Trí mij çika e nuse t’ reja 1000
Para kohës kam me i lânë t’ veja.
Me kjá ato, po, si gjith qyqet
Nper kasolla t’ Karadakut,
Si ato bubat pshtjellë në zí.
Se as e mjera kjo Shqypní 1005
Kurr tue pá s’ âsht dritë me sý,
Ke ksajë Shkjau, ndêjë orrl mbí krye,
Kurr të keqen s’m’ i a ká dá:
Vidh, robit, plaçkit, bje pré;
Këtu luej gúr e kufî, 1010
Atje vrà bulq e barí,
Veç pse bâjn hije mbí dhé !
Sod mâ teper vraja çikat,
Nderës e jetës kah zot me i dalun
Duen fisniket ! Mlidhu çetë, 1015
Dyndu ushtrí, ngref pushkë e top,
Edhè dil e bje n’ Shqypní,
Si me rá n’ tokë t’ Parvet t’ vet:
Thue se i Lumi Perendí
Per Shqyptarë Shqypnín s’e fali, 1020
Por per Shkjá. Medjè, mâ teper
Krajl e Mbret n’ kuvend bashkue
N’ at Berlin: jo per t’drejtue
A per t’ sjellë ndo’ i punë per s’ mari,
Se kta t’ maren kû m’a kan ?! 1025
Kta, qi, shpirtin jahudí,
Zêmren pus, rrênen kanû,
Besë e fé qitun mbas shpine,
S’ kqyrin erz, s’ kqyrin drejtsi:
E qi n’ luftë qesin me u grî, 1030
Ndermjet vedi djelmt e rí
P’e ‘i top basme per dimí !
Por se i cilli me ngopë barkun
Sa mâ ding me gjâ t’ mâ t’ ligshtit:
Si atà derrat n’ kallamoq: 1035
E rri e haju shoq me shoq,
Si ato kurvat n’ punë kopilash,
Veç per t’ hypë sho’it kaliboç
Edhè shpirtin ktij m’i a xjerrun
Per gazep, po: dorë i dhankan 1040
–He atà Zoti m’i marroftë ! –
Knjaz Nikollës me hî n’ Shqypnì,
Dér kû vendi me Drî:
Dér m’ kështjell të Rozafatit
N’at mollë Shkodre, m’krye t’ Shqypnís. 1045
Por nuk hîn, moj, êmni i Zotit !
Dér t’jét gjallë nji nip Kastrijotit;
Pse Shqyptarët as sod as motit
Sa me dhûnë, s’ ká mûjtë me i shtrue
Kurr i huej. Po, Mali i Zi 1050
Para hupë — e hupët !– se Knjazit
I bjen n’ dorë Shkodra mizore.
Un, po, vetë, un do t’ u a kalli
N’ zêmer burrave t’ Malcís
T’ hershem flakë të trimënís 1055
T’besës shqyptare e të burrnís;
E s’ lâ kurr e per ket jetë,
Pasha tokë e pasha dét !
Fjalen Krajlave pa u a thye :
Per pa e thy, per pa e poshtnue, 1060
Edhè Tringen pa e pague !
Të lumët goja, eh sokoleshë,
Merr e i thotë Ora trojane;
Se edhè mue me vedi m’ ké
Me sa Motra kam mbas vedi. 1065
Edhè t’ Mirat çue flauri,
Kan rrahë fletrat nper ajrí
E sa bredhë aj jehi i zanit,
I a kan behë mbí bjeshkë t’ Trojanit.
Zana e Madhe, at herë, rrfè 1070
Asht lshue ajrit tue flutrue,
Edhè behë ká m’ Kapë të Brojës.
Kur ká behë m’ at Kapë të Brojës
Se ç’ piskatë ká ajo të madhe !
Kan ushtue bjeshkë edhè male, 1075
Kan shungllue fushë edhè zalle.
E kan ndie burrat e dheut:
Atà Lekët e Malcís s’ Madhe,
Qi aq zanát luften m’a kinin:
E kan ndie, mirë janë kujtue, 1080
Se n’ Nokshiq ushtrija e jonë
Ajo ngusht po ká qillue;
Edhè trimat m’ kambë janë çue,
Kan njeshë armët, mirë janë shterngue,
E t’ kan marrë malin perpjetë 1085
Po fluturojn, thue ti, me fletë!
Mandej dalë ká m’ Bigë të Shalës.
Kur ká dalë m’ at Bigë të Shalës,
Sa të madhe atý piskati !
Ká shungllue marë Dukagjini. 1090
E kan ndie burrat e dheut,
Shalë e Shosh, Shllak e Temal,
Me Mertúr, Gjâj e Dushman,
Qi aq të fortë besen m’ a kan:
E kan ndie, mirë janë kujtue. 1095
Se n’ Nokshiq ushtrija e jonë
Ajo ngusht po ká qillue,
Edhè trimat m’ kambë janë çue,
Kan njeshë armët, mirë janë shterngue,
Malit thik na janë fillue 1100
Si lavë uqsh nper plajm e borë:
M’sý kapuçat, hutat n’ dorë.
Edhè del m’ at Qafë të Diellit,
Se të madhe atý ç’ piskati ! 1105
Bjeshkë e vrrî se ç’ kan ushtue,
Ç’ kan ushtue ç’ kan shungullue !
E kan ndie Pejë e Gjakovë.
E kan ndie Rekë e Rrogovë:
E kan ndie, mirë janë kujtue, 1110
Se n’ Nokshiq ushtrija e jonë
Ngusht ajo po ká qillue;
E t’ kan msý Rekë e Rrogovë
E t’ kan rrâ Pejë e Gjakovë
T’ kan rrâ trimat m’armë shterngue. 1115
Sýnin gacë, zêmren agzot:
Lum per Tý, o i Lumi Zot !
Kund pa u ndalë, kund pa pushue:
Thue se krushq po janë tue shkue,
Per t’ marrë nuse nen duvak. 1120
Jo mâ krenash me u krekcue
Ballë per ballë me Karadak !
Kur, qe, nisë era me frý,
Zbardhë âsht deti prej tallazit,
Sa shpejt qiellin po e zîn rêja; 1125
Prej Rumije zê e veton,
Kah Cetina po gjimon.
Shum do t’ zâjë shiu e shtergata
Shum do t’ lshojë, tham, sheu e brraka.
Si mjerë kush të jét ngushtue 1130
Neser kâmbë ujë me kalue;
Se, manà, fort un po drue,
Se s’ do t’ mûjë aj me kalue !