Dervish Pasha

N’ at Yldiz tue thirre Jacia,
Zbret te dera Kapixhija,
Kapixhija i Abdul Hamidit,
Per m’ i a vû shulin derës s’ zidit;
Pse, posë n’han, po isht’punë e praptë, 5
Me ndêjë dera neten haptë.
Kur, pa pritë, qe, shi m’ atëhera,
Nji shtektár ja behë te dera:
Nji shtektár me rryp shterngue,
Shpervjelë tirqit dér ne giû, 10
Lagë e ndragë e djerzët tue i shkue:
Rrugë te largtë kisht’ mârre i shkreti!
Edhe lypë me hî te Mbreti.
Po kush jé, more ti djalë?
Kush jé ti? kahdo me dalë? 15
Kapixhija po i nep fjalë;
Se ktû po isht’ puna me dere…
E s’ muej mrendë kêdo me shpjerë;
Jo qi mrendë edhe me t’ shtî,
Se del prap, dorzanë s’ mund t ‘ hî. 20
Se kush jam, pse m’pvetë nuk ké;
Se un veç hije bâj mbi dhé,
Zên shtektari i ngratë tue fshâ:
Se un kam kênë e nuk jam mâ:
Kam kênëmoti n’ nám e n’ zâ, 25
Kam pase tokë e kam pasë gjí,
Kam pasë dhên e kam pasë dhí,
Kam pasë plemet me tagjí,
Si mâ i miri n’rrokullí.
Ofshe! sod, por, posë gjithkuej, 30
Un kam ngelë nên zgjedhë të huej
E mâ i keqi, ndêjë m’krye t’ vendit,
M’ a bân gjygjin jashtë kuvendit;
M’i m6err tokët aj, qi m’ la baba,
Edhe mue m’ man mish per krraba, 35
N’ daç per t’zí a n’ daç per t’pjekë,
Gjithsi atij t’ vîjë tue ju tekë….
Prandej ktû pash t’ madhin Zot!
Mos më rrek me fjalë ti kot;
Pse edhe ngae me u tallë nuk kam, 40
E pse e zezà e kuej nuk jam,
Veç se n’ kjosha e zeza e vetit,
M’prîjë e m’qit, po , para Mbretit:
Se mue Shkodra me ka çue,
Per nji dert un m’i a dertue: 45
Per nji dert e i’ kob te zí,
Qi i ká rá s’ mjeres Shqypní,
Qýsh se i ká dreqnit kojshí,
Edhè ngrofë gjarpnin né gjí…
Kapexhija edhè i ká prî, 50
Fíll te Mbreti atè e ka shtî.
Kur ká dalë trimi te Mbreti
Lagë e ndragë, si isht’ kânë i shkreti,
M’ të dy giûjt atý aj ká rá
Edhè kshtû ká nisë tue kjá: 55
Per jetë t’ ande, lala Mbret,
A ti mahe Mbret m’ Shqypní,
A po Mbret âsht Knjaz nikolla,
Qi i ká mbledhe cubat n’Cetinë
E u ká pri krejt kah Shqypnija, 60
Edhè mârre e ká Vraninen;
Ká mârrë Zetë e Podgoricë;
Na ká thye atjè ne Kernicë,
Kû, mos t’kendej ajo Mirdita,
Qi m’ i a ndalun aty hovin: 65
Si zanát pushken qi e ká,
Edhè n’Shkoder pat me t’ hî,
Me u bâ krajl aj mbi Shqypní:
Perse Shkodra, t’u ngjatët jeta!
Po isht kryet e Shqyptarís. 70
Per jetë t’ ande, lala Mbret,
A hiq dorë ti prej Shqypnijet,
A se ndryshe çoe nji ushtrí,
Qi t’ i bjerë Malit te Zí;
Pse kshtû gjallë ma nuk u rrnueka! 75
Ka ndêjë Mbreti edhè e ká ndie,
E ká ndie edhè âsht idhnue:
Çon e thrret qat Dervish Pashen:
Pa ndigjo, ti Dervish Pashë:
Ká ardhë puna tuj u trashë, 80
Tuj u trshë e t’ u perzí:
Pse qaj Knjazi i Malit t’ Zí
Ka çue m’ kâmë, po thonë, nji ushtrí,
Edhè dalë ká në Shqypní,
Ká mârrë Zetë e Podgoricë, 85
Me Vraninë e me Kernicë,
Edhè n’ Shkoder do me rá,
Per me e bâ t’ tane vendin Shkjá,
M’e bâ Shkjá Shkodren mizore!
Pshtielli bashke pêsdhetë taborre, 90
Edhè del n’ at Cernagore
E m’a bân Knjazin terbjet,
Qi Shqyptarët ká zânë e i nget,
E s’ po i lên, jo me gjellisun,
N’bjeshkë e n’vrrí aj tue u vardisun. 95
Mori e mjera Shqyptarí,
Si t’shkoi moti gjithmone n’ zí,
Si të shkoi moti tue kjá!
Vjetë per vjetë ti n’gjak tue u lá,
Vjetë per vjetë e muej per muej, 100
Herë n’gjak t’and, herë n’gjak te huej,
pa t,u ndrrue kurrkund neshtrasha!
Qy ky Pasha, Dervish Pasha,
T’ rrebtë nji ushtrí në kamë ká çue
E n’per tý do me u pershkue, 105
Per me u ndeshë me Karadak…
Per me t’ lá edhe i’ herë me gjak.
Po a njimend thue, se Dervishi
Ket ushtrí nen armë e ngrishi
Per me ardhë me t’ dalë zot tý, 110
Edhè hekrat me t’ shperthye,
Qi dermishe t’ kan kâmbë e duer,
E t’ majn rob tash s’ dí se kúr?
Jo, mo’e shkretë! Dervishi s’ lot
Per me ardhë me t’ dalë tý zot 115
E per tý me Shkjá me u vrá:
Se aj zanat lirín s’ e ká,
Se prej si, kahdo ká rá,
Kush s’ ká kndue, veç se ká kjá.
Por aj vjen perse Stambolla 120
S’do qi t’hîjë n’Shkoder Nikolla,
Pse do vetë, po, edhè mbas sotit
Me t, majtë rob ajo si motit,
E, tue t’ndrydhun per nen thêmer,
Me t’ngulë shishin mâ kthellët n’ zêmer, 125
Edhè gjakun me t’ a pí,
Me t’ a shkimë jeten unjí,
E me t’ lânë m’ u kalbë mbí dhé…
Po ti djelmt, Shqypní, kû i ké?
Kû i ké djelmt, qi sot per tý 130
M’ armë me u çue edhe me msý,
Me msý m’ armë, po, t’prûjtë anmikun
E, pa dhimë, m’ parzme çelikun
Me ja rrasë, e Knjaz Nikollës
Me i diftue edhe Stambollës, 135
Se Shqyptari â i zoti i vetit,
Se s’ i shtrohet Shkjaut as Mbretit?…
Ah, po! djelmt, qi ti ké rritun,
Ata mohit tý kan rá,
Edhè vedit i a kan njitun: 140
Njâni Turk e tjetri Shkjá;
Dikush Grek, e dikush Zejbek;
E kurdo qi u ká qillue
Kta per tý, jo, s’kan qindrue,
Por per mbret e per Turkí, 145
Por per Serb e per Greqí;
Aj, t’ a máj Turkun n’ Shqypní,
Ky, t’ a bâj vendin Serbí,
Tjetri, Grekun t’ a bí n’ shpí;
Edhè shitë tý kan per pare, 150
T’ kan rá mohit per timare,
Per qyfllaqe e per begllaqe,
Si t’kish’ kênë ti nji grue hore
E jo nânë e zojë kunore,
Zoja e Gjergjit Kastriota, 155
Qi sá t’enden stine e mota
Me e nderue ká rrokull bota.
E prandej tash giatë e okolla
T’ bijen Dervisha e t’ bijn Nikolla,
E t’ a lájn trupin ne gjak, 160
E t’ a zânë shpírtin tý njak,
Si mo’ Zot mâ keq per tý,
Se ç’ ké pritë me pá me sý,
Se ç’ ké pritë me sý me pá,
Me t’ poshtnue tý Turk e Shkjá, 165
Porsi t’ ish’ nânë e pa djalë!
Ktû, Shqyptarë ndigjonie ‘i fjalë:
A me hjekë sod mní e resë,
Z6emer t’ keqe e ç’ do ngatrresë,
Edhè t’ fortë m’ e lidhë nji besë, 170
T’ fortë m’ e lidhë nji besë te Zotit,
Si Shqyptarët qi e lidhshin motit
Se nuk shiten nder t’ huej,
Se qindroni p’r Atdhé t’ uej:
A se, ndryshe Shqyptarija 175
Ká me hupë, e perendija,
Po, t’ a dini, ká me u vrá,
Tuj u lshue t’gjithve nên Shkjá:
Persè dita ká me ardhë
Dikû e zezë e dikû e bardhë 180
N’ t’ cillen Shkjau Turkut i bjen:
Edhè Shkjau Turkun e than
E e ngarmon aj jashta Europet,
Me gjak t’ onë, qi rrin e ngopet,
Tash pêsqind e disa vjet: 185
Prá, at ditë Shkjau, po bâní e u gjet
T’ dám n’ mjet vedit, jue Shqyptarve,
E pá zéll per gi6uhë të t’ Parvet
Pá dashtní per Atdhé t’ uej,
Per ket besë, aj do t’ u shuej, 190
Porsi shuhet krypa n’ ujë;
Persè â trim e dhime nuk ká,
Per k6edo qi nuk âsht Shkjá,
Jo qi i ká per t’ mârrë do uhá…
E mos pritni se vjen Mbreti, 195
Se vjen Krajli a vjen Dauleti,
Me ju pshtue prej thojve t’ tí;
Pse, si thomë na ktû n’ Shqypní:
Shka t’ a hajë ujku nji herë,
S’ a zên gjarpni Kurrnjiherë… 200
S”jânë jo t’huejt qi e pshtojn Shqypnín,
Qi ja bijn vendit lirín:
Jâne Shqyptarët, e kurrkush tjeter;
Manie n’mend, pse âsht fjalë e vjeter;
E un prandej po e vê ktû m’ leter, 205
Qi,po kje se hupë Shqypnija
Per faj t’ uej, kur t’ rriten fmija
E t’ ujet nipa: n’ kje se gjallë:
U a lên Shkjau ndonjâ per máll:
E ket fjalë m’ “Lahutë t’ Malcís” 210
T’ a këndojn, ne fryme t’idhnís
T’u a mallkojn shpirtin per s’dekuni
E t’ u namin rroc e koc;
Persè âsht dam, po, pasha Zotin!
N’zí Shqypnija m’e shkue motin 215
E me fshâ ajo n’robní,
Tue pasë djelmt qi per trimní
I permenden n’ fiset t’ tâna,
Ke bje dielli e ke merr hâna.
Hej, moj Zânë! si t’ duket tý? 220
A thue shof un kurr me sý,
Se Shqyptarët do t’bijn m’ nji fjalë,
Zot Atdheut kta per t’i dalë?
Se mas Flamurit kuq e zí,
Gegë e Toskë, fushë e Malcí, 225
Kan me dalë ndo’i here n’ ushtrí,
Me derdhë gjakun per Shqypní?
Po, pse jo? Me kohë e pûnë,
Kû me endire e kû me dhûnë,
Gjâ pa u bâ nuk jet n’ket shekull: 230
Kshtû qi ‘i herë çka dukej mrekull,
Dán mandej si t’ ishte lojë.
Jo, po, dita do t’ agojë,
N’ t’ cillen tok fisi i Shqyptarit
Ká me u mledhe edhe barbarit. 235
Qi dér m’ shpírt e ka poshtnue,
Me armë n’ dorë ká me i dishmue,
Se aj per t’ gjallë s’ i shtrohej kuej,
Se rob s’ rri nên thêmer t’ huej,
Por don kohë, moj zêmer valë, 240
Qi Shqypnija m’ vedi t’ dalë;
Pse vjen moti per kadalë.
Per nji ditë bîjn kpurdhat n’shí;
Por nuk mkâmet, jo i’Shqypní…
Pra, kto fjalë, tash ktû t’i lâjm, 245
E prap kângës fillen t’ i a zâjm:
Pse po ndiej ke atje kah Shkodra
Fort po rreh trompeta e lodra,
Fort po ushton qaj Rozafati,
Dervish Pasha ke s’ i a ngiati, 250
Edhè n’ Shkoder i a ka befun
Me pêsdhetë taborre t’ njefun:
T’ tanë Harapë e Anadollakë:
Per me e ndezë Cetinen flakë:
M’e ndezë flakë, edhè m’e kallë, 255
Knjaz Nikollen me e zânë gjallë;
Edhe lidhë n’Stambollë m’e çue,
M’e lânë mshilun ne katue,
K6u rrin kali tue hingllue.
Heshtu, Zânë, mos qesh me mue; 260
Se merzitshim kam qillue!
Paj per t’gjallë s’lidhet Nikolla;
Se aj po kisht’ do djelm sokola,
Qi per Fé e lirí t’ t’ Parit,
Qi per nderë të Gospodarit, 265
Ndryshe s’bín, jo n’ fushë t” mejdanit,
Ndryshe s’ rrâjn m’askjer t’ Sulltanit,
Veç si krushku, qi shkon n’darsem:
T’ tâna plumet presin m’parsem.
Pse edhe atà e kan kanû, 270
Besë me Turk kurr mos me vû,
Mos me vû kurr besë as fé:
Me tê por me u vrá, me u pré,
Po duel aj ndo ‘i herë m’ at dhé.
Jo qi vetë Knjazi i Cetinës 275
Po ishte trim, po, zogu i shkinës,
E nuk lidhet per s’të gjallit,
Per me u mshilë te grazhdi i kalit.
Shka t’i bâjm: anmik na e kemi;
Por të drejten do t’ja themi… 280
Prandaj vetë kishe me thânë,
Se edhè teper ka per t’ kânë,
Per Dervishin, n’ mujtët me dalë
Dér n’ Cetinë, aj rrugës pa u ndalë;
Perse âsht mal Cetina e shkretë: 285
Duhet pûnë me u njitë perpjetë…
Jo, po; duhet,besa, pûnë,
Per me i hî Cetinës perdhunë,
Pse, qe, Knjazi sa ká ndie,
Se Dervishi erdh n’ Shqypní, 290
Fjalë ka çue Malit të Zí,
N’ luftë me dalun plak e i rí,
N’luftë me dalun burrë e grue:
Burrat mirë n6en armë shterngue,
Grát me kmesà e me supata, 295
Me kosh m’shpinë çikat e ngrata,
Per me i bartun bukë ushtrís,
Per me i dalun zot lirís
Kunder anmikut të lirís.
E pse rreth t’ tânë Karadaku 300
Asht nji giûhe, ‘i feje e ‘i gjaku,
E nuk do veç Qeverín
Sa per t’ ngopë me ár Parín;
Por do Atdhén e do lirín,
Do me shkue per ditë mâ para, 305
Per kah dieja e pûnët e mara,
Burrë e grue në kâmë jânë çue,
Edhe pritat i kan zânë,
Ashtû Knjazi si u ka thânë:
Kan zânëpritat ânë e m’ ânë 310
Burra, djelm,e grá, e vasha.
Qe, edhe dyndë âsht Dervish Pasha
Me pêsdhetë taborre t’ veta
Edhè mêrr rrugen perpjeta,
Tue rrahë lodra dhe trompeta. 315
Dá ushtrín e ká n’ trí çeta:
Njânen lshon kah Podgorica,
Tjetren derdhë aj kah Kernica,
Mêrr të treten per mas vetit
Giatë liqênit m’lundra t’Mbretit: 320
E si atà shkulmat e detit,
Qi,tue vlue e tue shkumue,
Tue gjimue e tue ushtue,
Vîn , plandosen per aní,
Herë per báll e herë per brî, 325
Tash tue hjedhun,thue,nder rê,
Tash pingul neper kurrnê
Shul n’teposhtë tue e karraní,
Thue n’ avis duen m’ e perpî:
Shkrefë aj turrin per Mal t’ Zí, 330
M’ Veleçik e del m’ Rumí.
Asht ndezë zhari mal e vrrî.
Kerset topi, rreh havani:
Ká mârrë gjâmë te tânë Ballkani.
Ah! kadalë, bre Knjaz Nikolla: 335
Se ky â Mbreti e kjo â Stambolla,
Se me top e me nizâmë
T’djegin dhén, po, per nên kâmë.
A me Turk deshte me u pré?
Qe, tash Turkun tek e ké: 340
Del, deh! rrugen me ja pré…
Por nuk die si ké m’ u dá,
N’ paç vû sý me tê me u vrá;
Perse âsht trim, po, askjeri i tí,
Si mâ i miri nder Krajlní, 345
Kur t’ ketë krena qi me prî,
Të ketë bukë, barot të zí.
A nuk shef? a ké verbue?
Dervish Pasha ç’ t’ ká rrethue?
Si n’ menjane t’ ká shterngue: 350
Gjallë prej dore s’ ké me i pshtue,
Pse edhe m’ tý fort âsht idhnue.
Se âsht idhnue Pasha i Stambollës,
Kish’ me thânë se Knjaz Nikollës
S’po ja haka kurrkund palla; 355
Pse, qe, atje,n’ do karpa t’ gjalla,
Rreth e çark aj permbí Rjekë,
T’ tânë ushtrín e ká perpjekë,
Kû dhanë besen per me dekë,
Per me dekë e per me u shue 360
E Cetinen mos me e lshue,
Per pá u bâ gjaku dér n’ gjûe.
Kan lidhë besen, po. n’ mjet vetit,
Me bâ pushkë me askjer te Mbretit,
Edhe t’ Parët mos me i koritun, 365
Qi, pa u lodhë e pa u topitun,
Kurdoherë me Turk jânë pré,
Per lirí, po, edhe per fé.
Mandej dá i ká çeta – çeta,
Rjekës tue i lshue malit perpjeta, 370
Kû s’ ké veç curra e kaçuba:
Per kaçuba ka dy cuba,
Per gjith curra ka dy burra,
Ka dy burra malazez,
Njashun vezmet mirë per brez, 375
Njitë taganat në sylah,
Idhtë novicat pshtetë per krah,
Sýnin xhixhë e vetllat shllûngë,
Neje – neje kryet si bûngë,
Qi, ‘iqind herë me i rá supatë, 380
Nuk i a hjekë. jo i ashkel t” thatë:
Por t’ tânë mend e të tânë dije,
Per me u pré me Turk Azije…
Dervish Pashës, mandej, çon fjalë:
Byrm! kuer t’duejsh, mundesh me dalë, 385
N’ daç per mik, n’ daç per anmik,
Se mâ gati, se kam lë,
S’e njof vedin ne kët dhé:
Bukë e mish, barot të zí,
Si zanát qi âsht n’Mal të zí. 390
Shkon Dervishi tuj u shtý
Tuj u shtý e tue rremye.
Ka mârrë Zetë e Podgoricë,
Ka mârrë Viri edhe Kernicë,
Edhe mârrë e ka Vraninen, 395
Oso Kuka kû ka metë:
Mandej kâmen aj ka thekë,
Per me dalun neper Rjekë
E me u kapun te Cetina,
Kû kisht’ çerdhen gjeraçina: 400
Kû kisht trollin Knjaz Nikolla:
Edhe trollin rreth e okolla
Me ja shêmë, me ja dermue:
Ndandë pash n’ dhé me ja gropue.
Por se shka kúr erdh me dalë 405
Neper Rjekë me kapun mal’,
Madhi Zot, tý t’ kjoshim falë!
Se ç’ ká shkrefë atý potera,
Se ç’ âsht ndezun lufta at hera,
Se shum gjaku edhe ká shkue, 410
Shum nizami ká sharrue!
Kan metë gjindja pa u rmue,
Me i ngrânë shpêzt e Karadakut,
Qi edhe lshojshin fort m’erë t’ gjakut…
Msýni Turku me fuqí; 415
Priti Shkjau me trimëní,
E ka’ u ndeshen me furí:
Si t’ u ndeshshin flakë e agzot:
Lum e lum per t’ Madhin Zot!
T’ i a dha vigma e t’i a dha ushtima, 420
T’ i a dha krizma e bumullima;
T’nisi topi me gjimue,
T’ filloj pushka atý me vlue,
T’ u perlá Turku me Shkjá
Njâni m’ tjetrin t’ u ndersý, 425
Shoq me shoq t’ u kaperthye,
Njâni msýj e tjetri shtýj:
Si dy dema báll per báll
Qi atje n’ djerr a n’ndonji záll,
Kúr bâjn gjedhet mriz prej s’ t’ zetit 430
Kaperthye brynash n’ mjet vetit,
Kukzue shpînet, bâ kulár,
Shtrangue bishtin strumullár,
Dyndun pluhni rê n’ ajrí
Rrîn t’ u vrá me t’ madhe mní, 435
Dér t’ i dajë ndonji barí.
Dý herë Turku u kap në maje,
Dý here Shkjau e lshoi nder zaje,
Tue shtrue shpatin me Harapë.
Por, kúr s’ tretit muer me u kapë 440
E me dalë prap m’ maje t’ malit,
Kû n’ Mal t’ Zí kje pika e djalit,
I lshoi m’ tokë at herë shejshânat,
Edhe u çue e zuer tagânat,
E si bisha tue lurue, 445
Fulikare m’ Turk u lshue.
E t’ i a nisen me i krekcue
Kê me krye, po, e kê me kokë,
Tue i lshue shyt dekun per tokë.
Atý Turkun e lshoi zêmra, 450
Edhe vends’ i zû mâ thêmra;
Por u drodh e solli shpinen,
E n’ teposhte e muerr rrpinen.
T’i u lshue Shkjau mrapa per gjurmë,
E me vigme e t madhe zhurmë, 455
Vrap per vrap e turr tue e ndjekë,
Kê tue therë, kê tue lânë dekë,
E dermoi dér poshtë në Rjekë,
Kû prap zhgjatë i vêhet m’ Shpinë.
Edhe e dbon e e qet n’ Vraninë. 460
Kur me sý ká pá Dervishi,
Se Nikolla ushtrín i a prishi,
Fort nji herë aj na âsht idhnue,
Ka shkrepë kâmët porsi i terbue;
Idhtë javerin ká qortue: 465
Por, mandej, zgidh nji allaj t’ rí,
Nder mâ t’ mirët qi i kisht’ n’ ushtrí,
E ja qet Shkjaut mrapa shpinës,
M’ i a pré rrugen e cetinës.
Veç Nikolla, i biri i Shkinës, 470
Po kisht’ kânë nji biramel,
Qi mâ n’ Shkjá shoqi s’ i del:
Prande’e pá me kohë rrezikun,
Edhe u drodh e u vû ne t’ hikun;
Mori malin Thik perpjeta, 475
Tuj u zhdukë me çeta t’ veta.
U zhduk Knjazi, e Dervish Pasha,
Idhtë ngerthye ato vetlla t’ trasha,
Mori rrugen per Cetinë.
Vall, a hîn Pasha n’ Cetinë?… 480
Nuk e diej a hîn n’ Cetine;
Por n’Cetinë e diej se s’ rrin:
Diç po vlon atje n’Berlin…